UET e fillon vitin akademik me 5 medalje, vlerësohen studentët e Sporteve
UET e fillon vitin akademik me 5 medalje, vlerësohen studentët e Sporteve
UET vlerëson studentët e Sporteve që përfaqësuan universitetin në Maratonën e Tiranës dhe në Kampionatin e Universiteteve
Universiteti Europian i Tiranës e filloi më së miri vitin e ri akademik, me katër medalje në atletikë dhe një në futboll.
Në kuadër të “Javës së Sportit”, Departamenti i Edukimit, Psikologjisë dhe Sporteve bëri bashkë pedagogë e studentë në një ceremoni emocionesh, duartrokitjesh, brohorimash dhe mirënjohje.
Studentët e Sporteve në disiplina të ndryshme si, atlektika, volejbolli apo futbolli morën certifikatat e tyre të mirënjohjes, pasi e “ngritën lart” emrin e universitetit si në Martonën e Tiranës, ashtu edhe në Kampionatin e Universiteteve, ku u renditën në vendin e dytë.
Përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Edi Puka u shprehu mirënjohjen studentëve të pranishëm në aktivitet, duke iu uruar suksese dhe fitore të tjera në vijim.
“Maratona e Tiranës për herë të parë u organizua në rang ndërkombëtar, ku atletet tona arritën të përfundojnë 10 kilometra me sukses. Ndërkohë eventi i dytë dhe shumë i rëndësishëm ishte Kampionati Kombëtar i Sportit Universitar. Ne jemi anëtarë të Federatës Shqiptare të Sportit Universitar dhe kemi marrë pjesë edhe herë të tjera. Këtë vit morëm pjesë fuqishëm, sepse arritëm të përmbysim rezultatin e shumë skuadrave”, u shpreh Puka.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj i inkurajoi studentët që përveç fitores e rëndësishme është edhe pjesmarrja, respektimi i garës dhe dinjiteti që t’i paraqet në lojë.
“Ka shumë rëndësi edhe pjesmarrja, pra duhet të jemi dinjitozë, të respektojmë çdo garë, të jemi prezentë kudo ku realizohen aktivitete të tilla. Pastaj sigurisht që suksesi është diçka që për hir të së vëretës na ka bërë shumë krenarë”, u shpreh Gjuraj.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini i përgëzoi studentët e Sporteve, pasi sipas saj bashkë me ata të Arteve i kanë dhënë një frymë dhe energji tjetër gjithë institucionit.
“Na kanë bërë krenarë dhe energjinë e tyre e kanë përcjellë vazhdimisht në institucion. Bashkë me Artet ju jeni, ai grupi që i jepni gjithë hijeshinë bukurinë dhe energjinë institucionit, kështuqë ne na keni bërë krenarë dhe shpresoj që këto suksese që keni korrur kaq shpejt t’i ruani, t’i konsolidoni dhe të arrini suksese të tjera”, tha Budini, ndërsa i inkurajoi studentët të jenë kompetitiv, pasi sipas saj të jesh fitues është shumë e rëndësishme.
Nga ana tjetër, pedagogët e Sporteve që nga Arian Farka, Mario Shabanaj, Bora Sulka, Gerti Metani dhe Dorjan Isufaj falenderuan studentët dhe iu uruan suksese të mëtejshme.
“Unë do doja të kërkojmë se çfarë sportistësh mund të kemi nga të gjitha fakultetet”, tha Arian Farka.
Të ndërsjellta ishin urimet dhe falenderimet edhe nga ana e studentëve, të cilat shprehën mirënjohje jo vetëm ndaj pedagogëve, por edhe ndaj institucionit.
Në fund të ceremonisë, në shenjë mirënjohje ndaj universitetit, studentët pjesëmarrës në aktivitetet sportive, përpara se të merrnin certifikatat e tyre, i dorëzuan certifikatat dhe medaljet e fituara Rektorit të UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj.
Konsolidimi i traditës sportive
Programi i Sportit në Universitetin Europian të Tiranës është hapur për herë të parë në vitin 2018.
Si çdo ide fillestare edhe profilet e Sportit në UET nisën, si diçka e vogël, por shumë e suksesshme, që ende po ndjekin rrugëtimin e tyre duke iu dhënë formë dhe profesionalizëm në çdo drejtim.
“Atëherë ishim pak skeptikë se çfarë impakti do ketë, çfarë kërkohet dhe si do na presin, por përgjigjia na u dha shumë shpejt”, tha Edi Puka.
Sot Sportet janë në vitin e tyre të katër-t dhe numërohen mbi 300 studentë të cilët i kanë besuar edukimin këtij profili në UET.
Sigurisht që misioni i universitetit ka të bëjë me të mësuarit, por jo të gjitha mësimet ndodhin në klasë, e sidomos kur bëhet fjalë për sportin.
Aktivitetet jashtëshkollorë i ndihmojnë studentët të rritin talentin e tyre dhe të eksplorojnë interesa të reja.
Ato krijojnë mundësi unike për t’u lidhur me shokët e klasës dhe për të zhvilluar aftësi që iu shërbejnë studentëve gjatë gjithë jetës.
Kështu ka lindur edhe “UET Sport Club”, ku mund të marrin pjesë të gjithë studentët nga të gjitha departamentet të UET.