Nisma e UET: 500 ‘Bursa Kadare’, një ndihmë për Humanitetet në Shqipëri

Në kushtet kur tregu nuk tregohet dashamirës ndaj këtyre degëve, ndihma është jetike për të mbijetuar. Duke patur diçka të tillë në mendje, Universiteti Europian i Tiranës themeloi ‘Bursat Kadare’ për të ndihmuar degët ‘sokratike’

Dita e djeshme për Universitetin Europian të Tiranës, ishte një ditë ‘pioniere’, një ditë shumë e veçantë në historinë e këtij universiteti. Në Universitetin Europian të Tiranës, me anë të një ceremonie u lançuan ‘Bursat Kadare’, 500 bursa të dedikuara humaniteteve ose Shkencave Humane kryesisht në degët që njihen si ‘sokratike’, në Filozofi, Letërsi, Gjuhësi, Histori dhe Studime Religjoze, për të cilat UET u licencua këtë vit akademik.

Shkencat Humane janë një pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare pa të cilat nuk mund të kuptohet madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike. Programet e studimit në shkencat humane janë të vlefshme për të themeluar dije të qëndrueshme dhe diploma tejet praktike. Gjithashtu, degët në humanitete janë esenciale për një shoqëri në elaborim, për një shoqëri të jashtëzakonshme, por sidomos për shoqërinë shqiptare. Universiteti Europian i Tiranës ka marrë konfirmimin nga shkrimtari i madh Ismail Kadare që të emërtojë me emrin e tij ‘Bursën Kadare’ për humanitetet. Ky miratim nga Kadare vjen kur para disa javësh ai ka përshëndetur hapjen e fakultetit të ri të Shkencave Humane në UET me anë të një bashkëbisedimi me përgjegjësen e departamentit të Shkencave Humane në UET, prof. asoc. dr. Belina Budini, duke i mëshuar fort nevojës ‘për një filologji europianiste shqiptare’. Hapja e këtyre degëve është një risi per universitetet shqiptare veçanërisht atyre private pasi UET është universiteti i parë privat që hap këto degë sokratike. Kjo është arsyeja pse humanitetet tek Universiteti Europian i Tiranës tashmë të organizuara në një fakultet dhe departament më vete, meritojnë dhe këtë mbështetje financiare nëpërmjet ‘Bursave Kadare’. Sistemi i ‘Bursave Kadare’ fillimisht do të jetë pak më i gjerë siç ka qënë praktikisht këtë vit akademik, ku janë rreth 700 studentë të prekur nga gjysëm bursat dhe bursat e plota me një fokus më të gjërë, si artet, sportet etj. Gjatë ceremonisë, rektorja e UET prof. dr. Nevila Nika shprehet se hapja e këtyre degëve të reja është vërtet një ngjarje në historinë e këtij universiteti. Për studentët e rinj të këtyre degëve ajo uron vetëm suksese, durim dhe përkushtim të madh.

“Hapja e këtyre degëve të reja është vërtet një ngjarje. Studentëve që vijnë të studiojnë këto degë, realisht dua t’iu uroj forcë, durim dhe përkushtim të madh. Nuk janë degë fitimprurëse. Universitetet shtetërore i kanë këto degë, por të studiosh në ditët e sotme, ku të gjithë priren drejt asaj që jep që ditën e parë që ke mbaruar shkollën, realisht tregon që kemi një pasion të madh. Aq më tëpër që është quajtur ‘Bursa Kadare’, ju jep akoma më shumë një lloj detyrimi për të qënë të mirë. Uroj të jeni një produkt i mirë sepse shoqëria shqiptare ka vërtet nevojë për ju. Ndoshta më tepër për profesione të tjera, për ata që do të japin shpirtin. Studime në fushën e Letërsisë, Historisë, religjionit nuk është pak, është një jetë e tërë që ju do ua dedikoni këtyre degëve jo shumë të preferuara. Me emrin e Kadaresë uroj të jetë një ogur shumë i mirë që do ju ndjekë gjatë gjithë jetës suaj”, shprehet Nika.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale Dritan Egro shprehet se kjo nismë është një sfidë e vështirë, duke vënë në dukje se hapja e këtyre degëve në një botë teknologjike dhe globale është një gjë e rrallë në Shqipëri por dhe në botë.

“Themelimi i këtij departamenti dhe këtyre degëve është një sfidë e madhe për Universitetin Europian të Tiranës dhe kjo sfidë sapo ka filluar. Cila është ambicia? Ambicia është të krijohet një drejtim mbi Shkencat Humane në UET dhe jo vetëm, por në të gjithë vendin. Jemi në hapat e parë të një sfide dhe kjo na bën të jemi modestë në shprehjen e sotme. Ajo që dua të vë në dukje është fakti që është e rrallë në Shqipëri, por dhe në botë, që pronësia dhe administrimi i një biznesi të mbështesë me kaq shumë bursa degë të tilla. Të gjithë rreken dhe priren drejt degëve fitimprurëse, por që të mirkuptohet kjo është një gjë shumë e rrallë dhe kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që Universiteti Europian i Tiranës ndjen për sa i përket detyrimit të saj moral dhe social për të kontribuar në njohjen e shoqërisë. Kjo është edhe ambicia jonë. Jemi në themelim për të analizuar dhe pse jo për ta treguar këtë gjë brenda dhe jashtë vendit”.

Studiuesja e komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, e cila është përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Humane, shprehet se në studimin e letërsisë shqiptare, vihen re shumë mungesa dhe emra autorësh, problematika të censurimit etj. Budini shton se ka besim të plotë se Universiteti Europian i Tiranës me çeljen e këtyre programeve, ka krijuar një frymë lirie për shoqërinë shqiptare. “Kemi të bëjmë me një Fakultet të ri në UET, që i kushtohet Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, i cili ka pasuruar universittetin duke u zgjatuar në drejtim të degëve sokratike, të cilat nuk konsiderohen si degë të tregut, degë të cilat në fakt marrin një lloj sponsorizimi në këtë universitet privat, duke shpresuar që të zgjojmë interesin për Artet, Letërsinë, Historinë, Religjionin përkundër asaj që pritet të ndodhë në një shoqëri, e cila, në një intervistë që kam zhvilluar me Kadarenë, është duke iu larguar asaj që është shpirtërore, kështu që në këtë lloj krize të natyrës shpirtërore, krijuese, identitare bëhet gjithnjë e më e nevojshme që ne të kemi dhe të përforcojmë degë të tilla, programe të tilla studimi, duke e kthyer këtë nisëm në një dobi tërësisht publike”, shprehet Budini.

 

Mirela Kumbaro: Investimi për kulturë dhe edukim është investim për emancipimin e shoqërisë shqiptare

Pjesë e ceremonisë së lançimit të ‘Bursave Kadare’, ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila e përshëndeti këtë nismë të Universitetit Europian të Tiranës për sa u përket degëve të shkencave humane duke thënë se kulturimi nuk duhet të jetë vetëm detyrë, duhet të jetë në radhë të parë një nevojë e brendshme. “Kjo gjë arrihet çdo ditë nga secili kudo. Këtë përpiqem ta bëj si politikëbërëse dhe si pedagoge”.

“Ju garantoj që Ministria e Kulturës qoftë me programet e saj, qoftë me të tjera mjete mbështetëse do të jetë krah UET jo vetëm për të promovuar këtë iniciativë të re, por dhe për të përgatitur bashkë pse jo një seri botimesh të dedikuara për këtë fushë”.

“Në fakt jam në një pozicion të shumëfishtë, jo vetëm si ministre, por dhe si një pedagoge sepse në fakt ky është profesioni im i përhershëm, ai i librit, sigurisht vinte në mënyrë shumë të bukur ky projekt, kjo bursë, që vlerën nuk e ka te vlera monetare, por e ka tek efekti dhe modeli i mirë që prodhon ky Unviersitet. Duhet ta pranojmë që sa herë që flasim për libra, e kemi shumë të vështirë të mbajmë vëmëndjen e opinionit, vëmëndjen e burimeve të ndryshme financiare drejt këtij investimi që padyshim është më i rëndësishmi. Investimi për kulturë dhe edukim është investim për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Është e rëndësishme që sa herë që flasim për libra, kulturë, shkollë edhe për sado pak kohë që mund t’i kushtojmë investimit në emancipimin e mendjes, është gjithmonë investimi i duhur që edhe po nuk na u kthye sot do të na kthehet nesër të gjithë rezultati te fëmijët tanë. Janë një brez që kanë nevojë të edukohen dhe të kulturohet në çdo moment. E falënderoj shumë Universitetin Europian të Tiranës, që ka një aktivitet botues shumë të mirë, me libra cilësorë shumë të mirë, të shoqëruar me leksione shpjeguese edhe në leksione të hapura. Pra, krijohet një forum ku secili mund të flasë për një element të kulturës. Është vërtet një kontribut mbase dhe më i mirë se banga e shkollës ku duket se shkojmë për detyrë, ndërsa te kjo tjetra shkojmë dhe për kënaqësi. Kulturimi nuk duhet të jetë vetëm detyrë, duhet të jetë në radhë të parë një nevojë e brendshme. Kjo gjë arrihet çdo ditë nga secili kudo. Këtë përpiqem ta bëj si politikëbërëse dhe si pedagoge. Ju garantoj që Ministria e Kulturës qoftë me programet e saj, qoftë me të tjera mjete mbështetëse do të jetë krah jush jo vetëm për të promovuar këtë iniciativë të re, por dhe për të përgatitur bashkë pse jo një seri botimesh të dedikuara në këtë fushë”, shprehet Kumbaro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *