Megi Hodo: UET, një sfidë në dimension intelektual dhe jetësor

Elda Dedja

Me një karrierë të spikatur në rolin e producentes ekzekutive, gazetares apo koordinatores, Megi Hodo, pjesë e brezit të parë të të diplomuarve në UET, rrëfen mbi arsyet që e shtynë t’i besonte këtij universiteti, si dhe rrugëtimin e saj profesional

Ankthi i zgjedhjes së universitetit të duhur kishte nisur muaj më parë për të, kur ishte ende në provimet e maturës. Thotë se nuk kishte dëshirë të studionte në një prej universiteteve shtetërore në vend dhe ndryshe nga familja, e cila nuk i jepte të drejtë në këtë vendim, ajo që në të vërtetë ëndërronte për veten ishte një universitet, i cili në politikat e tij të ishte më tepër se një institucion ku thjesht jepej mësim.

“Vitet universitare janë ato që vënë një lloj ‘vule’ në krijimin e një mindset-i jetësor, të cilin në vitet në vazhdim ti zgjedh ta zhvillosh ose jo, por ndërkohë baza është krijuar. Unë kërkoja një universitet ku më tepër se një profesion, të ndërtonte tek unë një konceptim të ri të botës përreth, një këndvështrim të ri të të parit të gjërave, pra të ndikonte në krijimin e një ‘njeriu të ri’”, kështu shprehet Megi Hodo, producentja e njohur, teksa kthehet prapa në kohë për të kujtuar momentin kur i besoi studimet e saj UET.

I përket brezit të parë të të diplomuarve dhe shprehet se ishte pikërisht ajo çfarë Universiteti Europian i Tiranës frymëzonte atëherë, që ndikoi në zgjedhjen e saj: “Pas mbylljes së provimeve të maturës, sigurisht dhashë provimet në shtet sipas sistemit arsimor të asaj kohe, ku muaj më vonë informohem se kisha fituar në degën e Gazetarisë në universitetin shtetëror. Nuk isha aspak entuziaste për këtë. Universiteti niste në tetor, ndërkohë që në media dhe në billboard-et e Tiranës flitej që do të hapej një universitet ndryshe, slogani i të cilit ishte: ‘A e bën dot?’. Nisur nga ky slogan, fillova kërkimet e mia rreth ‘Universitetit sfidues’. Një të premte mbrëma pashë të ftuar katër akademikët themelues të UET në emisionin ‘Zonë e Lirë”. Dëgjova intervistën, dhe nga fillimi në fund përmbushën më së miri tek unë bindjen se ishte universiteti që unë kërkoja, duke sfiduar më të voglin zë paragjykues rreth universiteteve private. Menjëherë ditën e nesërme bashkë me time më, shkuam pranë ambienteve të UET për të marrë një informacion më të detajuar, edhe pse unë isha e bindur për zgjedhjen time dhe për sfidën që sapo i krijova vetes. Sfidë, e cila mbante dimensione jo vetëm intelektuale, por edhe jetësore. E cilësoj këtë, sepse përpara 10 viteve një familje me ekonomi mesatare ai e imja të merrte një vendim që kushton mijëra euro, nuk ishte një përgjegjësi e lehtë për ta, por mbi të gjitha për mua.”

Duke përkuar me brezin e parë të studentëve, Hodo thotë se atëherë atmosfera ishte ajo e “një universiteti me standardet perëndimore, por fatmirësisht gjendur në zemër të Tiranës. Ne gati-gati ishim si një familje e madhe-vogël. Mbaj mend që në atë kohë një ndër problemet studentore në të gjitha universitetet ishte pikërisht mungesa e meritokracisë. Në fakt, unë nuk kërkoja një universitet që, për shkak të parave të dhëna ti të përfitoje në notë, përkundrazi kërkoja një universitet ku të më tregonte se me para mund të blesh shërbimin, cilësinë e mësimdhënies, por kurrsesi vlerësimin vetjak intelektual.

Mbaj mend se në provimin e parë, dhënë në semestrin e parë, marr një notë jashtë pritshmërive të mia, edhe pse e bindur që provimin e kisha bërë shumë mirë. Pas një konsulte me pedagogen dhe pas shumë ‘zhgënjimeve’ me veten, vendosa që provimin ta jap sërish pas një viti, ku sigurisht me pak më shumë punë studimore mora notën që doja”, shprehet ajo teksa rikthehet në kujtimet e më shumë se 10 viteve më parë, kur ishte ende studente në auditorët e universitetit.

Për Megin shkolla ishte më tepër se libra dhe leksione, nisur edhe nga natyra e saj sfiduese që e solli pranë UET, ambicia dhe kërkesat ndaj vetes ishin të larta ndaj shumë shpejt filloi tentativat e para për t’u përfshirë në botën e punës, ku u gjend mjaft mirë.

“Unë fillova të punoja që në vitin e dytë të universitetit një punë me kohë të pjesshme në televizionin ‘Top Channel’. Kam qenë e dashuruar me median që fëmijë, por kurrë për të marrë rolin e protagonistes së ekranit, sepse më tepër më intrigonte e gjithë puna përtej asaj që dukej. Dega që unë studiova pranë UET, ishte Shkenca Politike, ku pa dyshim theks i vihej komunikimit dhe medias. Shumë lëndë të ndjekura, si Teori Racionaliteti apo Marrëdhënie me Publikun më kanë ndihmuar pa masë në vitet e mëtejshme të karrierës. Pas kaq shumë vitesh, di të them që UET ka qenë investimi më i mirë që mund t’i kisha bërë vetes”, tregon Hodo.

Tashmë ka më shumë se 10 vite që operon në botën e mediave vizive, në rolin e producentes ekzekutive, gazetares apo koordinatores. Ka drejtuar emisione të tilla si: “Apartamenti 2Xl”, “Big Brother”, “Në 1 javë”, “My bodyguard”, “Xing me Ermalin” etj., të cilat kanë shënuar ndër vite suksese të mëdha në audiencë, por nuk kanë munguar edhe eksperiencat filmike në pozicionin e asistente/regjisorit në filma si: “Skënderbeu”, si dhe “2 gisht mjaltë”.

Ndonëse në një moshë ende të re, numëron suksese të shumta. Tanimë në rolin e një ish-studenti, pjesë e rrjetit UET Alumni, Megi Hodo vë theksin te fakti se suksesi nuk mund të arrihet ndryshe veçse me punë të vazhdueshme.

“Ajo që do t’u sugjeroja studentëve, do të ishte këmbëngulje dhe durim. Suksesi nuk është diçka aty, që arrihet dhe kaq. Suksesi është një punë e vazhdueshme konsistente. Çdo ditë duhet të vendosin standarde të reja, të jenë menaxhues shumë të mirë të kohës dhe të kenë objektiva të qarta. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kuptosh veten, aftësitë dhe limitet e tua.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *