Kampionati i Futbollit UET, 4 ekipe ndeshen për…

Sport Club UET 2019

Kampionati i Futbollit UET, 4 ekipe ndeshen për përfaqësimin e universitetit

Universiteti Europian i Tiranës, në kuadrin e hapjes së profileve të sportit, por edhe Klubit të Sportit, organizon në datat 18, 19 dhe 21 qershor “Kampionatin e Futbollit UET 2019”

Ndërkohë që përfitimi i dijeve akademike është gjithnjë i rëndësishëm, sportet ruajnë një rol të madh në formësimin e karakterit të një studenti. Sporti jo vetëm të mban trupin të shëndetshëm dhe në formë, por gjithashtu përbën mundësi për një karrierë të shkëlqyer. Kjo është arsyeja pse sportet janë bërë pjesë e universiteteve në mbarë botën, jo vetëm për t’u mësuar studentëve si të përballojnë presionin në çdo lloj situate, por njëkohësisht për t’u ofruar atyre mundësi karriere.

Sportet në UET

Sportet kanë një rëndësi të veçantë dhe me kontribut të madh në shoqëri. Në Universitetin Europian të Tiranës, në vazhdën e riorganizimit dhe zgjerimit, prej vitit të kaluar studentët kanë mundësi të zgjedhin prej 5 profileve në programin Edukim Fizik dhe Sporte, në Bachelor dhe 5 në programin Mësuesi për Edukim Fizik në Master. Risi nuk përbën vetëm gama e gjerë e zgjedhjes, por njëkohësisht edhe fakti që pjesë e stafit akademik janë edhe profesionistë me emër, të profileve të ndryshme sportive. Që në ditët e para të hapjes së këtyre programeve interesimi ka qenë i lartë dhe kjo duket edhe në numrin e studentëve të regjistruar, ku një pjesë e mirë e tyre janë edhe me bursa studimi. Megjithatë, krijimi i programeve të reja nuk është kontakti i parë i UET me sportet. Që prej themelimit të tij, ky universitet ka pasur si traditë zhvillimin e Klubit Studentor të Sportit ku u kushtohet një rëndësi e veçantë aktiviteteve të ndryshme sportive, të cilat pasurojnë jetën e studentëve.

“Klubet studentore në UET janë një strukturë shumë e rëndësishme që përbën jetën studentore. Këto organizime iu mundësojnë studentëve të quhen studentë në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm në aspektin akademik. Ato u mundësojnë atyre një hapësirë ndryshe ku mund të përfitojnë një orientim në karrierë, si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET, studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre”, thotë Odeta Cacaj, Dekania e Studentëve në Universitetin Europian të Tiranës.

Klubet u mundësojnë studentëve një hapësirë edhe më të gjerë se auditori, për të qenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, të organizojnë evenimente, të shprehin interesat, talentin e aftësitë dhe të vendosin mbi të gjitha aktivitetet që duan të realizojnë gjatë një viti akademik. Në përgjithësi pjesëmarrja në klube sjell përfitime të shumta, por anëtarët e Klubit të Sportit në UET përfitojnë jo vetëm në aspektin fizik dhe të shëndetit, por edhe në mirëqenien emocionale, ndërtimin e karakterit, vetëbesimin, menaxhimin e kohës, orientimin social, ushqim për kreativitetin, aftësitë e punës në grup, të mësuarit dhe zhvillimin dhe aftësitë e udhëheqjes. Angazhimi në të tilla grupime u jep studentëve të zgjerojnë rrjetin e tyre të kontakteve, me njerëz të cilët ndajnë interesa të përbashkëta me ta, pasi natyra autonome e këtij klubi lejon një larmishmëri angazhimi në profile të ndryshme sportesh.

Në datat 18, 19 dhe 21 qershor, do të zhvillohet “Kampionati i Futbollit UET 2019”, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Klubit të Sportit UET.

“Studentët janë të angazhuar në krijimin e një mjedisi ideal për veten, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë të jetës studentore. Nisur nga kjo, ata janë shpesh iniciuesit kryesorë të aktiviteteve të ndryshme dhe ‘Kampionati i Futbollit’ ishte një prej organizimeve të propozuara nga vetë ata. Ekipet pjesëmarrëse do të jenë 4, të përbërë nga anëtarët e Klubit të Sportit, të cilët studiojnë kryesisht në degën Edukim Fizik dhe Sporte me profil Futboll, por edhe në Teknologji Informacioni, Psikologji e Financë”, tregon Cacaj.

Ekipi fitues, i cili do të shpallet në ndeshjen e datës 21 qershor do të jetë përfaqësues i Universitetit Europian të Tiranës edhe në kompeticione të tjera ndëruniversitare.

Ndërkohë Dekania tregon se me fillimin e vitit të ri akademik, pritet të zhvillohen kampionate të tjera, që përfshijnë edhe profilet e tjera të sportit që ofrohen në ofertën akademike të UET.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *