Jonida Burba, komisarja që e gjeti Drejtësinë  në UET

Jonida Burba, pjesë e rrjetit Alumni, rrëfen eksperiencën e saj të veçantë të studimit për Drejtësi në Universitetit Europian të Tiranës, ndërkohë që përfundonte Akademinë e Policisë

 

Jonida Burba ka nisur studimet e saj pranë UET në vitin 2006, në kohën kur ishte thuajse në përfundim të studimeve në Akademinë e Policisë. Atëherë ajo po kërkonte të plotësonte edukimin e saj me një fakultet të dytë, por nuk ishte e qartë se ku.

“Krejt rastësisht një ditë teksa ecja në Rrugën e Elbasanit, më ka rënë në dorë një fletushkë me reklamën e një universiteti të ri, të Universitetit Europian të Tiranës. Sapo e lexova, u ndjeva me fat dhe entuziaste dhe kontaktova menjëherë me përfaqësuesit e atëhershëm të UET për interesim. Ajo fletushkë erdhi rastësisht tek unë, pikërisht në momentin kur unë isha duke kërkuar një orientim, një qartësi dhe siguri për edukimin tim. Kam pasur mbështetje të plotë nga familja për këtë iniciativë, edhe pse për mua në atë kohë, përballimi i kostos ekonomike të studimeve përbënte një sfidë; isha shumë entuziaste ta kompensoja atë nëpërmjet një kredie bankare, për të cilin çuditërisht ndihesha e lumtur që po aplikoja”, tregon ajo teksa kthehet prapa në kohë dhe kujton zgjedhjen e bërë. Ai ishte viti i parë i jetës për UET, dhe Jonida i ndoqi studimet në Drejtësi me profil penal të së drejtës publike dhe ndërkombëtare në ciklin Bachelor dhe atë Master.

Jonida thotë se në UET ka gjetur atë çfarë kërkonte, përveç kushteve të ambienteve të universitetit, cilësisë së pedagogëve dhe larmisë së studentëve, ajo çka përbënte dallim për Jonidën, ishte mësimdhënia.

“Duke qenë se vija nga një auditor policor, konservator dhe më autoritar, në UET gjeta atë çka më mungonte nga edukimi policor. Oraret fleksibël të mësimit përbënin avantazhin kryesor të këtij universiteti, i cili u jepte mundësinë studentëve që punonin, të mund të vazhdonin studimet në UET. Biblioteka ishte ambienti im i preferuar i studimit, ishte vendi që më frymëzonte për lexim, më bënte të ndihesha student, ku rregulli, qetësia dhe teknologjia ofronin mundësitë më të mira për një student.”

Ajo shprehet se gjatë kësaj periudhe ka qenë shumë e kënaqur me mësimdhënien, me programet mësimore dhe pedagogët, kjo mbase dhe prej etjes e kureshtjes për të kuptuar dhe për të mësuar sa më shumë në atë profil. Pas përfundimit të studimeve, për Jonidën përballja me tregun e punës rezultoi një sfidë, të cilën e përballoi me mjaft sukses.

“Fillimet e punës sime zyrtare kanë qenë në Policinë e Shtetit dhe njohuritë dhe dijet e përftuara gjatë studimit, më dhanë vetëbesimin e nevojshëm për të njohur mirë ligjin, për ta zbatuar po mirë atë dhe për të ditur rrugën dhe instrumentet e duhura që shërbejnë për të mbrojtur veten dhe të tjerë në përballje me punën. Studimet në UET më ndihmuan në formimin tim personal, në krijimin e një koncepti të qartë të së drejtës dhe të rrugëve që duhen ndjekur për të kërkuar atë, të cilat vlejnë për çdo ambient pune”, pranon Burba. Një moment i veçantë në karrierën e saj u shënjua falë fitimit të gradës “Komisar” gjatë muajit prill të këtij viti, ndërkohë që një eksperiencë e veçantë për të ka qenë edhe periudha gjatë së cilës ajo shërbeu si këshilltare e ministrit të Brendshëm.

“Mund të shpreh se grada e fituar ‘Komisar’ erdhi si shpërblimi i 10 viteve punë në Policinë e Shtetit, ndërsa eksperienca ime në Ministrinë e Brendshme ka qenë mundësia e rrallë për të kuptuar më shumë rreth politikave të institucionit të cilit i shërbej”, shprehet ajo.

Tashmë në pozitën e një ish-studenteje të UET, pjesë e rrjetit Alumni, ajo sugjeron që universiteti ku ka studiuar të sjell edhe më tepër në vëmendje kërkimin shkencor te të rinjtë, ndërkohë që sa u përket studentëve, ajo i inkurajon ata.

“Gjykoj se çdo sektor, organ, institucion apo biznes në Shqipëri ka nevojë për analiza dhe studime të mirëfillta të fakteve, ngjarjeve, apo fenomeneve dhe duhet që universitetet dhe UET të ushqejnë breza të rinj të studentëve me dëshirën për të zhvilluar këto kërkime shkencore. Studentëve u sugjeroj të mbajnë gjallë etjen për të mësuar. Edhe pse teoritë, kur gjendemi në bankat e universitetit, do ju duken larg realitetit, kur përballeni më pas me jetën, gjithnjë ato dije do ju vijnë në ndihmë në një moment që do të keni nevojë për ato. Kur jeni në ata auditorë largoni paragjykimet, shkëputuni nga realiteti i përditshëm që ju rrethon dhe përjetoni me kërshëri njohuritë, rastet dhe eksperiencat që ju transmetohen, në mënyrë që të shijoni studimet në UET dhe veten si student.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *