Fatkeqësia më e fundit natyrore me tërmetin e datës 26 Nëntor jo vetëm tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit public por më së shumti ka future një shoqëri të tërë në ankth dhe në vështirësi të madhe psikologjike. Për të zbutur disi këtë ankth ne kemi pyetur inxhinierët dhe arkitektët të cilët janë pedagogë të Universiteti Europian të Tiranës.

Dr. Ing. Maksim Çipi: Më mirë të parandalosh, se sa të kurosh!” Objektet ekzistues në vendin tonë dhe Vlerësimi i Vulnerabilitetit sismik të tyre

Vendi ynë është i gjithë në një zonë me intensitet mjaft të lartë sizmik, me një numër e tip shumë të madh Ndërtesa e Objekte Civile, Industriale apo të Superstrukturës e Veprave të artit në rrugë, etj të projektuara e realizuara në kohë të ndryshme. Në këtë këndvështrim ato shpesh klasifikohen në “ndërtime të para çlirimit”, “ndërtime të pas çlirimit e deri para viteve ’90” apo “ndërtime të pas viteve ’90 e deri në ditët e sotme88”.
Ky grupim i tyre ka kuptimin e rrëndësinë e tij, për disa tregues e aspekte, si të skemave planimetrike apo funksjonale të kombinuara e në lidhje këto edhe me metodologjinë e ndërtimit apo me materialet e përdorur, të ndryshëm në kohë e zonë realizimi, të rregullave, Rekomandimeve, Normave Teknike apo Ligjore në projektimin, zbatimin e më tej në përdorimin e mirëmbajtjen e tyre, etj.
Kështu, në vecanti për këtë aspekt të fundit, p. sh. mund të vemë në dukje e theksojmë se: • “ndërtimet e para çlirimit”, kryesisht janë ndërtime të ideuara, ndjekura e realizuara direkt nga “Mjeshtër ndërtues” shqiptarë ose janë ndërtime të “porositura jashtë” e pra më tej të realizuar sipas projekteve përkatës;
• “ndërtimet e pas çlirimit e deri para viteve ’90”, janë ndërtime të projektuara, ndjekura e realizuara sipas Normave e Kushteve Teknike Shtetërore, përkatësisht KTP e KTZ e rekomandimeve shoqëruese;
• “ndërtimet e pas viteve ’90 e deri në ditët e sotme”, kryesisht janë ndërtime të projektuara, ndjekura e realizuara sipas normave teknike të projektimit apo zbatimit, të ndryshme, të huaja, në varësi të vlerësimit “individual”, preferencave, pasjes në përdorim, etj të secilit projektues apo Studio Projektimi, etj.

Ndër këto, si me përdorim më të gjërë, mund të përmendim Eurokodet, të cilat ndërkohë nuk janë të njohura ligjërisht në vendin tonë, nuk janë të paisura me Anekset përkatës, etj. Gjithashtu grupimi i mësipërm ka kuptimin dhe rëndësinë e tij edhe sepse jep nocionin e kohës së kaluar që nga ndërtimi i veprës, pra jep vitet jetë të saj. Edhe ky tregues është mjaft i rëndësishëm sepse çdo vepër ka “Jetëgjatësinë” e saj, që mund të përkufizohet si koha, gjatë së cilës e deri në fund të saj, në kushtet normale të marra parasysh në projektimin e tij, objekti duhet ti përgjigjet e plotësojë më së miri gjithë kërkesat për të cilat është ndërtuar, gjithmonë me kushtin e kujdesjes, mirëmbajtjes e riparimit të vazhdueshëm.
Kështu, për të konkretizuar këtë nocion, mund të themi se:
• jetgjatësia e ndërtimeve provizore, si p. sh. e objekteve pjesë të një kantieri ndërtimi, etj presupozohet të jetë jo më e vogël se 10 vjet;
• jetëgjatësia e ndërtimeve të zakonshme, si p. sh. godinave të banimit, etj presupozohet të jetë jo më e vogël se 50 vjet;
• jetëgjatësia e ndërtimeve jo të zakonshme, si p. sh. e urave apo objekteve të vecantë si shkollave, spitaleve, administrative, etj presupozohet të jetë jo më e vogël se 100 vjet, etj.

Sa më sipër tregon rrëndësinë e domosdoshmërinë e mbajtjes nën mbikqyrje të vazhdueshme të Objekteve të ndryshme dhe njohjes të gjëndjes së tyre dhe vlerësimit të aftësisë mbajtëse të tyre në kohë reale. Kjo edhe në kushtet normale të përdorimit e veprimit të ngarkesave, fenomenve dhe eventeve të ndryshme në to e mbi to, e pastaj në mënyrë të veçantë kur këto Objekte i nënshtrohen:
• modifikimit e ndryshimit të funksionint për të cilin janë ideuar, projektuar e realizuar;
• modifikimit e ndryshimit të elementeve e pjesëve strukturore në to;
• evolimit të nocioneve stukturorë, llogaritës, normativë, etj;
• evolimit të kushteve e kritereve të vlerësimeve tekniko/ekonomikë;
• veprimit të eventeve të jashtëzakonshme… si tërmetet, etj.

Por çmund të themi në lidhje me gjithë sa më sipër për Objektet e ndërtimet në vendin tonë, veç “kohës së realizimit” të tyre?
Përveç gjithë sa më sipër, kur edhe në “kushte normale” shfrytëzmi e jetese të objekteve, kemi dukuri, probleme, etj, çmund të presim të konstatojmë në gjithë këto objekte në vendin tonë për të cilat mund të themi “në mënyrë absolute” se, për një kohë mjaft të gjatë të jetës apo gjatë gjithë jetës së tyre, nuk ka patur e nuk i janë nënshtruar asnjë lloj ndërhyrje për mirëmbajtjen, riparimin pjesor apo më tërësor e deri përforcimin “bashkëkohor” të tyre, etj?

E për më tepër e në përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes së tyre, mungesës së ndërhyrjeve të mësipërme “përmirësuese” të mirëmbajtjes së zakonshme apo të jashtëzakonshme, përkundrazi, jemi ndeshur e ndeshemi me ndërhyrje të panumërta “përkeqësuese” mbi gati të gjitha objektet ekzistues, si:
• Shtesë kati dhe/apo shtesa anësore, mbi objektin në tërësi apo mbi pjesë të veçantë të tij;
• Gërmim e thellim me shtesë kati nëntokë apo pjesërisht nëntokë;
• Hapje e kalimeve në muret e jashtëm apo të brendshëm e ndërhyrje në elementëve mbajtës;
• Mbyllje, bllokime, zvogëlime, devijime të rrugëkalimeve ndërmjet objekteve etj; ndërhyrje këto që jo vetëm modifikojnë situatën funksjonale të zonës si dhe pamjen e jashtme apo fasadën e objektit, por shpesh e për fat të keq, prekin edhe strukturën mbajtëse me elementët e saj, kjo pa ndonjë studim, kontroll apo/dhe kriter të mirëfilltë inxhinieriko-arkitekturor e verifikim paraprak të gjendjes dhe sigurisë, duke modifikuar kështu, në përkeqësim, aftësinë mbajtëse të këtyre objekteve.
Për këtë arsye, e sidomos patur parasysh:
• gjendjen e normave dhe kushteve teknike në fuqi, të mos-përditësuara në përputhje me situatat e reja dhe në përputhje me arritjet dhe njohuritë e fundit në këtë fushë;
• perspektivën me domosdoshmërinë e referimin drejt e tek normat dhe kodet Europiane të fushës përkatëse;
sidomos e akoma më tepër pas alarmit të dhënë nga eventi sizmik i ditëve të fundit, del akoma edhe një herë në pah edhe domosdoshmëria dhe rëndësia e “inventarizimit” dhe “vlerësimit të vulnerabilitetit sizmik” në gjendjen e sotme të objekte ekzistues e shprehur dhe kërkuar kjo, edhe nga ana e autorit, disa herë deri më sot.

Në përputhje me tipologjinë e realizimit të objekteve të ndryshme, por edhe në varësi të vendeve me sisteme e metoda të ndryshme në projektimin, zbatimin, mirëmbajtjen, riparimin etj. të tyre, për vlerësimin e vulnerabilitetit sizmik të objekteve ekzistues, janë përpunuar e përdoren Metoda apo Skeda të ndryshme të Vlerësimit të Vulnerabilitetit Sizmik, të cilat në përgjithësi mund të grupohen në:
• Sasiore, me vlerësim në formën numerike, të caktuar apo propabilistike;
• Cilësore, me vlerësim në formën “Vulnerabilitet i lartë/i mesëm/i ulët” etj.. të cilat mund të realizohen
• Metodë Konvencionale, me anë të të cilës arrihen rezultate e konkluzione më të plota e më të hollësishme, por që, nga ana tjetër, kërkon mjaft njohje, investim, impegnim e kohë, etj.; ose
• me Metoda të Thjeshtuara, të cilat krijojnë mundësinë e arritjes në konkluzione, rezultate e zgjidhje të mjaftueshme për klasifikim paraprak e në një kohë pranueshmërisht më të shkurtër.

Sidoqoftë e në çdo rast, rrëndësi ka fakti të arrijmë të realizojmë në një kohë sa më të shkurtër të mundëshme inventarizimin e plotë, të përditësuar e sa më të saktë të objekteve ekzistues, plotësuar kjo edhe në formën e “Kartelës së jetës” për secilin objekt, pas njohjes së gjëndjen reale të tyre deri edhe me vlerësimin e përcaktimin e Vulnerabilitetit sismik të këtyre objekteve, përfshirë efektet e kohës, ndikimin e ndërhyrjeve, modifikimeve e ndryshmeve të bëra në to, etj.

Në këtë mënyrë pra do të bëhet i mundur:
• Realizimi i rilevimit dhe inventarizimit paraprak të objekteve në zonën në studim, me grupime sipas parametrave e të dhënave të secilit prej tyre;
• Përcaktimi i gjendjes aktuale dhe i shkallës së dëmtimit të objekteve ekzistues dhe zonës në studim dhe i mundësisë së shfrytëzimit të tyre me sigurinë e kërkuar;
• Vlerësimi i vulnerabilitetit sizmik të objekteve ekzistues dhe zonës në studim;
• Përcaktimi i përafërt i kostos së riparimeve/përmirësimit/përshtatjes sizmike;
• Hartimi / realizimi dhe paisja e çdo objekti me “Kartelën e jetës”;
• Për cdo objekt në veçanti, për bashkësinë e disa prej tyre në bashkëveprim e deri edhe për zona të tëra në studim e vlerësim, parashtrimi i skenarëve të situatave të mundshme të emergjencës, si ajo sizmike, me qëllim parandalimin në maksimum të efekteve negative në rast të tillë, etj; me qëllimin kryesor e në mënyrë që: në përputhje me kriteret, kërkesat, kushtet tekniko/ekonomike, etj. të mund të planfikohen e merren gjithë masat e nevojshme e të mundshme për parandalimin në maksimum të efekteve negative nga fenomene të tilla emergjence; sepse vlen si gjithmonë që… “Më mirë të parandalosh, se sa të kurosh!”

Prof.Dr Lida Mira: Nevoja për institucionet që të kontrollojnë njëra-tjetrën

Tërmeti i fundit na tregoi se çdo vend nuk është i mirë për tu ndërtuar, aështë ultësira perëndimore vendi ku duhet patur më shumë kujdes pasi edhe kjo është zona që është më prekur nga ana sizmike.

Në çdo vend ku ndërtohet duhen pasur parasysh parametrat ndërtimore. Asgjë nuk është e pamundur, nqs projektohet me profesionalizëm e zbatohet me përpikmëri.

Ka një ndryshim shumë të madh tek ndërtimet kryesisht në Durrës ku një pjesë e ndërtimeve ka patur dëmtime serioze dhe një pjesë jo? Si shhpjegohet kjo?

Nuk mund të flitet dot, pa u parë konkretisht në vend, se cilat kanë qenë aresyet e vërteta të dëmtimeve.
3- Sa të dëmshme janë ndërhyrjet qoftë në katet e para apo edhe shtesat në ndërtimet qoftë të reja por edhe ato ekzistueset?
Ndërhyrjet në ndërtime, të bëra pa kriter, natyrisht që sjellin dëmtime në godina. Normalisht nuk mund e nuk duhen bërë ndërhyrje pa konsultime paraprake me konstruktore profesionistë.
A do duhen në Shqipëri krijimi i dy apo tre institucioneve që të kontrollonin njëra-tjetrën kur vjen puna tek ndërtimet e reja. Pra një ndarje midis atyre që japin leje, atyre që duhet të kontrollojnë cilesinë e punimeve dhe atyre që nuk duhet apo duhet të lejojnë nëse në këtë zonë mund të ndërtohet apo jo?

Eshte e domosdoshme që të ketë institucione profesioniste shteterore që të bëjnë kontrollin e të gjitha ndërtimeve të reja. Këto lloj institucionesh duhet të jene pjesë në studimet urbanistike të zonave të ndryshme dhe pjesë e miratimit të lejeve të ndërtimit.

 

Enkeleida Prifti: projektohet duke patur ne mendje ‘me te keqen e mundshme’ që mund te ndodhi

Tërmeti i fundit na tregoi se çdo vend nuk është i mirë për tu ndërtuar, aështë ultësira perëndimore vendi ku duhet patur më shumë kujdes pasi edhe kjo është zona që është më prekur nga ana sizmike.
Nuk mendoj që tërmeti na tregoi këto konkluzione, të cilat i diktoni në pyetjen tuaj. Megjithatë unë do them pergjigjen në lidhje me zonimin. Ka një moment universal që vlen për të gjitha zonat, që është KUJTESA HISTORIKE për FATKEQËSITË NATYRORE në lidhje me çdo lloj zone. Pra, jo vetëm në lidhje me sizmicitetin, por në lidhje me fenomene të tjera si përmbytjet nga përrenj e lumenj, rrëshqitjet e dherave që natyralisht ndodhen mbi sipërfaqe shkëmbore që quhen në gjuhën gjeologjike :pasqyra. Apo fenomene të tjera si tajfune, uragane, batica e zbatica të forta që sjellin përmbytje të zonave të banuara pranë këtyre lloj gjireve detare etj.
Nëse eksperienca njerëzore ka mbajtur shënime edhe sheh që diku përsëriten vazhdimisht fenomene të caktuara, dhe zona të banuara vazhdimisht janë shpërngulur prej andej, atëherë është e mira që mos investohet për planifikim urban të çfarë do lloji qofshin këto. Eksperienca edhe e ndërhyrjeve më të sofistikuara inxhinierike ka treguar që është pothuajse e pamundur të ndryshosh rrjedhen e këtyre fenomeneve natyrore që janë agjentë që ndikojnë në pjesë të ndryshme të strukturave. Pra kjo shkurtimisht për sa i përket agjentëve natyrore. Pastaj kalojmë tek tabani mbi të cilin ndërtojmë gjë që është shumë e rëndësishme. Madje edhe fëmijet dinë përmes përrallave që kur e ndërton shtëpinë në rërë dhe prej kashte sigurisht që nuk është e qendrueshme.( Përralla e 3 derrkuckave)
Po lind pyetja? A ka një vend në rruzullin tokësor ku nuk ka asnjë prej fenomeneve edhe është absolutisht i paqtë në çdo stinë? Me siguri do qe e vështirë për tu gjetur një i tillë, e për këtë arsye është e llogjikshme përse janë shpikur zgjidhje të ndryshme inxhinierike . Për kushte të ndryshme fillestare, aplikohen zgjidhje të ndryshme inxhinierike. ‘Fenomen’ pothuajse i harruar totalisht prej specialisteve edhe sigurisht i panjohur për popullin e thjeshtë.
Ultesira Perendimore e vendit ështe zonë e gjerë edhe shtrihet mes detit Adriatik dhe vargmaleve të Skëndërbeut, dhe është zonë e bukur për të jetuar. Problemi që gjithnjë duhet ti druhen edhe të ndërgjegjësohen njerëzit, është edhe njëherë lloji i strukturës që përdoret. Nuk mund të kemi të njëjtën strukturë në bregun e detit me taban rëre me atë që mund të kemi në një kodër shtufi siç është zona e Currilave, ku historikisht ka qenë thjeshtë pikë furnizimi me argjile për poçeri (kjo është arsyeja pse për shumë vjet ka qenë ndërtuar sipër saj vetëm Fabrika e Tullës). Edhe të njëjtën gjë p.sh diku më futur në brendësi siç është zona e kodrave të Laçit. Sipas shkencës së konstruksiove duhet të aplikohen ndërtime me struktura të ndryshme. Me pas sigurisht janë edhe parametra të tjerë të shumtë që duhen patur parasysh ne përllogaritjen e tyre, por përveç këtyre e rëndësishme është në gjuhën e thjeshtuar numri i kateve që ndërtohen.

Kjo në fakt duhet ilustruar edhe me zgjidhje konkrete të aplikuara në botën e qytetëruar që bën shkencë në fushën e ndërtimit. Kjo është arsyeja se përse në disa zona sizmike aktive, aplikohen konstruksione të ulta prej strukture druri. Apo përse diku, ku ka erëra të forta në vend të tjegullave pëdoren luspa linoleumi për mbulimin e çative etj. Pra projektohet duke patur në mëndje ‘më të keqen e mundshme’ që mund të ndodhi.
Ka një ndryshim shumë të madh tek ndërtimet kryesisht në Durrës ku një pjesë e ndërtimeve ka patur dëmtime serioze dhe një pjesë jo? Si shhpjegohet kjo?

Personalisht me aq sa kam ndjekur , mendoj se edhe në Durrës ka zonim të brendshëm. Kryesisht ndërtimet e 30 viteve të fundit janë zgjidhje e gabuar urbane! Në disa zona nuk duhej ndërtuar as edhe me leje ndërtimi. Kjo për arsye se ashtu si dhe ne shumë qytete të tjera nuk mund të ndërtohet pa pasur një zonifikim total të qytetit/fshatit që projektohet nga urbanistët edhe jo nga zanatçinj të tjerë që punojnë në urbanistike me etapa fushatash.

Zonifikimi lehtëson jetën e të gjithëve sepse i vendos rregullat e ‘lojës’ që në fillim, edhe nuk mbetet çështja në dorë as të injorancës , kjo në rastin më të mirë edhe as në dorë të sharlatanëve në rastin më të keq siç ka ndodhur rëmdom. Edhe pas zgjidhjes totalisht të gabuar urbane , kemi edhe njëherë zgjidhje të gabuara konstruktive (mendojmë gjithnjë si ndërtuesit edhe populli se beton/ i armuar është struktura me rrezistente e mundshme, kombinuar kjo pastaj me cilsëinë e zbatimit dhe cilësinë e materialeve të përdorura.

Sa të dëmshme janë ndërhyrjet qoftë në katet e para apo edhe shtesat në ndërtimet qoftë të reja por edhe ato ekzistueset?
Janë shumë të dëmshme, sidomos kur bëhen nga “muratori i lagjes” i cili ska asnjë lloj kategorie . E me që ra fjala, as Ministria që përgjigjet për Ndërtimin, nuk e kujton më prej vitesh dhe si di çdo të thotë të jesh: murator, hidraulik, elektricist etj. i kategorisë X. Më e mira është të projektohet që në zanafillë sië e deshirojnë edhe jo të modifikohet. Unë gjithnjë rekomandoj dhe sygjeroj që kur nuk e pelqejnë një zgjidhje tipologjike, të ikin të kërkojnë derisa ta gjejnë edhe jo të ndryshojnë të parën që ju del përpara. Ndërhyrjet me të rrezikshme janë në ndërtimet më të vjetra. Unë përdor parimin e shkruar prej shekujsh: “Nje andrim i ri e shqyen pëlhurën e vjetër!”

A do duhen në Shqipëri krijimi i dy apo tre institucioneve që të kontrollonin njëra-tjetrën kur vjen puna tek ndërtimet e reja. Pra një ndarje midis atyre që japin leje, atyre që duhet të kontrollojnë cilesinë e punimeve dhe atyre që nuk duhet apo duhet të lejojnë nëse në këtë zonë mund të ndërtohet apo jo?

Këtu ka 30 vjet që ansnje nuk degjojne askënd, sepse ashtu u leverdisi. Ka modele shumë të thjeshta e shumë praktike në shërbim të mirëqënies së popullit edhe që rregullojnë edhe zinxhirin e kontrollit të gjerave shumë kollaj, pa pasur nevojë ti lemë gjërat në përgjegjësinë” në numrin shumës ” të grupeve që “duhet të spiunojnë” njeri-tjetrin. Siç po e shohim këto lloj “sistemesh” nuk na kanë edhe nuk po na zgjidhin asgjë, përveçse po rëndojnë faturën e taksave të popullit që paguan rrogën e pjesës tjetër të sharlatanëve – ‘mjeshtra pazaresh’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *