Budini: Nga fqinjësia me Artet e Humanitetet, ja kush përfiton

Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale është fakulteti më i madh i UET për nga numri i programeve të studimit, profileve dhe lëndëve që ofron. Dekania Budini tregon më tepër mbi cilësitë e këtij fakulteti dhe avantazhet që ai krijon për studentët.

Këtë vit akademik, Universiteti Europian i Tiranës vjen me një ofertë të zgjeruar, të një karakteri universal. Pjesë e ristrukturimit është bërë edhe Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, që përfshin një shumëllojshmëri degësh, që nga gama e plotë e Humaniteteve, tek artet.
Mendoj se ne si fakultet jemi me shumë fat që kemi mundësinë të ndajmë jo thjesht disiplina studimi, por pasione të tilla si muzika, filmi, piktura apo edhe letërsia, gjuhët, komunikimi dhe deri te psikologjia e sportet, brenda të njëjtit fakultet. Është një shans i rrallë për të ndërvepruar dhe për t’i jetuar studimet, jo thjesht për t’i kryer ato”, shprehet Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, njëkohësisht drejtuese e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET. Ky fakultet është një ndër më aktivët në UET, duke zhvilluar përgjatë vitit një numër të madh aktivitetesh, që nga leksionet e hapura me të ftuar personalitete të fushave të ndryshme tek organizime si Anuarët e Filozofisë që bën bashkë studiues dhe dashamirës të filozofisë, Kolonia e Artit që promovon talentin e të rinjve në artet pamore, workshop-e dhe seminare të ndryshme, si New Media Trends që ka në fokus komunikimin, Ditët Letrare të Razmës për letërsinë etj.
Dekania Budini tregon më tepër mbi cilësitë e këtij fakulteti të ristrukturuar, si dhe avantazhet që ai krijon për studentët e tij.

U bë tashmë një vit nga ristrukturimi dhe zgjerimi i UET, nga tre në pesë fakultete, dhe Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale ka në ofertën e tij akademike një numër të madh degësh dhe profilesh, prej të cilave mund të zgjedhin maturantët. Duke marrë parasysh këtë fakt, përse është i rëndësishëm ndërdisiplinariteti për ata që mendojnë të studiojnë në këtë fakultet?

Aplikimi i parimit të ndërdisiplinaritetit për të cilin ju pyesni është në radhë të parë kërkesë e mjedisit profesional dhe tregut të punës, por edhe një sfidë e mjedisit akademik. Me zgjerimin e departamenteve dhe krijimin ose riorganizimin e fakulteteve të UET, është rritur edhe numri i degëve të studimit që ofrohen, por mbi të gjitha numri i profileve ose kombinimeve për çdo diplomë studimi, si në nivelin Bachelor dhe në ato të Masterit Profesional dhe Shkencor. Aty ku studentët zakonisht kanë pasur mundësinë të zgjedhin një lëndë, tani kanë mundësinë që të zgjedhin një grup-lëndësh, që nënkupton një profil të plotë studimi. Pra zgjedhja është bërë më e plotë dhe e orientuar drejt një profilizimi të studimeve, me më tepër dobishmëri dhe përfitim për studentët.

Duhet theksuar se nga fqinjësia me Artet dhe Humanitetet përfitojnë shumë edhe studentët e programeve të tjera të studimit brenda fakultetit, si për shembull studentët e Komunikimit, të cilët tanimë do të kenë mundësi të kombinojnë studimet e tyre në këto drejtime, sipas dëshirës, duke zhvilluar aftësi ndërdisiplinare edhe në TV-Multimedia, Dizajn, apo Shkrim Krijues, përveçse në Gazetari dhe në Marrëdhënie Publike. E njëjta gjë vlen edhe për studentët e Historisë, Filozofisë, Religjionit apo Letërsisë dhe Arteve që do të mund të kombinojnë studimet e tyre me profilizime praktike në Gazetari dhe Media të reja ose Marrëdhënie Publike. Përfitimi është gjithashtu konkret për studentët sa u përket hapjes së lëndëve të reja në këto disiplina duke pasuruar, diversifikuar dhe bërë shumë më tërheqëse kurrikulën universitare në të gjitha nivelet. Mendoj se ne si fakultet jemi me shumë fat që kemi mundësinë të ndajmë jo thjesht disiplina studimi, por pasione të tilla si muzika, filmi, piktura apo edhe letërsia, gjuhët, komunikimi dhe deri te psikologjia e sportet, brenda të njëjtit fakultet. Është një shans i rrallë për të ndërvepruar dhe për t’i jetuar studimet, jo thjesht për t’i kryer ato.

Nga pikëpamja akademike dhe administrative, ndërdisiplinariteti kërkon menaxhim dhe organizim të lartë dhe për këtë arsye na janë dashur disa vite projektim dhe organizim derisa e bëmë të mundshëm. Po kështu, mjaft kohë ka marrë edhe procesi i ndërtimit të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, që është fakulteti më i madh i UET për nga numri i programeve të studimit, profileve dhe lëndëve që ofron. Është një lajm i mirë që tanimë UET në tërësi dhe fakulteti ynë në veçanti, kanë zgjeruar ofertën akademike me degë të reja studimi në drejtim të shkencave humane, ku përveç komunikimit, ofrohen edhe diploma në letërsi, gjuhë të huaja, filozofi, histori dhe studimet të religjionit. Po kështu, edhe në Departamentin e Edukimit për herë të parë janë aplikuar diplomat në drejtime si sportet, mësuesia për arsimin fillor dhe të mesëm, psikologjia klinike, këshillimore, organizacionale dhe deri te sportet. Në drejtim të arteve të aplikuara, që përbëjnë një departament më vete, është riorganizuar programi i studimit në Dizajn, duke u integruar në Arte Pamore me më shumë profile dhe orientim praktik, por janë hapur edhe programe të reja që nga diploma profesionale në Dizajn-Modë, deri tek artet e aplikuara muzikore dhe ato skenike, si në nivelin Bachelor edhe në atë të Masterit të Arteve me Skenografinë, TV-Multimedian, Histori dhe Kritikë Arti etj. Kombinimet me humanitetet vijnë kësisoj natyrshëm në këto programe dhe profile studimi mes arteve, komunikimit dhe historisë e kulturës.

Lajmi tjetër i mirë është se me gjithë zgjerimin e ofertës, struktura e departamenteve dhe ajo e fakulteteve kanë ruajtur kompaktësinë e nevojshme, që lejon menaxhimin e tyre me sa më tepër eficiensë. Kjo do të thotë që studentët do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të afërta dhe të kombinuara të studimeve, brenda departamentit dhe fakultetit dhe procesi mësimor i tyre do të administrohet gjithsesi brenda së njëjtës strukturë organizative bazë, me të cilën ata do të kenë mundësi të familjarizohen dhe madje të përfshihen në mënyrë aktive përmes mbledhjeve të hapura, klubeve studentore dhe aktiviteteve në nivel departamenti dhe fakulteti. Panairi i Punës për fakultetin tonë, që pritet të zhvillohet në fund të muajit maj, do të jetë vendtakimi i radhës si një mundësi për të zgjeruar këndvështrimin për aplikueshmërinë e këtyre profesioneve, që perceptohen gabimisht si jo të tregut, ndërsa nevoja për to vjen gjithnjë në rritje që nga psikologjia organizacionale për korporatat dhe bizneset apo ajo klinike për klinikat e shëndetit mendor dhe deri tek entet botuese, mediat, OJF-të, agjencitë e reklamave dhe të PR-it etj.

Çfarë është bursa “Kadare” dhe ku konsiston akordimi i kësaj burse për maturantët?

Bursa që mban emrin “Kadare” vjen si mbështetje e investuar simbolikisht nga vetë shkrimtari Ismail Kadare me rastin e hapjes për herë të parë në një universitet privat shqiptar të programeve të dijes sikurse janë studimet në fusha të tilla si Filozofia, Historia, Linguistika, Letërsia, apo Studimet Religjioze. Në kushtet kur tregu nuk është aq dashamirës ndaj këtyre degëve, UET në një farë mënyre i ka vetëfinancuar këto degë të ashtuquajtura “sokratike”, duke themeluar bursat “Kadare” (rreth 500 të tilla, dedikuar programeve në shkenca humane), për të cilat UET është licencuar.

Duke qenë se Shkencat Humane janë pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare, pa të cilat nuk mund të kuptohet madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike, këto programe do të ushqejnë me subjektet e tyre dhe dije të qëndrueshme edhe diplomat e tjera praktike dhe të disiplinave të tjera. Lëndët e formimit të përgjithshëm si filozofia, historia apo gjuha shqipe që burojnë nga shkencat humane janë tashmë pjesë e integruar e kurrikulës së çdo programi studimi në UET.

Kërkesat e maturantëve në ditët e sotme janë kryesisht të orientuara drejt degëve të tilla si inxhinieritë, informatika apo biznesi. A përbën kjo në vetvete një sfidë, veçanërisht duke konsideruar faktin që iniciativa e ofrimit të Humaniteteve vjen nga një universitet privat? 

Maturantët do të kenë mundësinë të përfitojnë bursa të plota studimi në drejtimet e lartpërmendura të shkencave humane, si një e mirë publike, edhe pse do të përfitojnë të gjitha shërbimet dhe avantazhet e edukimit të një strukture private. Ky sponsorizim i shkencave humane në UET synon të ndryshojë perceptimin për këto drejtime studimore, duke i sjellë ato në kohë, të modernizuara dhe sa më afër aplikueshmërisë së tyre shoqërore dhe praktike. Ne i kemi themeluar këto degë atëherë kur më pak pritej që kjo të ndodhte, duke synuar të zgjojmë interesin për letërsinë, filozofinë, studimin e gjuhëve dhe religjionit apo arteve, në një kohë kur sikurse u shpreh Kadare gjatë bisedës për komunitetin akademik të UET me rastin e hapjes së këtyre programeve, i jemi larguar si shoqëri asaj që është shpirtërore, duke hyrë në një krizë krijuese dhe identitare. Në këto kushte, bëhet gjithnjë e më e nevojshme që ne të kemi dhe të përforcojmë programe të tilla studimi, duke e kthyer këtë nismë në një dobi tërësisht publike.

Zgjerimi i UET e bëri të mundur këtë zhvillim pionier për arsimin e lartë privat në Shqipëri, duke uruar që të pasohet edhe nga universitetet e tjera në vend. Në kushtet kur degët e tregut që ju përmendni që nga biznesi, informatika dhe deri tek inxhinieritë, e kanë të garantuar kontingjentin e studentëve, pa dyshim që ofrimi i studimeve në shkenca humane përbën një sfidë për sa i përket zgjimit të interesit dhe tërheqjes drejt edukimit human, krijues dhe artistik. Mirëpo u takon mjediseve universitare ta ruajnë dhe ta kultivojnë interesin për këto drejtime studimi, duke i përshtatur ato me kohën. Në përgjigje të kësaj sfide, ne i kemi riformatuar këto programe studimi duke ofruar për herë të parë profile të tilla studimi si Shkrim Krijues apo Filozofi Politike, Histori dhe Kritikë Arti apo gjuhët e huaja të lidhura me studimet bazë në linguistikë, duke synuar aplikueshmërinë e tyre në proceset krijuese, ato politike dhe të kritikës letrare apo të përkthimit dhe editimit, si edhe të menaxhimit dhe vlerësimit të projekteve për secilin prej këtyre drejtimeve. Të gjitha këto janë jo thjesht mundësi studimi, por edhe pjesë të industrive dhe kërkesave të tregut për ekspertë në këto drejtime që nga mediat dhe entet botuese deri te partitë politike dhe organizatat jofitimprurëse, apo mjediset artistike dhe krijuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *