Perlat Çaushi

Fillesat e dramës

Le tё nisim duke parashtruar shkurtimisht atё që ndodhi… Aty nga mesi i vitit 1981, djali i kreut të qeverisë, Skёnder Shehu, me miratimin e prindërve tё tij, lidhi normalisht fejesën me Silva Turdiun, njё vajzё e mrekullueshme, nga njё familje e nderuar intelektuale.

Fejesa u bё me miratimin e prindërve, Mehmet Shehut dhe gruas sё tij, Fiqretes. Por familja e vajzës kishte disa “cene” tё karakterit politik, jo të vogla, lidhur me njё xhaxha dhe njё dajё, që të dy tё arratisur dhe me vendndodhje në Amerikë!

Kjo martesë do të ishte kryekëput nё kundërshtim me parimet e luftës sё klasave. Aq mё tepër qё në këtë rast, babai i dhëndrit ishte jo dokushdo, por Kryeministër dhe figura e dytё nё parti! Ishte pikërisht ai qё po i shkelte ato parime.

Kjo lidhje shkaktoi komente dhe debate nё popull, pёr shkak se rregullat e hekurta ideologjike e ndalonin njё bashkim tё tillё. Pavarёsisht thashethemeve, qё me siguri i kishte dëgjuar, i pari i vendit, Enver Hoxha, shkoi nё shtёpinё e Mehmetit pёr ta uruar me rastin e kësaj fejese. Aty, Enveri dhe Nexhmija, folën me nota pozitive pёr atin e vajzës, Qazim Turdiun, pedagogun e matematikës në Universitetin Shtetëror.

Shtrohet pyetja: çifti Hoxha e dinte biografinё e asaj familjeje dhe megjithatë, burrë e grua nxituan pёr ta uruar fejesën dhe pёr ta bёrё kёtё tё fundit njё akt tё pranuar?! Ka shumë të dhëna që ata duhet ta dinin, meqënëse Qazim Turdiu u kishte dhёnё mёsim edhe fёmijëve tё çiftit.

Gjatë vizitës u shkëmbyen biseda të tilla që dëshmojnë se, qoftë Enveri, qoftë edhe Nexhmija, jo vetëm kishin dijenitë e plota rreth familjes Turdiu, por shprehën dhe konsiderata për të! Veç këtyre, Drejtoria e Zbulimit nё Ministrinё e Punëve tё Brendshme, duke informuar herё pas here kreun e partisë pёr veprimtarinё e emigracionit politik jashtё shtetit, nё raportet e saj kishte informuar edhe pёr vёllain e Qazimit, xhaxhain e vajzës, Ramazan Turdiun, një element aktiv në qasjet e tij antikomuniste.

Në popull kjo ngjarje u bë tema e ditës. Nën zë shprehej habia se si qe bërë e mundur, që një pushtetar i ashpër dhe konservator, si Mehmet Shehu, të pranonte një lidhje të tillë, në kundërshtim flagrant me vijën ideologjike të partisë së tij?!

Perlat Çaushi

Por, le tё mos i paragjykojmë dhe le tё mos hamendёsojmё se çifti i parë i vendit, Enver dhe Nexhmije Hoxha, ishin nё dijeni tё “ceneve” tё familjes Turdiu dhe qëllimisht e lanё qё Mehmeti tё shkiste nё kёtё gabim, pёr tё gjetur më pas pretekstin pёr ta goditur atë. Drejtoria e Sigurimit tё Shtetit, kundërzbulimi, nё mёnyrё periodike i dërgonte Enver Hoxhёs informacione mbi “agjitacionin dhe propagandёn” dhe mbi parullat armiqësore qё qarkullonin nё popull. Ai informohej për gjithçka.

Por ç’ndodhte me komentet rreth fejesës që murmuriteshin dhe shkëmbeheshin në mes të njerëzve të thjeshtë?

Njё mëngjes, teksa ndodhesha nё zyrën e ministrit tё Punëve tё Brendshme tё asaj kohe, Feçor Shehut, tingëlloi zilja e telefonit sekret. Ishte Enver Hoxha, i cili me njё nervozizëm tё papёrshkruar dhe duke folur me zë të lartë i tha ministrit: “Çjanё kёto paçavure qё mё dërgon?!” Fjala ishte pёr buletinin qё i dërgohej periodikisht të parit të vendit. “Përse nuk mё bën me dije, ç’flitet nё popull pёr fejesën e djalit tё Mehmet Shehut, por mё informon pёr broçkulla?!”.

Megjithёse Feçori m’u duk se pёsoi tronditje nga ashpërsia e qortimit të eprorit të tij, pati guximin qё t’i përgjigjej: “Shoku Enver, neve me platformё na ndalohet tё mbledhim tё dhёna pёr njё anëtar partie tё thjeshtë, pa marrё miratimin nga partia, jo mё pёr njё anëtar tё Byrosë Politike që është dhe Kryeministër i vendit.”

Fundi i bisedës, dua të them, atё çka tha Enveri, ishte tepër e ashpër dhe kёrcёnuese. Dhe mbyllja e zhurmshme që i bëri telefonit nga zyra e tij, na dha një efekt ogurzi.

E pёrmenda kёtё episod pёr tё treguar se Enveri tashmё kishte dijeni, dhe e dha sinjalin se po priste me ngulm që t’i dёrgonin materiale, jo vetëm pёr ngjarjen qё kishte ndodhur, por diçka mё shumё për shtrëngatat që do të pasonin.

Ministri, pa e vazhduar bisedёn me mua, thirri në zyrё zëvendësin e tij dhe shefat kryesorё tё Drejtorisё sё Sigurimit pёr t’i transmetuar porosinë pёr grumbullimin e tё dhënave mbi komentet qё bёheshin nё popull pёr fejesën e sikletshme. Sigurisht, kjo desh tё thoshte, marrjen e njё serie masash, ndёr tё tjera dhe orientimin qё duhej t’i jepej rrjetit agjenturor.

Pas njё bisede tё vështirë mes dy krerëve, Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhёs, fejesa u prish. Enveri filloi t’i kёrkonte llogari Mehmetit pёr kёte gabim të rëndë, në të cilin pat shkelur njeriu i tij më i afërt. Me kaq, ajo qё ndodhi, edhe mund tё mbyllej brenda për brenda Byrosë Politike, duke gjetur njё formulё pёr konsum nё popull dhe nё parti. Kёshtu do tё mund të ishin evituar ngjarjet qё vijuan pas.

Por, me sa dukej, i pari i vendit nuk e dёshironte kёtё zgjidhje.

Sipas tё gjitha gjasave, gjykuar dhe nё zhvillimet e mёvonshme, ai nuk donte qё t’i shpëtonte zogu nga dora, pra desh t’i shkonte deri nё fund skenarit tё tij, me fjalё tё tjera, eliminimit tё Kryeministrit të vendit. Kjo bёri qё lideri i partisë tё mos parashikonte dot tё gjitha variantet e rrokullisjes të ngjarjeve mё vonё, aq mё pak vetëvrasjen.

Meqenёse kjo ngjarje ndodhi nё prag tё Kongresit tё 8-tё partisë, Enveri nuk e “gërvishti” mё tej problemin, nga frika se njё veprim i tillё mund tё shkaktonte shqetësime gjatё këtij evenimenti. Pra, ai e la qё me ngjarjen e pahijshme, tё merrej pas kongresit. U fol se Mehmeti i pat kërkuar Enverit, që nё kongres ta lejonte shokun e tij të armëve tё bёnte autokritikё për ndodhinë e papëlqyer, por shefi i partisë nuk e lejoi, sepse njё veprim i tillё do të devijonte punimet e kuvendit të madh të partisë. Dhe, më keq akoma, çёshtja mund tё mbyllej me aq, zgjidhje tё cilёn Enveri nuk e dëshironte aspak.

Siç u vu re nga tё gjithё pjesmarrësit nё kongres, por dhe nga populli i thjeshtë, u duk fare hapur ngërçi mes dy tё mёdhenjve. Kёtё ngërç kongresistët nuk e përtypën dot lehtë, sepse ishin mësuar njё jetё tё tёrё tё dëgjonin pёr unitetin nё parti, aq mё shumё nё udhëheqjen e saj.

Sikur tё mos kishte ndodhur asgjë, Mehmeti, si edhe nё kongreset e tjerë, u zgjodh anëtar i Byrosё Politike.

Por nё parti dhe nё popull “kazani” vazhdonte tё vlonte.

Kryeministri kërkon ndjesë

Ashtu si nё rastet e tjera analoge, Sekretari i Parë e dha sinjalin dhe nisi përpunimin e anëtarёve tё Byrosё Politike, pёr tё mbajtur njё qëndrim tё ashpër ndaj Mehmetit. Dhe kjo u realizua nё mbledhjen e Byrosё tё mbajtur mё 17 dhjetor 1981.

Por përpara kësaj mbledhjeje, Mehmetit iu kërkua dy herё qё tё bёnte autokritikё.

Dhe Mehmeti iu bind kërkesës.

Nё parashtrimet e tij të vetëfajësimit të parë, Mehmeti, si arsye qё e çuan nё kёtё gabim pёrmendtte ekzistencёn e disa elementёve negativё nё karakterin e tij si, “sentimentalizmin e theksuar, të tepruar dhe jashtë logjikёs, pёr djalin e dytё, Skënderin” , “karakterin e vet të rrёmbyeshёm, shumё herё impulsiv, nё jetё, nё punё dhe nё marrjen e vendimeve”; “ndjenjën e imunitetit të plotë ndaj influencës sё armikut tё klasës”; “subjektivizmin dhe njёanshmёrinë…”; “ashpërsinë e tepruar në metodën e punës…”; “mbylljen nё vetvete kur ishte rasti pёr çёshtjet e tij familjare…”; “shkarjet nga parimi i shikimit tё çështjeve edhe si çёshtje shoqërore,edhe si çёshtje partie…”; “shfaqjet e mёndjemadhёsisё…”; e të tjera.

Kjo autokritikё Enverit nuk i pëlqeu dhe ia hodhi poshtё shfajësimet vartësit të tij. Ndёr tё tjera ai i shkruan Mehmetit qё “t’u bёnte njё analizё mё tё thellё elementёve negativё, sepse aty ai do tё gjente arsyen e vёrtetё tё gabimeve”.

Mehmeti formuloi autokritikën e dytё.

Pёrmbajtja e saj nё vija tё përgjithshme ishte pothuajse si e para, por mё e zgjeruar. Sipas gjasave, Kryeministri po e kuptonte se po i mblidhej laku. Mehmeti angazhohej dhe jepte premtime, se do të luftonte me tё gjitha forcat pёr t’i bërë të harroheshin kёto gabime. Bie nё sy, qё kreu i qeverisë mundohej qё tё zbuste sadopak ashpёrsinё e udhëheqësit të partisë, duke i thёnё: ”Me kёtё rast si komunist, unё do tё dёshiroja tё shpreh kёtu njё ndjenjё qё mё buron nga zemra dhe tё them se unё i jam dhe do t’i jem mirёnjohёs pёr jetё shokut Enver, i cili sa e mori vesh çështjen menjёherё veproi siç duhej vepruar, si udhёheqёs revolucionar, si mësues marksist-leninist, por edhe si shok dhe vёlla… Shoku Enver ka bёrё aq shumё edhe pёr familjen time. Dhe jo vetёm sot, por kurdoherë…”

Pas kësaj autokritike, Enver Hoxha shkroi një letër dhe ua dërgoi atë të gjithë anёtarёve tё Byrosё Politike. (Pjesë nga libri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *