UET – Open Week 2018-2019: Çfarë është Java e Hapur në UET
Çfarë është Java e Hapur në UET, Kalendari
Universiteti Europian i Tiranës organizon Javën e Hapur, përgjatë së cilës do të zhvillohen një sërë aktivitetesh me fokus studentët, prindërit dhe shoqërinë.
“Open Week” filloi me inaugurimin e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, ditën e hënë. Në këtë organizim u lançua edhe Çmimi i Inovacionit UET që do të jepet në shkurt të vitit 2019. Ky çmim shkon për maturantët talentë të cilët do të kenë një ide inovatore në fushat e inxhinierisë, informatikës dhe arkitekturës, që përfaqëson ky universitet.
E marta vazhdon me traditën tashmë të konsoliduar të Forumeve UET. Ky takim këtë herë i përket një hapje përtej universitetit në bashkëpunim me fondacionin ‘Konrad Adenauer’ ku i ftuar do të jetë nga liderët e ‘Konrad Adenauer’ për 29 vjet në Turqi, dr. Colin Dürkop, i cili do flasë për marrëdhëniet e Ballkanit me Europën dhe Marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën.
Ndërkohë që dita e mërkurë rezervon një prezantim të studentëve me diplomat profesionale të cilat janë risi e këtij viti akademik. Diplomat profesionale janë pesë: Aplikime Informatike, Dizajn i Aplikuar dhe Modë, Kontabilitet, Menaxhim dhe Turizëm. Studentët dhe të interesuarit do të mund të njihen më mirë me karakteristikat e tyre, mënyrën se si funksionojnë dhe çfarë ofrojnë.
Dita e enjte dhe e premte përbëjnë ditët e orientimit për studentët. Të gjithë të regjistruarit në UET, në të gjitha degët dhe fakultetet e tij, do të kenë mundësinë të njohin më shumë universitetin që kanë zgjedhur. Po në këtë ditë, një tjetër target-grup i rëndësishëm për UET, prindërit e studentëve, merr vëmendjen e merituar në një ‘forum’ të organizuar enkas për të dëgjuar zërin e tyre, kërkesat që kanë ndaj universitetit si dhe pritshmëritë e tyre ndaj tij.
Aktivitetet vazhdojnë edhe të premten. Këtë herë në kuadrin e ditës Erasmus Day në Ballkan. UET zhvillon një takim me gjithë studentët Erasmus që kanë kryer një apo më shumë semestër studimi në universitetet perëndimore të cilat janë po ashtu pjesë e këtij programi të shkëmbimit studentor. Ashtu siç ndodh çdo të premte, edhe përgjatë kësaj jave do të zhvillohet promovim libri. Këtë herë, bëhet fjalë për një libër me autor presidentin e UET, prof. dr. Adrian Civici, si dhe Dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Selami Xhepa. Ky libër vjen në kuadrin e tetorit gjerman, ka në fokus personazhin Konrad Adenauer në një shumësi aspektesh.
Kalendari
E Hënë, 8 Tetor: Lançimi i Çmimit të Inovacionit dhe prezantimi i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës
E martë, 9 Tetor: Forumet UET – I ftuar Drejtori i Konrad Adenauer Dr. Colin Durkop
E mërkurë, 10 Tetor: Prezantimi i Programeve Profesionale 2-vjeçare
E enjte, 11 Tetor: Diskutimi ‘Industria e Turizmit dhe nevoja për burime njerëzore’
E enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale
Enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
E enjte, 11 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit
E Premte, 12 Tetor: Erasmus Day
E premte, 12 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës
E premte, 12 Tetor: Orientimi i studentëve për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike
E premte, 12 Tetor: Promovimi i librit “Shënime për Adenauerin”