[:en]Sindi Shllaku: Si ndryshoi jeta ime nga studimet në UET[:]
[:en]
Sindi Shllaku: Si ndryshoi jeta ime nga studimet në UET
Sindi Shllaku, studente pranë Universitetit Europian të Tiranës, tregon se vendimi i saj për t’u dhënë një shans të dytë studimeve të larta, i ndryshoi jetën
Dilemat që shoqërojnë maturantët në zgjedhjen e universitetit dhe degës së studimeve janë të shumta. Një pjesë e tyre bëjnë zgjedhjen e duhur, ndërsa për disa të tjerë ekziston një mundësi e dytë… Viti i parë i studimeve në universitet nuk ishte një eksperiencë, të cilën Sindi Shllaku e kujton me dëshirë, përkundrazi ajo shprehet se për të, kjo ka qenë një periudhë mjaft e vështirë.
“Zgjodha të studioj në një nga universitetet publike të vendit, për një degë të cilën nuk e kisha pasion. Ishte një vendim i ndërmarrë impulsivisht, por që me kalimin e kohës më pezmatoi shumë. Kur u përballa me realitetin se po studioja diçka që nuk më pëlqente fillova të ndihesha shume pesimiste, për më tepër që ambienti nuk ishte ashtu siç unë e prisja. U përballa me pedagogë jo mbështetës dhe me mësimin që nuk zhvillohej rregullisht.”
Shllaku rrëfen se ky ishte një moment përgjatë të cilit ajo u tërhoq në vetvete, vendosi që thuajse në përfundim të vitit të parë, të largohej dhe të formohej në mënyrë të pavarur me disa kurse private. Duke parë vendimin e Sindit, disa prej miqve të saj i sugjeruan të shihte një degë tjetër, në një universitet tjetër.
“Disa prej miqve dhe të afërmve të mi kishin studiuar në Universitetin Europian të Tiranës. Më sugjeruan të hulumtoja më tepër për të, të bindur se në këtë universitet do të mund të gjeja veten. E shtyrë nga kureshtja fillova të informohem më tepër, pashë rrjetet sociale, si dhe website-in e UET dhe vura re që ishte një universitet me pedagogë në zë, por edhe i karakterizuar nga një jetë aktive studentore, me shumë aktivitete, ku ato që më tërhoqën më tepër ishin forumet e përhershme dhe klubet studentore. Pasi u mendova gjatë vendosa të aplikoj për të qenë pjesë e UET”, thotë Sindi.
Pranon se në fillim kishte ende pasiguri, në rast se kjo do të qe zgjedhja e duhur për të. Vitin e parë të studimit për degën Menaxhim Biznesi, e cilëson si pikënisjen e një rrugëtimi të gjatë ku ende sot, është në kërkim të vetes dhe në zhvillim të pasioneve të saj.
“Më shoqëronte ende disi stresi i zgjedhjes sime të parë, nuk kisha dëshirë të zhgënjehesha për herë të dytë, po për fat u përballa me një mjedis krejt tjetër, ku pedagogët krijonin një atmosferë mjaft të këndshme në auditor me mësimdhënien interesante dhe komunikimin miqësor, ku mësimi ishte shumë i rregullt, jeta studentore shumë aktive, me forume, klube studentore, vizita studentore në biznese të ndryshme. Fillova ta dua gradualisht më shumë këtë profesion dhe me vitet që pasuan, u shtua dëshira për të mësuar në këtë fushë. Tashmë jam shumë më e qartë mbi atë çfarë dua të bëj në të ardhmen në jetën time profesionale”, thotë Sindi.
Ajo tregon tashmë se është e bindur që ka bërë zgjedhjen e duhur për veten, por nuk harron të përmendë një nga pasionet e saj më të hershme, artet. Sindi thotë se një ndër dëshirat dhe objektivat e saj, është të ndërthurë talentin e saj në art, me profesionin e zgjedhur për veten në të ardhmen.
“Për fat të keq në kohën kur unë kam qenë në gjimnaz nuk kam marrë një orientim dhe këshillim karriere. Kjo më ka bërë mua, por edhe nxënës të tjerë, të gabojmë fillimisht në zgjedhjen tonë. Ajo çfarë vlerësoj më së shumti në UET është fakti që përgjatë të tria viteve të studimit, ne marrim në mënyrë të vazhdueshme këshillimin e duhur nga pedagogët tanë, të cilët spikasin prirjet dhe aftësitë tona personale dhe në raport me hapësirat në tregun e punës na orientojnë mbi mundësitë për të ardhmen. Unë kam ndërmend të vijoj studimet e mia pranë Universitetit Europan të Tiranës në ciklin Master, për degën Administrim Biznesi me profil Marketing. Është një degë dhe një profesion që ndërthur më së miri njohuritë që unë kam marrë deri më tani në shkollë, me kreativitetin dhe krijimtarinë, të cilat qëndrojnë në thelb të pasionit tim të hershëm për artet vizuale.”
Gjatë kohës së studimeve Sindi është angazhuar për t’u aftësuar në tregun e punës, qoftë në zyrat e universitetit, qoftë në sipërmarrje private. Ajo shprehet se është ndër dëshirat e saj për të ardhmen, të krijojë vetë një biznes në fushën e krijimtarisë artistike.
“Gjatë studimeve jam angazhuar edhe me punë vullnetare në zyrat e universitetit, një periudhë në të cilën kam mësuar shumë mbi etikën e punës, mbi përgjegjshmërinë, por edhe menaxhimin e kohës. Prej disa vitesh jam angazhuar edhe në krijimin e objekteve artizanale dhe të gjitha këto eksperienca më kanë bërë më të aftë dhe më të sigurt në vetvete”, shprehet Sindi.
Ajo tregon se vendimi për të qenë pjesë e UET i ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e sheh të ardhmen e saj. Në prag diplomimi, shprehet se tashmë ndihet e plotësuar për zgjedhjen që ka bërë.
“Jam shumë e lumtur me zgjedhjen time. Më në fund mund të them se jam më e qartë mbi atë çfarë kam dëshirë të bëj në jetë dhe mbi të gjitha si mund t’i arrij objektivat e mia. Kam fituar më shumë siguri në vete, kam përmirësuar shumë aftësitë e mia në komunikim, si dhe kam krijuar kontakte të reja. E vetmja gjë që do të ndryshoja nga eksperienca në UET është të kisha aplikuar për një semestër shkëmbimi studentor, Erasmus+, sepse për shkak të angazhimeve të tjera nuk kam mundur më parë. Disa prej miqve të mi kanë zhvilluar një semestër në shkollat europiane dhe më kanë thënë se është një eksperiencë e papërsëritshme, kështu që besoj se do të aplikoj për të qenë pjesë e këtij programi në ciklin Master, pasi nuk dua ta humbas këtë mundësi. Gjithashtu e vlerësoj shumë faktin që në UET kam mundur të bëhem pjesë e një komuniteti studentësh që studiojnë në profile dhe degë nga më të ndryshmet, pasi kjo është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për socializim, por edhe për rrjetizim”, thotë Sindi.
[:]