Fjala e presidentit

UET në dekadën e dytë

PROF. ASOC. DR. SELAMI XHEPA/ PRESIDENT I UET

Ruajtja e emrit të Universitetit Europian të Tiranës, konsolidimi i reputacionit të universitetit, arritja e standardeve më të larta në kontekstin e realiteteve të reja, sigurisht që përbën një sfidë për të gjithë. Përbën edhe për postin dhe detyrën time, njëkohësisht edhe për të gjithë anëtarët e Bordit të Besimit një sfidë, të cilën ne të gjithë së bashku duhet ta ndajmë dhe ta zhvillojmë, për ta çuar më përpara emrin dhe reputacionin e universitetit. Unë mendoj që sfidën më të madhe bota e sotme universitare, edhe në kontekstin e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, e kanë në radhë të parë me vetveten dhe me shoqërinë. Pra ballafaqimin më të rëndësishëm sot ne e kemi me shoqërinë. Pritshmëritë e shoqërisë shqiptare janë jashtëzakonisht më të larta në raport me atë se çfarë vetë sistemi universitar ofron. Në veçanti deficitet që janë krijuar janë edhe si pasojë e rrjedhojës së mungesës së reformave, të atyre proceseve reformuese, të cilat nisën, por fatkeqësisht nuk u përfunduan asnjëherë, madje disa prej këtyre proceseve edhe po prapësohen. Në këtë kuptim, rikrijimi apo rifitimi i besimit të publikut në përgjithësi nga sistemi universitar, mendoj që mbetet një sfidë jashtëzakonisht serioze. Një universitet privat si UET ka qenë një arenë e hapur për publikun dhe në fakt lidhja me komunitetin ka qenë pika më e fortë dhe e fuqishme e jona, jo vetëm në aspektin e aktiviteteve të përjavshme që ne bëjmë, por në të gjithë aktivitetin vjetor akademik prezenca e publikut këtu dhe e universitetit në publik, ka qenë ndoshta një nga elementet më interesante që i ka dhënë universitetit tonë atë kredibilitet, emër dhe reputacion që ai gëzon.

Ju uroj suksese dhe ju mirëpresim në UET.
Të ecim së bashku në rrugën e dijes dhe profesionit.