Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit Prof. Asoc. Dr. Mateo Spaho 

Prof. Assoc. Dr. Mateo Spaho është Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në “Universitetin Europian të Tiranës”. 

Prof. Spaho ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Universitetin e Parmës, Itali, si dhe studimet e doktoraturës në Parma, Itali. Në vitin 2015 ai u bë Profesor i Asociuar. Profesori ka një përvojë të gjatë në mësimdhënien në nivel universitar dhe ka punuar si Këshilltar Ministror dhe si Drejtor i Departamentit të Politikave Fiskale dhe Parashikimeve Makroekonomike në Ministrinë e Financave. 

Prof. Spaho është anëtar bordi në kompaninë e sigurimeve “Eurosig” dhe në bankën UBA. 

Ai është gjithashtu aktiv në projekte që lidhen me financat e qeverisjes vendore, duke drejtuar projekte trajnimi për Këshillat Bashkiakë me donatorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë (Helvetas, Konrad Adenauer Stiftung, Shoqata Shqiptare e Rajoneve). 

Prof. Spaho ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme mobiliteti për trajnime brenda Programit Erasmus+ në Universitetin e Vigos, Spanjë, Universitetin e Bratislavës dhe Universitetin e Beogradit, me synimin për të ndërtuar programe të përbashkëta studimi.

Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare – Prof.Assoc.Dr. Ervis Iljazaj

Doktor shkencash në Shkenca Politike,  Universiteti i ‘’ La Sapienza’’, Romë Itali 2014, me temë dizertacioni:  ‘’ Modelet e ndryshme të drejtimit parlamentar’’, analizë krahasuese.  Në vitin 2010 mbaron studimet post universitare Master i nivelit të dytë në Universitetin e ‘’ La Sapienza’’  në ‘’Institucionet Parlamentare’’ . 2007-2009   kryen studimet e Master Shkencor në Shkenca Politike në Universitetin e ‘’ Camerinos’’ në itali. 2004-2007- mbaron studimet  Bachelor në Shkenca Politike në Universitetin e ‘’ Camerinos’’ në Itali.

Pjesmarrës në disa konferenca   shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe autor i artikujve shkencorë për cështjet që lidhen me institucionet politike, partitë politikë dhe parlamentarizmit.  Prej viti 2016-2017 zv. drejtor i Shkollës Doktorale UET.  Në vitet 2020-2022 ka drejtuar Departamentin e Shkencave Sociale të Aplikuara.  

Gjithashtu ka drejtuar per disa vite Institutin Liberal të Tiranës Pashko. Editorialist në median e shkruar. Prejt vitit 2017-2018 drejtor i gazetës MAPO. Aktualisht Dekan i Fakultetit Juridik, Shkenca Politike dhe Marëdhënie Ndërkombëtare si dhe pedagog i shkencave politike në Departamentin e Shkencave Sociale të Aplikuara.

Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale – Prof. Asoc. Dr. Belina Budini

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës ku aktualisht është Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale si dhe drejton Departamentin e Shkencave Humane dhe të Komunikimit. Më parë, ka mbajtur funksionin e drejtueses së departamentit të Komunikimit dhe të Marrëdhënieve Publike, në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2018. Ka kryer studimet Master në Universitetin e Londrës, Goldsmiths College dhe ato doktorale në Universitetin e Tiranës, për komunikim dhe media. Mban gradën Prof. As. Dr dhe është autore e librave “Tri kohë të Shqipërisë në TIME, 1923-2013”, publikuar në vitin 2014 dhe “Edi Rama, politikani pop(ulist)-star”, publikuar në vitin 2009. Është autore e shumë artikujve dhe analizave të publikuara në media. Ka organizuar, drejtuar dhe marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka sjellë në shqip disa tekste ndërkombëtare të fushës së komunikimit, duke bashkëpunuar me shtëpi botuese prestigjioze si Mc.Graw Hill Education, Macmillan Education, Sage, etj.

Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës –  Prof. Asoc.  Dr. Teuta Xhindi

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Matematikë si dhe në Universitetin e Shkodrës dega Administrim Biznes.Në vitin 2014 ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në vitin 2021 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi ka eksperiencë të gjatë në mësimdhënie në lëndët e matematikës, statistikës dhe ekonometrisë. Gjithashtu, është e angazhuar në një sërë projektesh dhe studimesh në rolin e ekspertes në mbledhjen dhe analizën e të dhënave.

Prof.As.Dr.Teuta Xhindi është pjesë e Rrjetit të Grave në STEM, të krijuar nga SCiDEV, që synon të kontribuojë në fuqizimin social dhe ekonomik të grave duke rritur përfaqësimin e tyre në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM), si në akademi ashtu edhe në industri.
Aktualisht është profesore me kohë të plotë pranë Departamentit Informatikë dhe Teknologji, UET si dhe Dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës pranë këtij universiteti.

Dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike – Prof. Asoc. Dr. Voltisa Gjergji

Prof. Asoc. Dr. Voltisa Gjergji është Doktore e Shkencave në Mjekësi nga Universiteti i Hamburgut, Gjermani. E specializuar dhe diplomuar me titull “Psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë“ nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Studimet e larta i ka kryer në Mjekësi, në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa specializime jashtë vendit nga Qëndra Universitare Charite-Berlin, Qendra Universitare e Hamburgut, Universiteti i Amsterdam-it, King’s College London, Qëndra Spitalore Universitare e Vienës dhe Universiteti i Salzburgut. Me eksperiencë klinike dhe e liçensuar në fushën e shëndetit mendor të fëmijëve dhe Adoleshentëve që nga viti 2008. Autore e disa botimeve brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2013 punon si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, si edhe në funksionin e Drejtueses së Departamentit në vitet 2018-2021. Fokusi i saj kërkimor është në Psikopatologjinë e fëmijërisë dhe adoleshencës. Në vitet 2004-2009 ka punuar në zyrën e marrëdhënieve me jashtë të Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës si koordinatore e projektit amerikano- austriak «Open Medical Institute» për edukimin e mjekëve në vazhdimësi.