[:en]Aktivitetet sportive, mjeti më i mirë për socializimin e studentëve[:]
[:en]
Aktivitetet sportive, mjeti më i mirë për socializimin e studentëve
Sport Club UET 2019
Programet e sportit me profilet përkatëse, si në ciklin Bachelor ashtu edhe atë Master, të cilat janë hapur vitin e kaluar, janë në vetvete një përplotësim i misionit të UET për të qenë një universitet gjithëpërfshirës.
Në vazhdën e riorganizimit dhe zgjerimit, që prej vitit të kaluar në Universitetin Europian të Tiranës, studentët mund të zgjedhin prej 5 profileve në programin Edukim Fizik dhe Sporte, në Bachelor dhe 5 në programin Mësuesi për Edukim Fizik në Master. Atletikë, Gjimnastikë, Futboll, Lojëra me Dorë, Gazetari, në Bachelor, Edukim Shëndetësor, Sporte Individuale, Dietologji dhe Nutricion, Rehabilitim Sportiv dhe Sporte Kolektive në Master, janë mundësitë prej të cilave studentët mund të zgjedhin drejtimin që do të marrë karriera e tyre në të ardhmen.
Përfitimet e studentëve nga Klubi i Sportit
Sportet kanë një rëndësi të veçantë për shoqërinë, ndaj sigurisht në reformën gjithëpërfshirëse të UET, nuk mund të mungonte përfshirja e këtyre programeve në ofertën e re akademike. Interesimi ka qenë i lartë për to dhe kjo duket në numrin e studentëve të regjistruar. Megjithatë, krijimi i programeve të reja nuk është kontakti i parë i UET me sportet. Që prej themelimit të tij, ky universitet ka pasur si traditë zhvillimin e Klubit Studentor të Sportit, ku u kushtohet një rëndësi e veçantë aktiviteteve të ndryshme sportive, të cilat pasurojnë jetën e studentëve. Aktiviteti më i fundit që është organizuar prej Klubit të Sportit, është Kampionati i Futbollit UET, në të cilin kanë marrë pjesë 4 skuadra të përbëra nga studentë, të cilët studiojnë kryesisht në degën Edukim Fizik dhe Sporte me profil Futboll, por edhe në Teknologji Informacioni, Psikologji e Financë.
Gjysmëfinalet e Kampionatit janë zhvilluar në datat 18, 19 dhe finalja më 21 qershor. Sa u përket përfitimeve të sportit, Silva Tema, pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës në Departamentin e Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, shprehet se: “Në universitet është normale që herë pas here studentët të përjetojnë një ngarkesë në studime, por është sporti ai që mundëson çlodhjen nervore dhe shkarkimin e energjive negative. Në Kampionat kanë marrë pjesë 4 ekipe me studentë nga programi i sporteve, por edhe nga psikologjia, teknologjia e informacionit dhe financa. Të marrit me sport nuk është një pengesë në studim, përkundrazi sporti e ndihmon sistemin nervor qendror që të çlodhet dhe studenti të jetë edhe më ‘i freskët’ për të rifilluar studimet, veçanërisht për të rifilluar studimet në rastin e sezonit të provimit, me energji të reja”.
Ajo është njëkohësisht mentore pranë Klubit të Sportit UET, dhe i inkurajon studentët të bëhen pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme që zhvillohen përgjatë vitit.
“Ajo çka i jep më shumë rëndësi klubit të sportit është pjesëmarrja dhe aktivizimi i të gjithë studentëve. Ne sportistët e dimë rëndësinë e sportit, por studentët e UET do i ftoja të bëheshin pjesë e klubit, pasi të marrit me sport i ndihmon që ata të jenë më të suksesshëm në jetën e tyre dhe i bën edhe më socialë e i ndihmon të njohin shumë tipologji njerëzish”, thotë Tema.
Ajo tregon se deri më tani ecuria e programeve të Sportit në UET ka qenë shumë e kënaqshme, e karakterizuar nga angazhimi dhe përfshirja aktive e studentëve jo vetëm në auditor, por edhe në jetën studentore që është shumë e gjallë.
“Studentët e programit Edukim Fizik dhe Sporte, në të gjitha profilet, janë studentë që kërkojnë gjatë gjithë kohës nga vetja dhe që nuk ngurrojnë të pyesin për të sqaruar paqartësitë e tyre. Ky është një tregues i mirë besoj, se ne e kemi filluar mbarë”, rrëfen pedagogia.
Ajo, ndërkohë, nënvijëzon faktin se përveçse argëtuese këto aktivitete, kanë edhe qëllim edukativ, veçanërisht për sa u përket studentëve të programeve sportive. Tema thotë se shumë shpejt pritet të organizohet edhe një aktivitet tjetër, këtë herë në volejboll, ku skuadrat e studentëve mund të ndeshen me ato të pedagogëve.
“Sporti na bashkon akoma dhe më shumë dhe na bën që të jemi edhe më të lidhur dhe më miqësorë me njëri-tjetrin. Është e rëndësishme që të ndërtojmë marrëdhënie të shëndetshme mes lektorëve dhe studentëve, ku këta të fundit të mos druhen për të komunikuar miqësisht. Duke qenë se pedagogët janë ata që përgatisin ‘të ardhmen’, shumë shpejt edhe studentët do të jenë kolegët tanë dhe sporti është ai që e bën edhe më të qetë edhe më paqësore këtë gjë, për t’i thyer ato muret dhe barrikadat që kemi pasur dikur, ku pedagogu është figura qendrore. Sporti e ka promovuar gjithnjë këtë aspekt, vazhdon t’i bashkojë njerëzit dhe të forcojë urat e komunikimit”, thotë Silvia Tema, e cila e vë theksin te ky element, bashkëpunimi pedagog-student, duke e cilësuar atë si një nga avantazhet më të mëdha në Universitetin Europian të Tiranës.
“Në UET studentët gjejnë, përveçse bashkëpunimit, hapësirë për ide, mbështetje në kërkimet personale, cilësi në mësimdhënie, si dhe mundësi të shumta të praktikimit të profesionit të tyre në të ardhmen.”
Leonid Varfi, Bursa e Talentit në UET, një motivim më tepër
Leonid Varfi është student në vitin e parë, në degën Edukim Fizik dhe Sporte, profili Futboll. Pasioni i tij për këtë sport ka nisur që herët, në fëmijëri dhe për vite me radhë Leonidi ka investuar në dëshirën e tij për t’u bërë një futbollist profesionist. Prej disa vitesh tashmë, ai është i aktivizuar në skuadra si në kategorinë e parë, ashtu edhe atë superiore. Leonidi është një prej anëtarëve të Klubit të Sportit në UET dhe një prej lojtarëve të ekipit finalist në Kampionatin e Futbollit UET 2019.
“Ajo çfarë vlerësoj më së shumti në Kampionatin e Futbollit UET është serioziteti që i është dhënë këtij organizimi, kjo gjë na ka motivuar si studentë edhe si lojtarë dhe na ka bërë të ndihemi të rëndësishëm dhe të vlerësuar. Në këtë mënyrë nxitet shpirti i garës dhe konkurrenca e shëndetshme mes nesh, por njëkohësisht gjithsecili prej nesh përfiton njohje të reja, si dhe shtohet dëshira për të marrë pjesë gjithnjë në aktivitete të ndryshme”, thotë Leonidi.
Universitetin Europian të Tiranës, Leonidi e zgjodhi për shkak se e konsideroi që në krye të herës si mundësinë ideale për të avancuar në karrierën e tij.
“UET ma sugjeruan miq të mi, të cilët kishin studiuar më parë në këtë universitet, ndaj isha i bindur për zgjedhjen time. Njëkohësisht fakti që fitova një bursë talenti në këtë universitet, ishte një stimul më tepër për mua”, tregon Leonidi.
Në Kampionatin e Futbollit UET 2019, skuadra e Leonidit luan në finale, dhe deri më tani ai e vlerëson këtë eksperiencë si mjaft të vlefshme dhe interesante dhe shprehet se të tilla iniciativa, edhe në profile të tjera të sportit, janë të mirëpritura nga ana e studentëve.
Redijon Ismajlgeci, ndërdisiplinariteti në UET është avantazh
Në ndeshjen finale të Kampionatit të Futbollit të UET u përballën dy skuadra të përbëra nga studentët e Edukimit Fizik dhe Sporteve, ku një prej lojtarëve ishte edhe Redijon Ismailgeci. Ai është aktualisht në vitin e parë dhe tregon për këtë eksperiencë:
“Viti i parë në UET ka qenë shumë interesant dhe për vetë faktin se ka pasur shumë aktivitete. Pedagogët dhe atmosfera në universitet kanë qenë shumë miqësore dhe pritshmëritë e mia në përgjithësi janë plotësuar. Kampionati i Futbollit mendoj se ishte tepër i vlefshëm për ne si studentë të vitit të parë, edhe për faktin që ke mundësinë të njohësh ekipe të tjera dhe lojën e tyre”, thotë Redijoni.
Ai është angazhuar për disa vite si lojtar profesionist në ekipe futbolli në vend, por ndërkohë shprehet se për të është interesante të marrë pjesë edhe në kompeticione të tjera sporti brenda universitetit, por edhe kundër universiteteve të tjera.
“Me Klubin e Sportit do të organizojmë vitin që vjen, edhe aktivitete të tjera të ngjashme, në sporte të tjera si volejboll, basketboll etj. Dëshira ime do të ishte sigurisht që këto kampionate të zhvillohen edhe me universitete të tjera, jo vetëm brenda shkollës”, thotë Redijoni.
Ai shprehet se e vlerëson shumë faktin që studion në një universitet, i cili ofron edhe degë të tjera, krahas atyre të sportit, dhe thotë se aktivitetet e shumta që ndodhin përgjatë vitit janë një mundësi shumë e mirë për të krijuar kontakte që mund të jenë të vlefshme për të ardhmen e tij profesionale.
[:]