Prof. Assoc. Dr. Belina Budini
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është autore dhe studiuese e njohur në fushën e Shkencave Humane dhe Komunikimit në Universitetin Evropian të Tiranës. Si Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, ajo udhëheq reformën për hartimin, zhvillimin dhe modernizimin e programeve e kurrikulave të reja të mëimsdhënies për të pasuruar përvojën e studentëve dhe në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Budini është udhëheqëse e programit Jean Monnet Chair, PROEUMEDAL në Studimet Evropiane dhe Media, si dhe drejtuese e projekteve të tjera kërkimore lidhur me gazetarinë e të dhënave, inovacionin në media dhe bashkë-rregullimin në kuadër të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Budini drejton Grupin e Kërkimit në Komunikim në Shkollën e Studimeve Doktorale dhe puna e saj në komunikimin politik, studimet për media dhe gazetarinë është botuar dhe ka nxitur diskutime publike në fushën e mediave dhe shkencave sociale, por gjithashtu edhe në mediat kryesore në Shqipëri.
Kërkimi i Prof Budinit mbështetet në analizën e mediave dhe analizën e agjencive për të kuptuar më mirë marrëdhëniet midis shoqërisë dhe gazetarisë në kontekstin e një demokracie të re dhe të një vendi postkomunist. Ajo gjithashtu ka publikuar gjerësisht për paraqitjet e mediave të huaja të Shqipërisë dhe fenomenin e politikës së mediatizuar. Libri i saj i fundit në anglisht, “The Emergence of Aesthetic Politics in Albania; a case study”, i publikuar në vitin 2024, thekson çështjet e imazhit dhe përdorimit të mediave dhe PR-it. Ajo është vlerësuar me çmimin kombëtar “At Zef Pllumi” në Publicistikë për librin e saj “Influencers”, të publikuar në vitin 2019. Budini ka drejtuar punën për realizimin e teksteve universitare ndërkombëtare në gjuhën shqipe si bashkëautore në fushën e Komunikimit, Gazetarisë dhe Marrëdhënieve Publike si “Shikim i Parë në Teorinë e Komunikimit” me McGraë Hill Education Publishing, “Hyrje në Komunikim” me Oxford University Press dhe “Marrëdhëniet Publike” me Palgrave. Libri i saj “Tri kohë të Shqipërisë në Time 1923-2013”, i publikuar në vitin 2014 studion perceptimet dhe imazhin e Shqipërisë në median e huaj dhe gjithashtu lidhet me diplomacinë publike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Libri i saj i parë ishte një monografi mbi politikanin mediatik si dukuri e komunikimit në vendet me demokraci të re, publikuar në vitin 2009 pas përfundimit të studimeve Master në Goldsmiths College, University of London. Budini mban titullin Doktor I Shkencave dhe Profesor Doktor në fushën e Komunikimit.
Budini është lektore në fushën e Komunikimit dhe Mediave dhe udhëheqëse doktorale në të tre ciklet e studimit, BA, Master dhe Doktoraturë. Si kryeredaktore e revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, “Polis”, Budini drejton redaksinë shkencore dhe panelin e konferencës shkencore ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare. Budini është e interesuar të kryejë kërkime shkencore dhe të orientuara nga politikat për median si edhe në lidhje me demokracinë dhe qeverisjen, për të ndihmuar në krijimin e politikave të informuara që u përgjigjen nevojave dhe interesave të përbashkëta të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë. Projektet e saj më të fundit kërkimore dhe politike kanë implikime që mund të informojnë çështjet e politikës publike për marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe procesin e integrimit evropian të vendit. Ajo aktualisht është duke zhvilluar strategji komunikimi për të trajtuar çështjet e diplomacisë publike me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbulimin mediatik perëndimor që ato marrin, me implikime për reputacionin e tyre ndërkombëtar.