[:en]Studentët e Humaniteteve, më të kënaqurit në tregun e punës[:]
[:en]
Studentët e Humaniteteve, më të kënaqurit në tregun e punës
Studentët e diplomuar në Shkencat Humane janë shumë të kënaqur dhe të përmbushur në jetën e tyre profesionale, përkundrejt asaj që mendon shumica, tregojnë studimet.
Shkenca dhe matematika mund të thuhet se përdorin metoda objektive dhe empirike për të hetuar botën natyrore. Në të kundërt, shkencat humane janë studime që përdorin metoda subjektive dhe racionale për të hetuar botën njerëzore. Mjetet hulumtuese që përdorin shkencat humane nuk janë eksperimente të kontrolluara dhe matje të sakta; ato janë analiza racionale, depërtim emocional dhe imagjinatë. Studentët e humaniteteve përballen shpesh me biseda të sikletshme, ku jo pak herë vihet në dyshim nëse një shkollim i tillë rezulton në punë dhe pagë të mirë. Sigurisht, studentët që janë diplomuar në art, filozofi, religjion apo literaturë ndodh të fitojnë më pak në terma financiarë, se dikush që është diplomuar në një program të një natyre tjetër, të paktën në fillim të karrierës. Por ata e duan punën e tyre, e duan jetën dhe ky është padyshim një fillim i mbarë.
Sipas një studimi të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (AAAS), tani mund të thuhet me siguri se vërtet të diplomuarit në Shkenca Humane mund të mos jenë ndër ata që fitojnë më shumë në tregun e punës, por janë më të lumturit.
Studimi thotë se të diplomuarit e Arteve dhe Shkencave Humane kanë më shumë gjasa të jenë të interesuar në punën që po bëjnë, të ndihen të përmbushur nga punësimi dhe të ngrihen në detyrë, më shumë se ata që diplomohen në subjekte të tjera.
Ndonëse pagat në përgjithësi janë më të ulëta, të diplomuarit e humaniteteve ndihen shumë të kënaqur. Ky përfundim është parë në një sërë anketimesh dhe raportesh gjatë viteve, që nga Indeksi Gallup-Purdue, Grupi Annapolis dhe Shoqata e Kolegjeve dhe Universiteteve Amerikane, që vazhdojnë të jenë mbrojtës të arsimit liberal.
Këtyre studimeve i shtohet edhe raporti i fundit i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, “Gjendja e Humanistikës 2018: Të diplomuarit në fuqinë punëtore dhe përtej”, krahason statusin e vendeve të punës të të diplomuarve të Shkencave Humane, të ardhurat dhe kënaqësinë nga puna me ata të diplomuar nga inxhinieria, biznesi dhe shkencat (përfshirë profesionet shëndetësore).
Në përgjithësi rezultatet janë të ngjashme: të diplomuarit e nivelit Bachelor në inxhinieri dhe shkenca fitojnë afërsisht $ 10,000 deri në 30,000 dollarë më shumë, por të diplomuarit e Shkencave Humane arrijnë me kalimin e kohës të mbyllin hendekun e pagave efektivisht.
Të diplomuarit e Shkencave Humane nuk duken të joshur nga statusi i punës apo madhësia e pagave të tyre. (Dhe kjo mund të pasqyrohet, pjesërisht te pritshmëritë e të diplomuarve për një pagë të ulët fillestare.) Për shumicën, të diplomuarit e Shkencave Humane ndjekin nga afër fushat e tjera në sigurinë e vendeve të punës, vendin e punës dhe mundësitë për avancim. Niveli i kënaqësisë për pagat e tyre është pothuajse i njëjtë me atë të njerëzve në punë të tjera.
Studimi theksoi një tjetër pikë të fortë të diplomave të Shkencave Humane, krahasuar me të tjerët: Ata nuk e shohin arsimin e tyre të lidhur me një fushë specifike. Kjo mund të jetë shqetësuese në fillim, por do të thotë që degët e Shkencave Humane janë të hapura për të ndjekur një sërë punësh në jetë, si menaxhimi ose pozicione të larta pune. Degët e Shkencave Humane janë dinamike dhe të lejojnë të lëvizësh nga një industri në tjetrën. Për shembull, një milion njerëz me diploma nga Shkencat Humane punojnë në menaxhim, dhe rreth 600,000 të tjerë punë në veprimtari biznesi dhe financiare. Një e katërta e profesioneve ligjore përbëhet nga të diplomuar të humaniteteve. Këto janë të gjitha fusha që paguhen mirë. Kjo nuk krijon shqetësim te të diplomuarit e humaniteteve ndryshe nga çfarë tregon anketimi se 15 për qind e të diplomuarve nga inxhinieri dhe shkencat shëndetësore dhe mjekësore të cilët thanë ndryshe.
[:]