[:en]Edukimi financiar, sa të informuar janë të rinjtë sot[:]
[:en]
Edukimi financiar, sa të informuar janë të rinjtë sot
Edukimi financiar zakonisht lidhet me botën e investimeve, por përdorimi më i gjerë i termit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në jetën tonë të përditshme. Pavarësisht nga statusi i një personi, të ardhurat, si dhe aspekte të tilla si puna, statusi, të ardhurat, mosha ose ndonjë demografi tjetër e mundshme, edukimi financiar po bëhet thelbësor për familjen mesatare që përpiqet të arrijë të mbijetojë ose madje ndoshta të vendosë se si të balancojë buxhetin e saj, të blejë një shtëpi të re, të kujdeset për nevojat e përditshme, të sigurojë financimin për edukimin e fëmijëve të tyre dhe më e rëndësishmja, buxhetin dhe planin për të ardhurat që ai do të marrë pas daljes në pension.
E gjitha kjo situatë do të duhet të shihet në një këndvështrim më të gjerë, dhe si një qasje holistike për planifikimin afatgjatë. Jo thjesht në një aspekt individual, apo afatshkurtër të tipit “sa mund të kursej për një periudhë kohore pesëvjeçare”, por edukimi financiar duhet të jetë pjesë e familjeve tona, për t’u kujdesur për nevojat thelbësore, sot dhe nesër. Njerëzit gjithmonë kanë qenë gjithnjë përgjegjës për menaxhimin e financave të tyre në baza ditore, siç janë mbulimi i kostove për shpenzimet e sigurimeve për shembull, pushimet apo blerja e një bizhuterie, por zhvillimet e fundit në botën financiare e kanë bërë edukimin dhe ndërgjegjësimin gjithnjë e më të rëndësishëm për mirëqenien financiare dhe standardin e jetesës.
Ne na duhet të pranojmë se tregjet financiare nuk janë ato që kanë qenë. Në krahasim me atë që shpeshherë mund të mendojnë investitorët e painformuar, tregjet nuk lëvizin në një vijë të drejtë dhe me kalimin e kohës janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara. Investitorët përballen me një sërë produktesh dhe platformash te të cilat duhet të bazohet vendimi i investimeve dhe gama e zgjedhjeve është mjaft e gjerë. Kjo e bën nevojën për edukimin financiar të domosdoshme përderisa si përfundim do të ndikojë në formimin e një linje mendimi për investitorin, i cili fillon të llogarisë më qartë përgjegjësitë si dhe rreziqet gjatë ndërmarrjes së një vendimi financiar po pa mënjanuar edhe ndikimin e pashmangshëm në mënyrën e jetesës së individit. Pensionet, nga ana tjetër, përbëjnë një tjetër problematikë të spikatur në atë që përbën jetën tonë financiare. Qeveritë, për shembull, shpeshherë ofrojnë skema pensionesh, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur një mënyrë jetese të denjë pas daljes në pension. Kjo ka rezultuar që investitorë të shumë të mendojnë herët për mënyrën se si do të kenë të ardhura të mjaftueshme edhe për të përballuar jetesën ashtu siç do ta donin, pas daljes në pension. Nisur nga kjo ambicie ata shpesh kërkojnë alternativa të tjera, ndryshe nga ato të qeverisë. Me rritjen e jetëgjatësisë, vendimet e njerëzve për pensionet janë veçanërisht të rëndësishme, pasi kjo përcakton përfundimisht shkallën në të cilën individët do të gëzojnë periudha më të gjata të daljes në pension. Por në mungesë të një kulture dhe edukimi financiar, individët nuk do të jenë në gjendje të zgjedhin kursimet ose investimet e duhura për veten e tyre.
Edukimi financiar dhe literaturat do të vazhdojnë për një kohë të gjatë të drejtojnë në udhën e duhur individët në planet e tyre të daljes në pension, si dhe në mënyrë të pashmangshme do të kenë më shumë gjasa të ruajnë dhe sfidojnë më cilësisht ofruesit e shërbimeve financiare për të zhvilluar produkte që u përgjigjen me të vërtetë nevojave të tyre. Kjo përkthehet në efekte pozitive në të dyja nivelet e investimeve dhe në rritjen ekonomike.
Edukimi Financiar në UET
Është zhvilluar leksioni i hapur me temë “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar!” ku studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit janë njohur me një sërë tematikash, në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë. UET çdo vit gjatë kësaj jave organizon një cikël leksionesh, seminaresh, trajnimesh, ku vijnë të ftuar një sërë personalitetesh, si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, CEO të bankave të nivelit të dytë dhe ekspertë të fushave për të zhvilluar diskutime mbi tematika të ndryshme.
Kjo është një festë mbarëkombëtare e parasë, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve, për të qenë qytetarë të përgjegjshëm për përdorimin e parasë. Në këtë javë, partnerë të shumtë në mbarë globin organizojnë aktivitete të larmishme për të përfshirë të rinjtë, duke u mësuar se si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku ata jetojnë, të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe në një farë mënyre të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.
“I gjithë ky organizim është i rëndësishëm, për shkak se studentët janë gjenerata e ardhshme e ndryshimit; duke qenë aktorët kryesorë në udhëheqjet e biznesit, ata do të jetë politikanët, prindërit dhe mësuesit e së nesërmes. Për këtë arsye të rinjtë duhet të edukohen për të zbuluar potencialin e tyre, si dhe për të besuar në vete”, është shprehur Dr. Orkida Ilollari, përgjegjëse e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës.
Universitetit Europian të Tiranës në këtë leksion të hapur i është bashkuar përfaqësuesja e “Partners Albania”, drejtoresha e trajnimeve, znj. Jonida Alite, e cila tregoi mbi një program të krijuar specifikisht për edukimin e punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar.
“Programi synon formimin dhe përgatitjen ‘drejt tregut të punës’ të punëkërkuesve të rinj, të cilët janë duke hedhur hapat drejt karrierës profesionale në sektorin bankar përmes njohjes me strukturat, funksionimin, shërbimet dhe produktet bazë, aftësitë komunikuese, të shërbimit ndaj klientit dhe shitjes e përgatitjen për një intervistë pune”, tha ajo.
[:]