[:en]Bujar Kapexhiu nderohet në UET me titullin “Nderi i Kombit” [:]
[:en]
Bujar Kapexhiu nderohet në UET me titullin “Nderi i Kombit”
Elda Dedja
Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës “Ndërkombëtarët” në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, mjeshtri Bujar Kapexhiu është nderuar me dekoratën “Nderi i Kombit”
Në një kohë kur zhvillimet dhe ndodhitë janë të shumta, të jesh i informuar është një domosdoshmëri. Falë mediumeve të komunikimit sot, gjithsecili e ka të lehtë të marrë një informacion dhe të jetë koherent me aktualitetin. Teksa mediat mundohen të kapin trendin e lajmeve ditore, një kënd i veçantë informimi i takon atij, artistit që di të sjellë për publikun aktualitetin në një mënyrë krejtësisht origjinale. Bujar Kapexhiu, si një mjeshtër i vërtetë i karikaturës, vjen prej vitesh guximshëm në ide, me një sens të hollë humori.
Veprat e tij janë një portretizim i shoqërisë sot, që mbart jo pak probleme. Karikaturat e Kapexhiut e kanë shoqëruar gjithnjë aktualitetin dhe kanë kritikuar me zgjuarsi fenomenet e forta negative të jetës politike, sociale dhe ekonomike në vend. Në mënyrë elegante, duke e kuptuar se ky art nuk qëndron thjesht në ndjeshmërinë artistike dhe krijimtarinë, Bujar Kapexhiu rrëfen mbi bazat e një guximi intelektual, si qytetar dhe si artist, për të goditur fort anët e errëta të një shoqërie në tranzicion të tejzgjatur dhe të lodhshëm.
Një ekspozitë e veçantë me rastin e 75-vjetorit
“Ndërkombëtarët” është ekspozita që është çelur dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, në praninë e artistëve, personazheve të jetës publike dhe politike në vend, kritikëve, gazetarëve dhe pedagogëve.
Një gërshetim veprash të ekspozuara që kanë si subjekt jo vetëm aktorët kryesorë vendas të jetës publike dhe politike, por edhe ndërkombëtarët. Pa pasur frikë të thumbojë, ironizojë apo provokojë, Kapexhiu prek me anë të krijimeve të tij momentet më të rëndësishme të viteve të fundit në vend, si dhe personazhet kryesore të këtyre ndodhive.
Kjo ekspozitë e veçantë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për autorin, i cili feston 75-vjetorin e tij. Gjatë ceremonisë së çeljes së ekspozitës, Kapexhiu është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”.
“Presidenti i Republikës i jep z. Bujar Kapexhiu dekoratën ‘Nderi i Kombit’ në vlerësim të kontributit të tij të spikatur si artist i guximshëm me vlera të rralla, në fushën e artit pamor, në skenën dhe kinematografinë shqiptare dhe në jetën publike e mediatike”, tha përfaqësuesi i presidentit, i cili dorëzoi dekoratën.
Kapexhiu është shprehur i nderuar për këtë vlerësim.
“Gjithkush do të thoshte që është kënaqësi e madhe. Padyshim është kënaqësi e madhe të vlerësohesh për punën që ke bërë. Por kjo, e them me shumë sinqeritet, nuk më takon vetëm mua, i takon fillimisht familjes sime, miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve me të cilët kam punuar gjithë këto vite. Pra në këtë dekoratë, në këtë titull, kanë ‘gisht’, kanë vlerë, shumë miq dhe bashkëpunëtorë të mi, të cilët kanë ndihmuar në punën time. Falënderoj pa dyshim Presidentin e Republikës, i cili me shumë qetësi dhe dashuri më dha këtë titull”, është shprehur artisti, si gjithnjë origjinal.
Bujar Kapexhiu është një nga themeluesit e degës së Komunikim-Dizajnit në UET, si dhe pedagog për një kohë të gjatë, duke ndarë eksperiencën dhe dijet e tij me shumë studentë që sot janë të suksesshëm në profesionin e tyre. Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Adrian Civici, ka vlerësuar mjeshtrin Kapexhiu për kontributin e tij në jetën publike dhe artistike të vendit.
“Bujar Kapexhiu, i cili në të gjithë veprën e tij, që është shumë e gjatë, jo vetëm në karikaturë, jo vetëm në pikturë, por në shumë fusha të tjera të artit, gazetarisë, letërsisë ia ka arritur të jetë një personazh unik. Personalisht, por dhe shumë nga kolegët e mi, kur marrim një gazetë në dorë shohin me kërshëri karikaturat e Bujarit, pasi mesazhi i Bujarit ka qenë jo pak herë ndoshta më shumë se e gjithë gazeta vetë. Shpeshherë mund të kuptoje vetëm duke parë karikaturën e Bujarit që, përveç artit të pikturimit, kishte mbi të gjitha artin e mendimit edhe ideve që shprehte. Besoj që Bujari është dhe do të jetë për një kohë të gjatë një nga personazhet më interesante, më komplekse dhe më me vlerë që ka arti, letërsia, gazetaria, piktura dhe karikatura shqiptare”, ka thënë Civici.
Arti i karikaturës për nga natyra ka misionin të godasë të shëmtuarën. Ai është një art i fortë, i cili kërkon kurajën dhe personalitetin e duhur për të mos bërë kompromis me të vërtetën, për të rrëfyer nëpërmjet gjetjeve dhe humorit, nëpërmjet mprehtësisë dhe guximit, realitetin.
Këtë gjë e ka bërë më së miri përgjatë shumë viteve Kapexhiu. Në karrierën e tij të gjatë nuk ndalet vetëm te karikatura, por kontributi i këtij artisti poliedrik shpërfaqet edhe si aktor, regjisor, prezantues, analist, pedagog, skenarist etj. Kapexhiu, ndër të tjera, mban titujt “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i Punës”.
[:]