Kolonia e Artit në UET: 25 artistë të rinj udhëhiqen nga 3 mjeshtra të mëdhenj
Kolonia e Artit në UET: 25 artistë të rinj udhëhiqen nga 3 mjeshtra të mëdhenj
Ka nisur sot Kolonia e Artit në UET me 25 maturantë nga e gjithë Shqipëria të cilët kanë pasion artet pamore, pikturën në veçanti. Të 25 maturantët do të jenë për tre ditë në mentorshipin e tre mjeshtrave të njohur, Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi, në ambientet e Eklips Rezort në periferi të Tiranës. Përgjatë tre ditëve, të Kolonisë së Artit, të rinjtë do të kenë mundësinë të marrin leksione për artin pamor, nga artistët e shquar dhe njëkohësisht do të mund të shfaqin talentin e tyre duke punuar projekte në atelie dhe në natyrë, në teknikat që ata vetë do të përzgjedhin. Në fund të tri ditëve, 10 prej të rinjve do të përfitojnë bursë të plotë studimi, në degën Arte Pamore, në Universitetin Europian të Tiranës.
Ky organizim është kthyer tashmë në traditë, pasi për 4 vjet Kolonia e Artit është zhvilluar me 10 mjeshtra, duke e kthyer atë në një festival dhe ankand të pikturave të tyre për Shqipërinë e mesme.
Në edicionet e kaluara, pikturat e frymëzuara nga natyra e mrekullueshme e Shqipërisë së Mesme, janë bërë pjesë ekspozitave dhe ankandeve në UET të cilat kanë patur për qëllim promovimin e artit. Piktorët të cilët kanë qenë pjesë e Kolonisë së Artit, vijnë nga një traditë e mjeshtri pikturimi por edhe kanë spikatur për modernitetin në skenën e arteve pamore. Edhe këtë vit të pestë, ndonëse forma e organizimit vjen ndryshme, qëllimi mbetet i njejtë. Kjo iniciativë, e ndërrmarrë nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET, synon të krijojë një komunitet të artistëve dhe të sjellë vëmendjen tek arti. Ky vit akademik është viti i parë i jetës për Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET, i cili ofron shtatë programe, tre në ciklin Bachelor, tre Master dhe një Diplomë Profesionale.