UET prezanton Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale
Universiteti Europian i Tiranës me anë të një ekspozite me punimet artistike të studentëve të tij, ka prezantuar Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Ka qenë një punë prej dy vitesh e këtij universiteti për të bërë të mundur themelimin e një fakulteti që iu përket tërësisht shkencave humane, ku sipas Dekanit të këtij fakulteti prof. asoc. dr. Dritan Egro, shkencat humane sot kanë misionin e tyre kryesor, atë të krijimit të inxhinierëve të shoqërisë.
“Në një farë mënyre UET sot po rithemelon fakultetin e shkencave sociale, i cili që nga dita e sotme do të quhet Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Pse është e domosdoshme të kemi një fakultet të ri të shkencave humane?
Unë mendoj se dy janë arsyet kryesore. E para, shkencat humane kanë ngecur, ato nuk i japin në mënyrë të mjaftueshme përgjigje probleme që prodhon shoqëria apo problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, prandaj është e domosdoshme që të krijohet një fakultet i shkencave humane, misioni i tij kryesor do të jetë krijimi i inxhinierëve të shoqërisë. Çfarë kam parasysh me këtë? Kam parasysh përgatitjen e një gjenerate të re studentësh, studiuesish, të cilët nëpërmjet metodave, instrumenteve dhe mekanizmave, atyre më bashkëkohorë do të arrijë që të kuptojë problemet që ka shoqëria e sotme dhe që nuk janë pak dhe të kërkojë zgjidhje që janë shumë të rëndësishme pasi jo rrallëherë dëgjoj që nuk kemi studime për këtë apo atë problem”.
Ndërkohë duke prezantuar programet e këtij fakulteti Egro shtoi se risia që këto programe kanë është fakti që janë programe interdisiplinare, duke dalë nga silurat e ngushta të degës apo zanatit, duke i pajisur studentët me metodat dhe instrumentet më bashkëkohore, që të rinjtë të akomodohen sa më thjesht në tregun e punës.
Për Rektorin e UET, prof. dr. Tonin Gjuraj ky fakultet është një fakultet i mirorganizuar, i cili ka me dhjetëra programe të reja që nisin për herë të parë.
“Janë plot 25 programe të cilat do të strehohen në këtë fakultet që nga diplomat profesionale dyvjeçare deri te master ekzekutiv dhe kjo do të jetë risi m.q.s. ne edhe në të gjithë këtë projekt kemi patur parasysh, ligjet, udhëzime vendimet, në mënyrë që të respektojmë kriteret por edhe standardet e cilësisë. Arsyeja përse kemi vendosur shumë profile është shumë e thjeshtë. Thjesht të jemi pranë studentit, pra për studentin kemi zgjeruar gamën e zgjedhjes”, u shpreh rektori i Universitetit Europian të Tiranës Tonin Gjuraj.
Gjatë ceremonisë, me anë të një video shkrimtari Ismail Kadare i cili ka zhvilluar një bashkëbisedim me Përgjegjësen e departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit prof. asoc. dr. Belina Budini ka përshëndetur nismën e Universitetit Europian të Tiranës duke u shprehur se është një nismë që duhet përgëzuar, pasi tregon se interesi për artin, letërsinë dhe dijen sokratike është akoma i lartë.
“Mua më bëhet qejfi se unë jam njeri i letrave, njeri i arteve dhe në mënyrë instiktive, më pëlqen të besoj që kjo nuk është e vërtetë. Që njerëzit do ta duan gjithmonë, e kanë dashur artin, letërsinë dhe do ta duan gjithmonë qofshin me një ndërtim akademik të brendshëm të tyre ose të brendshëm dhe të jashtëm njëkohësisht, qofshin me si një shpirtësi, një gjë qiellore, një gjë që gjithmonë ka nevojë njeriu të ketë përtej jetës së përditshme që jeton”.
Studiuesja e komunikimit Belina Budini, e cila është edhe Përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit tregon procesin e gjatë dhe tepër të rëndësishëm prej dy vitesh që UET ka kaluar për të formuluar dhe për të konkluduar themelimin e këtij fakulteti.
“Ka qenë një punë prej dy vitesh për të formuluar, konceptuar, për të ndërtuar një strategji dhe tani jemi gati, vetëm do ta operacionalizojmë atë”.
Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit prof. asoc. dr. Edi Puka duke u shprehur për rëndësinë dhe rolin kryesor të departamentit të Edukimit theksoi se ky departament është pikërisht rikthimi i dinjitetit dhe integritetit të individit, dhe një nga sfidat kryesore që duhet të ketë si departament nëpërmjet programeve dhe kurrikulave të tij do të jetë pikërisht rikthimi i integritetit të figurës së mësuesit në radhë të parë që përbën dhe zinxhirin evolues të gjithë shoqërisë.
Kadare përgëzon iniciativën më të re në UET
Shkrimtari Ismail Kadare gjatë një bashkëbisedimi ditën e djeshme me Përgjegjësen e departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit prof. asoc. dr. Belina Budini, kur u pyet se UET sapo ka themeluar Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale dhe si e shikon ai këtë kur në kohën që jetojmë sot por edhe kërkesa në tregun e punës janë më të pakta se degët e tjera të studimit, Kadare me anë të një video-mesazhi e ka përgëzuar këtë nismë të Universitetit Europian të Tiranës, duke u shprehur se kjo nismë tregon se interesi për artin, letërsinë dhe dijen sokratike është akoma i lartë.
Në këtë botën e sotme ku është bërë e modës të thuhet se nuk lexohet libri si më parë, rrjedhimisht nuk çmohet letërsia si më parë, rrjedhimisht nuk luan rol letërsia si më parë, akoma më rrjedhimisht nuk adhurohet si më parë, nuk ka një lloj hymnizimi të saj, hymnizimet nuk janë kurrë të mira por ndonjëherë janë të dobishme kur është fjala për artet. Mua më bëhet qejfi se unë jam njeri i letrave, njeri i arteve dhe në mënyrë instiktive, më pëlqen të besoj që kjo nuk është e vërtetë. Që njerëzit do ta duan gjithmonë, e kanë dashur artin, letërsinë dhe do ta duan gjithmonë qofshin me një ndërtim akademik të brendshëm të tyre ose të brendshëm dhe të jashtëm njëkohësisht, qofshin me si një shpirtësi, një gjë qiellore, një gjë që gjithmonë ka nevojë njeriu të ketë përtej jetës së përditshme që jeton. Që shpesh na duket e mërzitshme dhe qëllon që është e mërzitshme, ç’është e vërteta, por jo aq sa ç’e bëjnë njerëzit sepse nganjëherë njerëzit për t’u dukur dhe interesantë snobojnë, ose në kurriz të jetës si të thuash, që iu duket jeta pa interes shumë dhe e cekët dhe e pathellë… Pra, mua më pëlqen shumë që kur ka.. unë mendoj që interesi për artin nuk bie kurrë. E mira është që ky të nxitet dhe ju forma juaj që më shpjeguat me gjithë atë armatë, fjala armatë është e ashpër shumë por në këtë rast le t’i japim një kuptim përqendrimi dhe ëmbëlsie si të thuash… këta janë amatorët e artit, besnikët e saj, kalorësit e saj, përdor fjalën besnik dhe kalorës do të thotë ata që mbrojnë letërsinë kur duhet, edhe kur ajo rrezikohet. Arti dhe letërsia ka shpesh faza në fazat njerëzore që rrezikohen.