Pedagogu Kristi Çela spikat në Kongresin Europian të Fizioterapisë, studimi i tij shpallet më i miri mes 180 prezantimeve

Atë që e mendoi si një tjetër konferencë për CV-në, rezultoi të ishte një sukses i ri në karrierën e tij. Pedagogu dhe studiuesi në fushën e fizioterapisë, Kristi Çela, ka arritur të spikasë mes 2000 pjesëmarrësve të Kongresit të 6-të të Rajonit Europian të Fizioterapisë, një nga aktivitetet më prestigjioze të fizioterapisë sot në Europë.
Punimi i tij shkencor u vlerësua me Çmimin për Prezantimin më të Mirë në Platformë (Best Platform Presentation Award), duke triumfuar mes 180 prezantimeve nga studiues të 65 vendeve europiane. Më të veçantë këtë ngjarje e bën fakti që Kristi Çela ishte i vetmi pjesëmarrës nga Shqipëria.
I organizuar nga Rajoni Europian i World Physiotherapy, Kongresi u mbajt në datat 5-6 nëntor, në Madrid të Spanjës. Ky është takimi më i madh europian i profesionit, pasi bashkon studiues, akademikë, ekspertë dhe profesionistë nga vende të ndryshme dhe është një platformë e rëndësishme për prezantimin e zhvillimeve më të fundit shkencore, shkëmbimin e njohurive dhe avancimin e praktikës klinike.
Çela thotë se çmimi ishte për të një befasi. Nuk kishte dijeni për vlerësimet që do të jepeshin, deri në fund të ditës së dytë të Kongresit dhe pak orë larg mbylljes. Emocionet ishin të pashmangshme teksa emri i tij u thirr në skenë. Vlerësimi konfirmoi jo vetëm aftësitë e tij, por shpërbleu në një formë angazhimin e gjatë në fushën e fizioterapisë, si profesionist dhe studiues.

Çela është fizioterapist dhe pedagog pranë Universitetit Europian të Tiranës, e njëkohësisht ndjek studimet doktorale në Fizioterapi pranë universitetit Alma Mater Europaea, në Slloveni. Kërkimi i prezantuar në ditën e parë të Kongresit, në sesionin “Low Back Pain: Mechanisms, Prevention and Rehabilitation”, është pjesë e punës së tij doktorale. Studimi fokusohet në ndërthurjen e shkencës së dhimbjes me psikologjinë, duke eksploruar marrëdhëniet ndërmjet proceseve psikologjike, përjetimit të dhimbjes dhe ndikimit të saj në përditshmërinë e individit.
Pedagogu thotë se punimi mbështetet në qasjen bashkëkohore biopsikosociale, sipas së cilës dhimbja nuk konsiderohet vetëm pasojë e ndryshimeve fizike apo strukturore të trupit, por një përvojë komplekse ku ndërveprojnë faktorë biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Qasja e tij ndaj tematikës nuk kaloi pa reagime nga të pranishmit, në njërën nga 24 sallat ku zhvilloheshin sesionet shkencore të Kongresit.
“Prezantimi u prit me interes nga pjesëmarrësit, duke krijuar hapësirë për diskutime shkencore mbi rëndësinë e faktorëve psikologjikë në kuptimin e dhimbjes dhe rehabilitimin fizioterapeutik”, thekson Çela.
Studiuesi ndjek në vijimësi aktivitetet që kanë të bëjnë me fushën e tij të studimit. Kur u informua në muajin maj për Kongresin e Rajonit Europian të Fizioterapisë, nuk hezitoi për t’u regjistruar. Dërgoi punimin e tij shkencor, i cili vjen në bashkautorësi me Snjezana Schuster, Klejda Tani, Esida Hoxha. Në muajin qershor, pas rishikimit nga Komisioni Shkencor, i erdhi përgjigjja e pranimit, bashkë me datat e mbajtjes së Kongresit.
Në këtë sukses, vlerëson sidomos kontributin e studentëve të UET, të cilët ndihmuan përmes angazhimit dhe ofrimit të të dhënave. Ishin përvojat dhe vullneti i tyre për t’u bërë pjesë të kërkimit, që i dhanë më shumë vlerë punës dhe kërkimit të studiuesit. “Pjesëmarrja në këtë kongres ishte një përvojë e veçantë dhe një moment i rëndësishëm në rrugëtimin tim akademik, suksesin e të cilit ua dedikoj edhe studentëve të mi”, shton Çela,

Me një përvojë disavjeçare në auditor, ai ka zgjedhur të qëndrojë gjithmonë pranë studentëve. Është mentor i Klubit të Mjekësisë “Hipokrati” në UET, duke u përfshirë në organizimin dhe mbështetjen e shumë aktiviteteve akademike, sjelljen në auditor të figurave të njohura të fushës, zhvillimin e vizitave studentore në spitale apo inicimin e fushatave ndërgjegjësuse në fushën e shëndetit publik.
Pjesëmarrjen në Kongresin e 6-të të Rajonit Europian të Fizioterapisë e cilëson një mundësi të mirë për të zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare në fushën e fizioterapisë, për të shkëmbyer eksperienca me kolegë dhe profesionistë nga vende të ndryshme, ndërveprimi me të cilët do të ndikojë në përmirësimin e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe sjelljen e praktikave dhe zhvillimeve më të fundit të fushës.
Përveçse një tjetër hap në rrugëtimin e tij akademik, Çela thotë se vlerësimi i marrë i shërben si nxitje për të çuar më tej kërkimin shkencor në fushën e fizioterapisë, e cila përtej rikuperimit fizik pas dëmtimeve, sot vlerësohet si një fushë ndërdisiplinore që ndërthur mjekësinë, neuroshkencën, psikologjinë, biomekanikën dhe teknologjinë.

