UET diplomon 698 studentë në ciklin Master, profesionistë të të gjitha fushave i bashkohen tregut të punës

Ekonomistë, arkitektë, inxhinierë, programues, infermierë, mësues, psikologë apo gazetarë. Janë afro700 profesionistë të rinj, të sapo diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, që mbyllin një kapitull dhe nisin rrugëtimin e jetës profesionale.
Hedhja e kapelës është një akt i njohur në jetën e një studenti. Ka pasur rastin ta prekë më herët në jetën e vet, në maturën shtetërore apo në ciklin Bachelor. Megjithatë, hedhja e kapelës për studentët e Masterit është diçka më shumë se thjesht mbyllja e një cikli studimesh. Është mbyllja e një kapitulli.
Të mërkurën e 7 tetorit, Universiteti Europian i Tiranës diplomoi 698 studentë të ciklit të studimeve Master, në dhjetëra profile e programe studimi. Salla e Pallatit të Kongreseve nuk pa vetëm qindra të rinj me veshje ceremoniale. Ajo u përshkua nga emocione lumturie, mirënjohjeje e krenarie, të shumëfishuara nga prania e familjarëve dhe njerëzve më të dashur. Ditët dhe orët e gjata të lodhjes, stresit e mbingarkesës u bënë të padukshme nën peshën e suksesit dhe ëndrrave të reja.
Ceremonia e diplomimit kurorëzon marrëdhënien e gjatë me auditorin, por nuk shënon fundin e lidhjes së studentëve me universitetin. Për shumicën prej tyre, të cilët nuk do të eksplorojnë në fusha të tjera studimi, kjo lidhje do të transformohet në partneritete profesionale. Me hedhjen e kapelës, ata janë tashmë 698 ish-studentë, që e ardhmja e UET i shënon si bashkëpunëtorë të ngushtë në rrugën e gjatë, sfiduese dhe ambicioze të përgatitjes së brezave të ardhshëm.
Janë ekonomistët, arkitektët, inxhinierët, programuesit, infermierët, mësuesit, psikologët, artistët dhe gazetarët, që do të pasurojnë trashëgiminë e universitetit dhe do të zhvillojnë më tej shoqërinë shqiptare.
Studimet Master, domen suksesi në UET
Për të dytin vit radhazi, studentët e diplomuar në Master, në Universitetin Europian të Tiranës, arrijnë shifrën 700. Ky është një tregues se studimet në këtë cikël mbeten të preferuara nga të rinjtë shqiptarë, që duan të thellojnë njohuritë dhe të specializohen në drejtime të caktuara.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa e cilësoi diplomimin një arritje themelore për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, e veçanërisht për ata që krahas studimeve kanë pasur edhe angazhimet e punës apo të familjes së tyre të re.
Duke përgëzuar studentët, Xhepa falënderoi prindërit dhe familjet e tyre për mbështetjen, por edhe stafin akademik për përkushtimin e treguar në përcjelljen e dijes. E ndërsa kurorëzojnë një arritje, Xhepa tha se profesionistët e rinj duhet të përgatiten për sfidat e ardhshme profesionale, të cilat nuk janë vetëm lokale.
“Sot bota është shumë më e ndërlikuar, më e sofistikuar, më konkurruese dhe prandaj ne jemi shumë më të cenueshëm dhe të brishtë përballë të panjohurave të shumta që kemi përpara. Prandaj dija që ju keni marrë është jashtëzakonisht e rëndësishme për të kuptuar, për t’u orientuar dhe për të vepruar mençurisht mbi këto realitete”, u shpreh Xhepa.

Mes urimeve për arritjet personale të gjithsecilit, rektorja e UET, Prof. Dr. Drita Kruja tha se ky vit akademik shënoi një sërë arritjesh edhe për vetë institucionin me pjesëmarrjen e tij në kompeticione dhe aktivitete kombëtare, por edhe me vendosjen e rekordeve të reja në fushën e ndërkombëtarizimit. Në vitin 2026 UET ka fituar 30 projekte, 70% e të cilave e kanë fokusin në modernizimin dhe zhvillimin e kurrikulave, ndërsa 30% e tyre përfshijnë drejtpërdrejt programet master.
“Kemi tre programe të përbashkëta ndërkombëtare në zhvillim me universitete partnere në Europë: Inteligjenca artificiale dhe sistemet e të dhënave në shëndetësi, Business Analytics dhe Data Journalism”, theksoi Kruja duke shtuar se studimet master dëshmojnë për dëshirën dhe vullnetin e secilit për të mësuar vazhdimisht.
Pavarësisht largimit nga auditori, rektorja i ftoi studentët që të ruajnë marrëdhënien me universitetin, si alumni dhe partnerë, dhe pse jo të vazhdojnë të thellojnë njohuritë e tyre me studimet doktorale në Shkenca Sociale të Sjelljes dhe në Inxhinieri Ndërtimi dhe Arkitekturë.
Ceremonia vijoi me përshëndetjen e dekanëve të fakulteteve në UET: Prof. Asoc. Dr. Elona Shehu, Prof. Asoc. Ervis Iljazaj, Prof. Dr. Belina Budini, Dr. Oriola Pampuri, si dhe drejtuesen e Departamentit të Teknologjisë dhe Informatikës, Prof. Asoc. Dr. Ardiana Topi, të cilët përgëzuan studentët për mbylljen e këtij kapitulli dhe iu uruan atyre suksese në ndërmarrje të reja profesionale dhe akademike.
Commencement speech/ Deputetja Jorida Tabaku: Pranojini të gjitha rrugët e jetës
Para se të përfshihej në politikë dhe të bëhej deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Jorida Tabaku kishte zgjedhur auditorin. Me mbylljen e studimeve bachelor në Administrim Biznesi dhe ndjekjen e mëtejshme të studimeve master dhe doktoraturë në Ekonomi, në Durham University Business School në Londër, Tabaku u rikthye në Universitetin e Tiranës si pedagoge.
Në atë kohë nuk e kishte menduar se jeta e saj do të merrte një drejtim të ri dhe rrugëtimi profesional do ta çonte në një fushë krejt ndryshe, duke kaluar një përvojë akoma më angazhuese në politikë. Ishte pikërisht ky rrugëtim personal, mësimet dhe përvoja e të cilit e bënë Tabakun të këshillonte studentët që të mos kenë frikë të pranojnë dhe provojnë rrugë të reja.
“Punoni për ëndrrën tuaj, përgatituni seriozisht, po kur jeta t’ju japë një mundësi tjetër, shqyrtojeni dhe atë. Shqyrtojeni me mendje të hapur. Ndryshimi i drejtimit nuk e humbet vlerën e punës që keni bërë. Kur unë hyra në politikë mora me vete edhe akademinë dhe atë që më kishte dhënë akademia, disiplinën për të kërkuar, respektin për argumentin, zakonin që gjithmonë fjalën time ta bazoja në shifra.”

Këshilla e dytë, që deputetja iu dha të sapodiplomuarve ishte ruajtja e kuriozitetit për të pyetur, për të dëgjuar dhe për të pranuar mendimin ndryshe, në përpjekjen e vazhdueshme të njohjes dhe përmirësimit të vetes. Përtej asaj që mësojmë në auditorë dhe asaj që na identifikon si profesionistë, Tabaku tha se sjellja, mbajtja e qëndrimit dhe qasja ndaj të tjerëve tregon më qartë atë që ne jemi.
“Arroganca shpeshherë hyn në jetën tonë pa zhurmë, pas një suksesi, pas një titulli, pas një diplome, pas një vlerësimi. Fillimisht na bind që ne kemi të drejtë, më pas se nuk kemi nevojë të dëgjojmë e aty ne e humbasim mundësinë edhe për t’u bërë më të mirë.”
Ajo i ftoi studentët që të kenë guximin për të shpresuar për një të ardhme më të mirë, duke kërkuar më shumë për veten dhe familjen e tyre, me shpresën se në të ardhmen do të jenë pjesë e një shoqërie që u jep zë dhe arsye për të qenë krenarë.
“Kam parë shumë ndryshime. Kam parë të bien edhe simbole që dikur dukeshin se ishin të paprekshme prandaj unë e kam të vështirë që të pranoj se e ardhmja është shkruar dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar atë. Ju keni mundësinë për ta ndryshuar atë.”
Së fundi, Tabaku këshilloi të rinjtë e të rejat të marrin me vete dijen dhe eksperiencën që iu dha Universiteti Europian i Tiranës për të vijuar rrugën e tyre dhe për të përballuar me sukses çdo sfidë apo iniciativë profesionale, pa humbur dhe pa lënë pas asgjë nga vetja.
Alumni UET Saimir Berberi: Njerëzit janë ekosistemi më i vyer që u jep UET
Rikthimi i Saimir Berberit, tashmë jo si student, por si profesionist dhe sipërmarrës në fushën e marketingut, nuk ishte pa emocione. Ai kujtoi vitin 2014, kur u ul për herë të parë në auditorin e UET, pas 18 vitesh të jetuara në emigracion, në Greqi dhe Belgjikë. Ardhja në Shqipëri e solli në UET, universiteti që do të ndryshonte shumë aspekte të jetës së tij profesionale dhe personale, pasi në auditorët e tij gjeti dashurinë e jetës.
“Kam qenë nga ata studentë që ndoshta i lodhja pak pedagogët me pyetje. Doja të merrja sa më shumë nga ata, të kuptoja mënyrën si mendonin, si shikonin tregun, biznesin dhe jetën profesionale. Dhe sot, më shumë se një dekadë më vonë, kuptoj sa shumë vlerë kishte kjo.”
Prej 5 vitesh, Berberi ka themeluar agjencinë e tij, “Track Agency”, e cila sot bashkëpunon me një prej kompanive më të mëdha të aviacionit në Europë, Wizz Air, dhe realizon fushatat e saj të marketingut për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ai tregoi për studentët se për të arritur në këtë ditë, rruga nuk ishte e thjeshtë. Iu deshën vite punë në kompani të ndryshme, iu desh të mësonte e të gabonte për të fituar eksperiencën.
“Rruga midis auditorit dhe asaj që mund të ndërtoni pas 10 vitesh është shumë më e gjatë dhe shumë më e paparashikueshme nga sa duket sot. Por një gjë më ka mbetur konstante gjatë gjithë kësaj kohe: Njerëzit.”

Berberi tha se koha i ndryshon gjërat, tregu i punës ndryshon, e po ashtu edhe teknologjia dhe profesionet. Përtej një diplome, një aftësie apo një profesioni të fituar, njerëzit janë ekosistemi më i vyer që përftohet nga një universitet, dhe bashkëpunimi me ta sjell shpeshherë suksesin.
Alumni UET tregoi se mban komunikimin dhe miqësinë me ish-pedagogët dhe shumë prej kolegëve të tij, të cilët janë të suksesshëm në fushat e karrierës.
“Shikojeni këtë ceremoni si momentin kur filloni të përdorni gjithçka që universiteti ju ka dhënë. Ndonjëherë një vendim që duket i vogël, mund të ndryshojë gjithë trajektoren e jetës. Sot ju jeni pikërisht në një prej atyre momenteve. Diploma është e rëndësishme, por shumë më e rëndësishme do të jetë ajo që do vendosni të bëni me të nga nesër”, përmbylli Berberi.
Studentët në skenë, nga ekselenca te studentja e huaj e diplomuar në master
Në një ditë të tillë ku festohen arritjet akademike, miqësitë, dijet profesionale, nuk mund të mungojë zëri i studentëve. Në pamundësi për të dëgjuar historitë dhe emocionet e të gjithëve, prej vitesh UET e ka kthyer në traditë fjalimin e ekselencës. Çdo program e fakultet numëron dhjetëra studentë ekselentë, por mes tyre fjalën e marrin ata që kanë shënuar rezultatet më të larta akademike.
Përfaqësuesit e pesë fakulteteve, Esra Gjergji nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit; Jona Doko nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare; Anisa Baçi nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit & Arteve Liberale; Antonina Oshafi nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës; Bukurie Krrashi nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, rrëfyen mes emocionesh disa copëza nga rrugëtimi i tyre, mes sakrificave, lodhjes, rikthimit në universitet pas viteve shkëputjeje, duke e ndarë përkushtimin ndaj auditorit dhe profesionit me dedikimin ndaj familjes. Katër prej tyre, tashmë prindër dhe nëna vajzash, e ndanë lumturinl e këtij çasti me të voglat e tyre, të cilat u ngjitën në skenë për t’iu dhuruar buqeta me lule dhe përqafime.
Surpriza tjetër që shoqëroi mbrëmjen ishte fjalimi i studentes së parë ndërkombëtare të diplomuar në UET në ciklin master. Linda Lamptey udhëtoi nga Gana për të studiuar në Shqipëri, duke marrë një diplomë dhe një profesion pranë Universitetit Europian të Tiranës. Duke falënderuar pedagogët, ajo inkurajoi kolegët të vijojnë rrugëtimin me të njëjtin guxim dhe përkushtim që treguan në auditor.
“Ne largohemi nga ky universitet me më shumë sesa thjesht diploma. Largohemi me dije, qëndresë dhe një komunitet që na formësoi.”
Prania dhe diplomimi i një studenteje nga Gana është edhe një tjetër dëshmi e procesit të ndërkombëtarizimit të UET. Përmes shkëmbimeve Erasmus+ dhe programeve ndërkombëtare, universiteti ka zgjeruar vitet e fundit lidhjet me institucione dhe studentë nga vende të ndryshme të botës.
Fillimi i këtij viti shënoi një rekord sa i përket studentëve të huaj që zgjedhin UET për të studiuar. Rreth 200 të rinj e të reja nga vende të ndryshme janë ulur për herë të parë në auditorët e UET për të ndjekur studimet në ciklin bachelor.
Njëjtë si 700 të diplomuarit që mbyllin një kapitull dhe nisin rrugëtimin e tyre profesional, UET vijon me shfletimin e kapitujve të rinj, ku pozicionohet si një universitet gjithnjë e më i lidhur me botën, me dijen dhe me brezat e së ardhmes.

Tag:ceremoni, Master, Selami Xhepa, studentë

