Ish-ministri maqedonas në UET: Vendet e Ballkanit kanë ndërtuar një identitet të rremë dhe paranojak

Paranoja e viktimës po na mban jashtë Bashkimit Evropian. Ishte ky leximi i ish-ministrit të Maqedonisë së Veriut, Ljubomir D. Frchkoski, për gjithçka që po ndodh kohët e fundit në vendin fqinj dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura me Bullgarinë, të cilat duket se po ndikojnë ecurinë e negociatave me unionin.
Në një leksion të hapur në Universitetin Europian të Tiranës, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus librin e tij “Negocimi në konfliktet e identitetit”, ish-ministri dhe diplomati maqedonas në Kombet e Bashkuara tha se partitë e krahut të djathtë janë mobilizuar për të krijuar sindromën e kombit viktimë, të vendit që nuk e njeh dhe nuk e do askush.
“Ata po prodhojnë tani urrejtjen me Bullgarinë vetëm për të na mbajtur jashtë, sepse jemi komb i vogël. Është shumë e lehtë të krijosh paranojë në një milion e gjysmë njerëz. Me këtë çështje, ata praktikisht e mbajnë ndezur energjinë e tyre politike”, theksoi Frchkoski.
Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, nëpërmjet shkrimit të së kaluarës dhe paraqitjes si kombe viktima, shtetet e Ballkanit po krijojnë një identitet kombëtar plotësisht të rremë dhe paranojak, përmes atyre që ai i cilësoi si “biofactory fantasy” dhe “paranoiac fantasy”.
“Shqipëria dhe Kosova nuk janë rasti kryesor. Por Maqedonia dhe Serbia janë raste të tilla që e gjejnë veten të plagosur në identitetin kombëtar dhe paraqiten si kombe të plagosura në të kaluarën. Ato nuk mund të arrijnë kënaqësi të plotë nga e kaluara dhe prodhojnë një lloj psikologjie kolektive të kombit viktimë, i cili është një krijim shumë i vështirë, sepse ushqen idenë se të gjithë do t’u bëjnë keq për shkak të historisë. Ata thonë se nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj pakicave të tjera dhe se të gjithë kanë detyrim ndaj tyre”, u shpreh më tej ish-ministri.
Këto kombe viktimë e prodhojnë të kaluarën me ngjyra heroike, duke imagjinuar fantazi që nuk përputhen me faktet historike, ndërsa ngjarje të caktuara riinterpretohen nën këndvështrime të reja. “Për shembull, serbët e lavdërojnë betejën për Kosovën. Edhe pse e kanë humbur atë, prapë e cilësojnë betejën heroike për historinë e tyre. Maqedonasit flasin për bashkimin e tre pjesëve, edhe pse kurrë në histori nuk kanë qenë bashkë.”
Sa i përket aspektit të dytë, fantazisë paranojake, profesori Frchkoski tha se shtetet gjithmonë kanë krijuar miqësi dhe armiqësi historike, mjaft të dukshme në Ballkan, por edhe më gjerë. Pikërisht te kjo lloj fantazie, te demonizimi i tjetrit, gjenden shpesh rrënjët e dhunës dhe konflikteve të armatosura.
“Në një shoqëri shumëplanëshe, kjo është një situatë e rrezikshme. Nuk përbën rrezik kur grupet janë qartësisht të ndryshme, si maqedonasit dhe shqiptarët, dhe unë e di se ka dallime të qarta; por ju nevojitet një marrëveshje politike dhe mund të jetojnë në paqe. Në një situatë ku identitetet janë të ngjashme, si boshnjakët, serbët, kroatët, ndryshimet e vogla identitare krijojnë kufij dhe ndasi të mëdha”, sqaroi më tej.
I angazhuar në teorinë politike dhe ligjore, diskursin liberal-demokratik, negociatat diplomatike dhe promovimin e të drejtave të njeriut, Ljubomir D. Frchkoski, shtjelloi për studentët mënyrën se si negociohet në konfliktet e identitetit, të cilat janë akoma edhe më të vështira se ato politike. Sipas tij, shekujt XX dhe XXI kanë rigjallëruar identitetin, kryesisht edhe për shkak të globalizmit dhe nevojës për përkatësi. Pikërisht në këto shoqëri multikulturore, demokracia dhe vendimmarrja bëhen më të vështira, por edhe konfliktet identitare janë më të pranishme.
Në negocimin e konflikteve të tilla, Frchkoski tha se “tangoja luhet treshe”, pasi nevojitet gjithmonë një palë e tretë në tavolinë, e cila del garant që marrëveshja do të zbatohet. Ai e ilustroi këtë me marrëveshjen mes partive maqedonase dhe atyre shqiptare për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Pas diskutimeve të gjata, kur marrëveshja erdhi në tavolinë, pala shqiptare shfaqi atë që profesori e quajti sindroma e “dorës së dridhur”. Vetëm pas ndërhyrjes së amerikanëve dhe daljes së tyre garantë, palët firmosën, pa asnjë kundërshtim, të njëjtën marrëveshje.
“Është me mjaft rëndësi se kush është ndërmjetësi. Një ndërmjetës i fuqishëm, që ka ndikim në Evropë, është shumë i rëndësishëm dhe ndonjëherë luan një rol vendimtar. Disa marrëveshje shumë të mira dështojnë plotësisht sepse mungon një shtytje serioze.”
Autori i librit “Negocimi i konflikteve të identitetit”, përmbajtja e të cilit u përdor si bazë dhe frymëzim në zhvillimin e Udhëzimeve të Kombeve të Bashkuara për Promovimin e Dialogut dhe Ndërmjetësimit për të Parandaluar Gjenocidin, Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit, u ndal më tej te elementët kryesorë të negocimit. Ai e nisi me rëndësinë e fazës parapërgatitore, e cila konsiston në njohjen e vijave të kuqe dhe traumave të palës tjetër, për të vijuar me përfshirjen e grave në negociata, për shkak të qasjes së tyre të butë dhe paqësore në zgjidhjen e konflikteve, përfshirjen apo konsultimin në terren me organizatat dhe grupet vulnerabël, ndërtimin me kujdes të ekipit negociator (me tre ekspertiza: politike, diplomatike dhe teknike), si dhe menaxhimin e kujdesshëm të marrëdhënies me mediat, të cilat kanë fuqinë që, përmes nxjerrjes së informacioneve dhe interpretimeve të ndryshme, të ndikojnë në dështimin e negociatave.
Që një negociatë të realizojë qëllimin e saj, sipas profesorit, nevojiten tre elemente të rëndësishme: udhëheqësit e vërtetë që marrin përgjegjësi, mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare dhe ndërmjetësit tuaj, dhe mbajtja e hapur e vednit për ndërkombëtarët.

