Dy studentet e UET zgjidhen anëtare të Këshillit Kombëtar të Rinisë

Megi Kuacka dhe Sara Hoxhaj janë dy anëtaret e reja të Këshillit Kombëtar të Rinisë, organ këshillimor nën varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Studentet e vitit të parë master në Universitetin Europian të Tiranës, dolën fituese pas votimit online të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë , i cili qëndroi i hapur në datat 7-16 janar.
Kuacka dhe Hoxhaj zënë kështu dy nga katër karriget që u takojnë përfaqësuesve të Këshillave Studentorë të universiteteve publike dhe jopublike në Këshillin Kombëtar të Rinisë, për të përçuar zërin studentëve në instancat qeveritare, për të propozuar politika apo programe që përmirësojnë jetën dhe situatën e të rinjve sot në Shqipëri. Dy anëtarët e tjerë fitues dolën nga Universiteti i Arteve dhe Universiteti “Ismail Qemali”.
Në pjesëmarrjen e këtij viti ra në sy prania e lartë e kandidatëve nga Universiteti Europian i Tiranës. Ishin 9 studentë të Këshillit Studentor në UET, mes 15 kandidatëve në listën e votimit nga universitete të tjera private dhe publike, prej të cilëve dolën katër më të votuarit ku renditeshin edhe Kuacka dhe Hoxhaj.
Ditën e premte anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të Rinisë, i cili përbëhet nga përfaqësues të Këshillave Studentorë, përfaqësues të organizatave rinore, të rinj nga diaspora, përfaqësues nga pakicat dhe komunitetet me nevoja të veçanta, u pritën nga ministri Blendi Gonxhja dhe secili prej tyre shtroi problematikat e komunitetit që përfaqëson, nga infrastruktura në universitete deri te hapësirat kulturore, artistike dhe sportive për të rinjtë.
Nga aplikimi te fitorja dhe sfidat e reja
Zgjedhja e dy studenteve të UET në KKR nuk është aq rastësore. Ato vijnë nga formimi i shkencave politike dhe juridike, pasi janë pjesë e Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe kanë dëshmuar vitet e fundit lidershipin e tyre.
Megi Kuacka, e cila ndjek studimet në vitin e katërt për Drejtësi, e njëkohësisht zhvillon praktikën mësimore pranë zyrës juridike në UET, aktivizohet prej vitesh në organizmat për studentët brenda universitetit. Ajo ka qenë presidente e Qeverisë Studentore për dy mandate dhe prej nëntorit të 2025 është zv/presidente.

Përmes kësaj eksperience ajo synon të kontribuojë me përvojën dhe formimin e saj për të përfaqësuar si duhet të rinjtë, në mënyrë që zëri i tyre të çohet në instancat përkatëse. “Në takimin e sotëm folëm edhe për ndryshimin e ligjit për të rinjtë ku ministri na kërkoi të japin sugjerimet tona”, shprehet Kuacka.
Sara Hoxhaj ka mbaruar studimet bachelor në programin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe aktualisht ndjek studimet në vit të parë master për shkenca politike. Po ashtu, ajo mban detyrën e koordinatores pranë Këshillit Studentor UET. Ajo thekson se shqetësimi i parë që do të ngrejë në KKR ka të bëjë me praktikat studentore pranë institucioneve publike. “Kompanitë dhe bizneset private nuk ofrojnë mundësi për të gjitha programet e studimit. Ndërsa në institucionet publike është më e vështirë të futesh e më tej të punësohesh”.
Eksperienca e tyre në Këshillin Studentor UET bëri që të mos mendohen dy herë për të kandidaur kur erdhi thirrja nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, pavarësisht se rezultati ishte surprizë. Sa i përket numrit të ulët të aplikimeve nga universitetet e tjera ato thonë se të rinjtë janë bërë më të tërhequr dhe më skeptik për forcën e tyre në ndryshimin e gjërave.
“S’kanë dëshirë të merren me këtë dhe thonë çfarë do të ndryshoj po shkova aty”, shprehet Megi Kuacka.
Sara Hoxhaj shton se të rinjtë duhet të motivohen më shumë. “Ata duhet të bëhen reagues, pjesëmarrës edhe në politikë në mënyrë që të mbrojnë të drejtat e tyre”, shprehet ajo.

Sipas saj, arsyeja e largimit të të rinjve nga vendi ka të bëjë me mungesën e mbështetjes dhe mënyrën se si funksionon sot sistemi i punësimet dhe trajtimit të të punësuarve, qoftë në sektorët privatë apo publikë, ku mungon mirëkuptimi dhe dëgjimi i mendimit ndryshe.
Duke parë qasjen pozitive të ministrit Gonxhaj, në takimin e parë të KKR, për të ndërtuar një dialog dhe bashkëpunim konstruktiv me të rinjtë, ato shpresojnë se do të krijohen më shumë hapësira dhe mundsëi për të rinjtë.

