E ftuar në UET, gjyqtarja e GJKKO diskuton praktikat gjyqësore me studentët e drejtësisë

Universiteti Europian i Tiranës kishte në të ftuar në një Leksion të Hapur gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, znj. Rudina Palloj. Në bashkëbisedim me studentët dhe pedagogët e Departamentit të Shkencave Juridike, gjyqtarja trajtoi praktikat e disa veprave penale në Shqipëri, kryesisht ato të korrupsionit aktiv dhe pasiv, pjesë e juridiksionit të kësaj instance të dhënies së drejtësisë.
Znj. Palloi, përveçse shpjegoi bazën ligjore për gjykimin e veprave penale, ku futen veprat që cenojnë autoritetin e shtetit dhe kryhen nga funksionarë të cilët ushtrojnë funksione publike dhe funksionarë të lartë shtetëror, solli edhe raste nga praktika, për të cilat ka mbaruar gjykimi dhe është dhënë një vendim i formës së prerë, por edhe raste të viteve të fundit që kanë marrë vëmendjen e medias dhe opinionit publik. Sipas saj, problematikat që hasen në praktikë dhe ngjallin diskutime kanë të bëjnë me format e kryerjes së aktit të korrupsionit aktiv dhe pasiv, shqyrtimi i të cilave mbështetet në konventat e BE-së dhe Kombeve të Bashkuara.
“Dispozitat që legjislacioni jonë penal ka, neni 259, 260, përballë neneve që përbejnë korrupsionin aktiv, që janë neni 255 dhe neni 244 i Kodit Penal, përcaktohen dhe nominohen në të njëjtën formë siç janë në aktet ndërkombëtare. Ato lidhen me luftën e korrupsionit dhe janë akte shumë të rëndësishme, të zbatueshme drejtpërdrejtë në vendin tonë për shkak se janë ratifikuar. Sipas Kushtetutës, pjesë e legjislacionit të brendshëm janë Konventa e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit dhe dy konventa të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, Konventa Penale dhe Konventa Civile”, theksoi gjyqtarja.
Në këtë kontekst, ajo solli në vëmendje se rekomandimet e BE-së, edhe pse nuk janë të detyrueshme për zbatim, ato ndiqen në kuadër të përafrimit me legjislacionin evropian, për shkak se Shqipëria synon të bëhet pjesë e unionit. E mbështetur pikërisht në këto akte, edhe në Shqipëri, kur trajtohen çështjet e korrupsionit, inkurajohet mbështetja e denoncuesit.
“Denoncuesi është personi që bën në fakt korrupsionin aktiv për qytetarin. Këtu duhet pasur në vëmendje që në rast se personi kallëzon menjëherë kur vepra ndodh ose pasi ajo ka ndodhur, ndoshta ka një marrëveshje me autoritetet për ta dokumentuar veprimin, nuk mban përgjegjësi personi që në fakt formalisht bën korrupsion. Kjo sepse atij i ka humbur qëllimi pse po e bën këtë veprim, pasi është në kuadër të veprimeve simuluese apo në kuadër të një veprimtarie zbuluese në bashkëpunim me organin respektiv”, sqaroi gjyqtarja, duke specifikuar se në rastet kur e ka denoncuar në mënyrë të menjëhershme apo para se ngjarja të bëhej publike në media, atëherë denoncuesi mbrohet duke ulur apo përjashtuar masën e dënimit.
Gjyqtarja e GJKKO-së tha se rastet e korrupsionit janë të rëndësishme dhe duhet të pritet vendimi i formës së prerë, të paktën në shkallë të parë, para se ajo çështje të bëhet pjesë e diskutimeve dhe opinioneve personale me impakt në publik pasi krijojnë perceptime që nuk qëndrojnë me hetimin e çështjes, raste të cilat kërkojnë kohë dhe hetime të thelluara për të faktuar kryerjen e veprës penale. Më tej, ajo këshilloi studentët që të zhvillojnë sensnin e tyre kritik, të mos i marrin të mirëqena deklaratat, të kenë rezervat dhe racionalitetin e tyre, një element që do t’iu duhet përtej auditorit, kur të ndërtojnë karrierat e tyre si juristë, gjyqtarë apo prokurorë.
Në fund të leksionit, gjyqtarja u shpreh e hapur për të diskutuar me studentët, ndoshta edhe në leksione të ardhshme, praktika të ndryshme gjyqësore që i ndihmojnë në zhvillimin e tyre profesional, për shkak se vijnë më të qarta nga një person i praktikës, ndërsa përsëriti ftesën për të ndjekur seancat gjyqësore sipas kalendarit të botuar në faqen zyrtare të GJKKO-së.

