Rikthehet panairi i librit, UET Press pret lexuesit në Pallatin e Kongreseve
Pas një viti mungese për shkak të pandemisë rikthehet eventi më i madh kushtuar librit. Panairi i librit hap dyert në Pallatin e Kongreseve të mërkurën në edicionin e tij të 24-të.
Rreth 95 botues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj. do të sjellin dhjetëra botime të reja për 5 ditë me radhë. Ky event përveç titujve të rinj do sjellë takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, workshope, seminare etj.
Shtëpia botuese UETPress fton lexuesit në stendën e saj, ku do të jenë mbi 30 tituj të rinj, botime të vitit 2021, duke shenjuar një vit të mbarë në prurjet që mbajnë logon UETPress dhe duke ruajtur, përtej vështirësive që solli pandemia, një trend shumë të mirë botimesh.
I sjellim publikut shqiptar një ngasje të re për të shijuar leximin, si atë artistik letrar ashtu edhe më të ftohtë intelektual e profesional, gjithmonë të kujdesur për të mbërritur në duart e lexuesit si botime dinjitoze
Panairi do të jetë i hapur nga data 17 deri në 21 nëntor, nga ora 9 e mëngjesit deri në 20:00. Edhe këtë vit do të ndahen çmime sipas kategorive nga organizatorët.