Belina Budini, Dekania e Humaniteteve, mes UET dhe Oxford

Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtuese e Departamentit të Humaniteteve dhe Komunikimit në UET tregon mbi ditën e saj të parë si lektore, si dhe eksperiencën tejet të veçantë që e pret këtë vit akademik në auditorët e Oxford University

Nuk është aq i largët kujtimi i ditës së parë si lektore, sa për ta futur tek kujtimet e një tjetër epoke, edhe pse ka tanimë më shumë sesa një dekadë që vijon të jetë në auditore përballë studentëve.

“Universitetin e konsideroj pa dyshim përvojën time më të vyer profesionale në të gjitha rolet dhe funksionet që më janë besuar si pedagoge, si kërkuese shkencore, si drejtuese departamenti, si dekane dhe së fundi me statusin e fituar si vizitore akademike në Universitetin e Oxfordit në Angli. Edhe pse nxitjet për të pranuar role të tjera publike nga mediat tek politika, kanë qenë të herë-pas-hershme, shija e mirë dhe perspektiva reflektive që gjej në universitet, e bëjnë atë ‘strehën’ më të dashur për mua”, kështu shprehet pedagogia dhe Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini.
Thotw se institucionet moderne të arsimit të lartë sikurse është UET, janë shumë dinamike dhe me protagonizëm të lartë publik, ndaj e mbajnë të lidhur me kohët dhe zhvillimet, në mënyrë aktive, duke e bërë më të pasur dhe relevante jetën universitare.

“Si ndjesi, ditën e parë si lektore e kam gjithnjë me vete, sidomos në fillim të vitit akademik kur përballë kam studentët e rinj. Energjia e ritakimit me auditorin universitar është për mua ndjesi e jashtëzakonshme. Përshtypja e ditës së parë në auditor është më e pagabueshmja. Edhe pse shpesh përsërisim se komunikimi është vijueshmëri, dihet që ka vetëm një mundësi për të krijuar përshtypje të parë dhe kjo në takimin e parë”, tregon Budini.

Në vitin 2008, kur sapo ishte kthyer nga studimet pasuniversitare në Londër, ritakimi me Universitetin në Tiranë i dukej si gjëja më e natyrshme në botë, edhe pse do të ishte hera e parë si pedagoge dhe jo si studente.

“Akoma vazhdoj të mendoj se këto role janë zgjatime të njëri-tjetrit dhe të ndërkëmbyeshme, ashtu sikurse edhe atëherë. Kisha me vete gjithë energjinë e një përvoje universitare të shkëlqyer në University of London, që më dha vetëbesim për të marrë përsipër rolin e titullares ose lektores me kohë të plotë në Universitetin Europian të Tiranës.”

Përvojat ndërkombëtare nga ana tjetër e kanë bërë shumë më tërheqës mjedisin universitar, ndaj fitimin e statusit të vizitores akademike në Oxford University si një mundësi për të eksploruar mësimdhënien dhe kërkimin shkencor si pedagoge, tregon se e përjeton me entuziazmin e një studenteje edhe pse shkon si profesore e asociuar.

“Megjithëse është një projekt akademik individual, jam besimplotë se do të mund të më shërbejë për të vendosur bashkëpunime të rëndësishme për sa i përket Fakultetit dhe Departamentit që drejtoj në UET. Synimet e mia nuk janë thjesht studimore dhe pedagogjike në këtë rast, por edhe institucionale dhe besoj se së shpejti do të mund të organizojmë një event të përbashkët nën siglën e UET dhe Oxford University, për t’i hapur rrugën bashkëpunimeve të mëtejshme. Në tërësi e shoh si kombinimin më të mirë atë të shkëmbimit të përvojave universitare në kontekstin e ri të një bote universitare shumë të lëvizshme.

Në fakt, mobiliteti dhe ndërkombëtarizimi janë në rendin e ditës për sa i përket arsimit të lartë si për studentët ashtu edhe për pedagogët, ndaj korrentet që po krijohen janë shumë tërheqëse për të gjithë në mënyrë që të mos e shohim veten të izoluar, por në komunikim të vazhdueshëm me universitete të tjera në kuadër të programeve Erasmus + apo projekteve ndërkombëtare institucionale dhe individuale. Po shtohen mjaft ndërlidhjet jo vetëm me anë të konferencave ndërkombëtare, forumeve, shkëmbimeve trajnuese ose botimeve, por edhe me përfshirjen në mësimdhënie në auditoret e universiteteve të huaja për vetë pedagogët dhe zhvillimin e semestrave të plotë akademikë në universitete të huaja pritëse për studentët.

“Kjo besoj është ngjarja më e rëndësishme sa i përket përvojës universitare bashkëkohore. Po kështu grantet kërkimore dhe vizitat akademike si lektorë dhe kërkues shkencore janë një garë e hapur për të gjithë”, shprehet Budini. Edhe pse mjaft konkurruese, duke qenë ndërkombëtare, ato ofrojnë mundësi të shkëlqyera për stafet universitare.

“Për hir të së vërtetës, puna në universitet nuk është trajektorja ime e parë profesionale. Edhe pse vitet e mia si pedagoge i tejkalojnë tanimë ato si gazetare, përvojën në media e konsideroj një asset profesional të pazëvendësueshëm, praktikë të cilën ua sugjeroj shpesh atyre studentëve që kërkojnë të njohin shoqërinë e vendit të tyre nga një perspektivë direkte dhe më e angazhuar. Duhet thënë gjithashtu se mjedisi mediatik dhe ai universitar takohen shpesh, edhe pse dallojnë shumë njëri nga tjetri. Nuk e kam humbur kontaktin me mediat, edhe pse universiteti zë pjesën më të madhe të angazhimeve të mia prej më shumë se 10 vitesh. Përvoja në gazetari ka qenë e vyer për mua në drejtim të studimeve të avancuara që kam kryer në të gjitha nivelet, që nga ai master, në doktoraturë dhe në botimet për fitimin e titullit profesore e asociuar. Duke qenë se mediat, komunikimi dhe marrëdhëniet publike janë fusha ime e studimit dhe e ekspertizës, më kanë shërbyer dhe më shërbejnë ende si subjekte për studim, reflektim dhe analizë kritike.

Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini është njëkohësisht drejtuese e Depratamentit të Humaniteteve dhe Komunikimit. Për këtë të fundit tregon që në tërësi ofron tanimë edhe degë të reja si Bachelor ashtu edhe Master në drejtime të tilla si Letërsia, Historia, Filozofia, Gjuhësia dhe Religjioni, Komunikimi dhe Marrëdhëniet Publike vijojnë të mbeten program bërthamë i departamentit.

“Studentët që e përzgjedhin kanë kuptuar përpara të tjerëve se industria e komunikimeve dhe marrëdhënieve publike është shndërruar ndër sektorët më dinamikë ndonjëherë kontroversial, por mjaft tërheqës. Këto profesione të vendosin në qendër të zhvillimeve dhe shpesh lidhen me pozicione të rëndësishme drejtimi, duke qenë se janë shumë pranë vendimmarrjes së lartë në organizata dhe institucione. Mendoj se ne si Departament dhe aq më tepër si Fakultet jemi me shumë fat që kemi mundësinë të ndajmë jo thjeshtë disiplina studimi por pasione të tilla si muzika, filmi, piktura apo edhe letërsia, gjuhët, komunikimi dhe deri tek psikologjia e sportet, brenda të njëjtit fakultet. Është një shans i rrallë për të ndërvepruar dhe për t’i jetuar studimet, jo thjesht për t’i kryer ato. Në përmbyllje të një Festivali Artesh mbrëmjen e së premtes në UET, kur patëm mundësinë të ndiqnim muzikë, këngë, filma dhe të shihnim ekspozitë artesh pamore, të gjitha punë të studentëve tanë aktualë, nuk mund të mos dilje me një përshtypje të tillë: atë të kënaqësisë nga të jetuarit e studimeve si profesione, që në auditore”, tregon ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *