Klubet studentore në UET janë një strukturë shumë e rëndësishme që plotëson në vijimësi formimin e studentëve dhe i japin larmi jetës studentore. Këto organizime iu mundësojnë studentëve aktivizim jo vetëm në aspektin akademik por u krijojnë një hapësirë ndryshe ku mund të përfitojnë një orientim në karrierën profesionale, si edhe të fitojnë apo përforcojnë aftësitë ndërpersonale, për një jetë studentore më aktive, të pasur, artistike, kulturore dhe sociale. Studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë në programet ku ata studiojnë, ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht ku ata nxiten të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë aftësitë dhe idetë e tyre.

Qëllimet kryesore të këtij klubi janë vënia në praktikë e njohurive të fituara gjatë studimeve në Fakultetin Ekonomik, pjesëmarrja në seminare e trajnime nga profesorë e biznesmenë të suksesshëm në treg. Synimi nuk është thjesht fitimi, por njohja dhe afrimi me operatorët kryesorë të tregut të punës. Pas çdo aktiviteti fitimprurës, krijohet një fond i veçantë, i cili përdoret për qëllime bamirësie.

Mentor i Klubit:
Msc. Joana Shima

Qëllimi i klubit të menaxhimit është të ndajë njohuritë më të reja në fushën e menaxhimit, të diskutojë në lidhje me teknologjinë dhe se si kjo e fundit ka ndryshuar mënyrën e të bërit biznes. Diskutimet në klub për kompani që kanë ndryshuar mënyrën se si jetojmë si Google, Amazon, Apple dhe Facebook përforcojnë njohuritë në fushën e menaxhimit si dhe në praktikat më të fundit në fushën e menaxhimit të aktiviteteve marketing. Tërheqja e vëmendjes dhe më tej zhvillimi i një mendimi kritik paraqet një sfidë më vehte të ideologjisë së klubit. Zhvillimi akademik dhe profesional i studentëve arrihet nëse mendimi i tyre “ngacmohet dhe rrjetëzohet”.

Mentor i Klubit:
Msc. Mishela Rapo

Qëllimi i këtij klubi janë hulumtimet, analizat, komentimi në ligje, rregullore, legjislacionin e propozuar, situatat konfrontuese ligjore, e çështje të tjera juridike. Ky klub ka si qëllim edhe pjesë të punës së tij promovimin dhe organizimin e tryezave të rrumbullakëta, grupeve të punës, seminareve, dhe konferencave në nivel kombëtar dhe lokal si dhe vizita pranë institucioneve më të rëndësishme që lidhen me fushën juridike si: Gjykata e Krimeve të Rënda, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë etj.

Mentor i Klubit:
Dr. Andi Dura

Ky klub nga vetë emri, përbëhet nga studentë të apasionuar pas librit. Diskutimet kritike mbi libra të ndryshëm si edhe rritja e interesit ndaj botimeve sa të vjetra në kohë por edhe të fundit janë fokus i këtij klubi. Librat që propozohen brenda klubit nuk janë vetëm libra akademik por edhe letrarë.

Mentor i Klubit:
Dr. Ermir Nika

Ky është klubi i filozofëve të Universitetit Europian të Tiranës. Klubi i filozofisë “Russell” synon përfshirjen e studentëve në diskutimet filozofike që lidhen me studimet e tyre, por edhe me të qenurit njeri dhe qytetar në këtë vend. Kjo do u shërbejë atyre edhe profesionalisht edhe personalisht. Studentët janë të interesuar të marrin pjesë, duke mbajtur parasysh se reflektimi filozofik është mjaft impenjativ. Disa nga aktivitetet që ata propozojnë për të nxitur më shumë diskutimet me natyrë filozofike janë: bashkë leximet të teksteve apo shkrimeve nga filozofë të njohur, diskutime të organizuara në grupe mbi teza të caktuara të filozofëve apo edhe dokumentarë të ndryshëm që nxisin mendimin filozofik.

Mentor i Klubit:
Dr. Klementin Mile

Klubi i Sociologjisë përpiqet të promovojë vetëdijen sociale midis studentëve. Është frymëzuar nga përcaktimi i shkencës së sociologjisë si një “shkencë gjeneralizuese që merret me modernitetin”. Kontribimet e klubit të Sociologjisë përfshijnë promovimin e diskutimeve për çështje sociale që janë të dukshme në jetën tonë të përditshme. Këto diskutime përfshijnë; diskriminimi, drejtësia sociale, çështjet familjare (divorci / dhuna), ndikimi shoqëror i shkaktuar nga ekonomia aktuale, etj. Një element kryesor në klubin e Sociologjisë është të krijojë marrëdhënie të qëndrueshme me studentët e programeve të ndryshme në UET. Gjithashtu ky klub i ndihmon studentët në zhvillimin e aftësive organizative dhe drejtuese në mënyrë që të bëhen modele dhe udhëheqës me role të mëdha, ndër të tjera studentët gjithashtu zbulojnë vendin e tyre në shoqëri dhe afërsitë e tyre me tendencat shoqërore apo zhvillimet sociale dhe kulturore.

Mentor i Klubit:
Msc. Besjan Zogaj

Klubi i Psikologjisë është një klub studentor që mbledh rreth tij jo vetëm studentët e psikologjisë, por edhe studentë të tjerë që kanë interes ndaj psikologjisë. Klubi ka si qëllim kryesor rritjen e profesionalizmit por edhe të promovimit të psikologjisë si shkencë dhe profesion në Univerisitet edhe më gjerë. Pjesëmarrja në klub i krijon studentëve më shumë mundësi për të njohur vetën, për të kuptuar qëllimet dhe njohur pikat e tyre të forta. Studentët mësojnë të bashkëpunojnë dhe të kuptojnë aftësitë organizative, duke gjeneruar ide, ose duke i shërbyer të tjerëve. Të qenit pjesë e klubit i ndihmon studentët në formimin e aftësive të buta “aftësive njerëzore” që janë ato aftësi që na lejojnë të bashkëveprojmë në një mënyrë efektive me të tjerët, si psh komunikimi i hapur, të qenit empatik, etika e punës etj që janë dhe konceptet apo mjetet kryesore të punës së një psikologu. Duke qenë pjesë e klubit, studentët jo vetëm që kanë mundësi ti mësojnë këto aftësi por gjithashtu i zgjerojnë dhe i përmirësojnë ato duke i përdorur në mënyrën e duhur në klub dhe jashtë tij. Në klub gjithashtu studentët mësojnë teknika të komunikimit dhe të punës në grup dhe rrisin kapacitetet e inteligjencës emocionale gjatë kohës që zhvillojnë marëdhënie të reja.

Mentor i Klubit:
Dr. Elsida Sinaj

Një nga arsyet përse studentët duhet të jenë pjesë e klubit të komunikimi, është sepse nëpërmjet fushës së komunikimit ata mund ta lidhin këtë fushë edhe me profilin të cilin janë duke vazhduar në departamentin e tyre siç janë studentët e marketingut, juridikut, marrëdhënieve ndërkombëtare etj. Qëllimi kryesor i klubit është që studentët të njohin fushën e komunikimit ose shkencat e komunikimit nëpërmjet aktiviteteve që klubi iu ofron studentëve. Është një formë praktike e kësaj fushe duke i parë të gjitha disiplinat që shkencat e komunikimit përfshijnë e bazuar në diskutime dhe të ftuarëve që mund të jenë pjesëmarrës në takimet e klubit. Gjatë pjesëmarrjes në këtë klub do të aftësohen të mësojnë edhe më shumë por edhe përgatiten akoma edhe më mirë. Studentët duke e vendosur veten në rolin e drejtuesit kërkojnë prej meje si mentore e klubit që ata të përgatiten edhe më mirë për profilin që ata kanë zgjedhur.

Mentor i Klubit:
Dr. Erisela Marko

Studentët e apasionuar pas muzikës mblidhen në Klubin UET Musical Band. Ata realizojnë aktivitete të ndryshme artistike, flasin për muzikën, bëjnë konkurse, regjistrojnë këngë të këngëtarëve të njohur dhe jo vetem, ftohen këngëtarë të njohur për bashkbisedim si dhe realizohen koncerte me ta. UET Musical Band ndahet në dy profile, atë të kantos dhe të instrumentit. Klubi nëpërmjet mentorit, pedagogëve të muzikës si dhe përmes artistëve të ftuar, bëjnë të mundur realizimin e orëve mësimore në formë Koncertesh ose Masterclass-I, për studentët që duan të mësojnë të këndojnë ose të luajnë instrumente të ndryshme si: Piano, Kitarë, Violinë, etj. Çdo student mund ta gjej veten tek UET Musical Band ku i krijohet mundësia të shfaqur talentin e vet në muzikë.

Mentor i Klubit:
Msc. Kristi Bello

Të qenit pjesë e klubit sportiv është një mënyrë e shkëlqyeshme për të takuar formuar shoqëri të re. Takimet e rregullta me klubin kontribuojnë në krijimin e ngjarjeve mbreslënëse sociale, kështu që shoqëria e klubit shumë shpejt do të bëhet pjesë e pandashme e jetës sociale në Universitet. Ky klub i kushton një rëndësi të veçantë aktiviteteve të ndryshme sportive të cilat pasurojnë jetën e studentëve në UET. Në këtë klub janë të përfshirë të gjithë studentët të cilët janë të dhënë pas: Yogas, futbollit, volejbollit si dhe basketbollit. Organizimi i seancave periodike të Yoga-s si edhe minikampionateve të vogla është fokus i këtij klubi.

Mentor i Klubit:
Msc. Marjo Shabanaj

Është një risi e këtij viti në UET e cila bashkon kryesisht studentët e IT, por edhe ata studentë që kanë interesa në programin e software-ve, ndërtimin e faqeve të internetit dhe zhvillimet në rrjetet sociale dhe aplikacionet mobile. Dega e IT është një degë relativisht e re në tregun shqiptar dhe është një fushë përherë në zhvillim ku bazohet në idetë dhe aplikacionet novatore në mbarë botën. Organizimi i klubit ka për qëllim informimin e studentëve mbi zhvillimet më të reja të teknologjisë dhe praktikave të softeve. Ndërthurja e praktiva mësimore dhe zhvillimeve në grupet e klubit do të përfundohet me praktikat në terren për një formësim më të përmbushur të njohurive.

Mentor i Klubit:
Msc. Anxhela Ferhataj

Studentë të apasionuar pas artit të arkitekturës, arteve pamore, filozofisë edhe estetikës të së bukurës, janë mbledhur në klubin e Arkitekturës dhe Dizajnit që mban emrin e arkitektit të famshëm “Le Corbusier”. Ata shprehen me gjuhën e artit dhe kanë në fokus organizimin e aktiviteteve në nivel klubi edhe më gjerë, duke arritur kështu edhe tek studentët e tjerë. Anëtarët e klubit i bashkojnë idetë dhe interesat e tyre të përbashkëta për të eksploruar tematika të reja. Me krijimtarinë e tyre edhe organizimin e ekspozitave dhe shfaqjeve artistike, synojnë të arrijnë bukur tek artdashësit, me mesazhe kuptimplotë për komunitetin dhe më gjerë.

Mentor i Klubit:
Ark. Enkeleda Prifti

Klubi i Mjekësisë “Hipokrati” është krijuar për të qenë koherent me inovacionet në disiplinat shëndetësore. Diskutimet, sesione informuese dhe këshilluese, organizime studentore për kauzat jetike e bën këtë klub të mbajë një emër të merituar. Temat interesante dhe plot dinamike nxisin studentin për të qenë pjesë e këtij klubi, ku ndër të gjitha i mundëson atij pajisjen me një bagazh të madh njohurish në fushën e mjekësisë dhe më gjerë.Secili prej studenteve qe mendon dhe gjykon se auditori ne Shkencat Mjekesore nuk eshte asnjehere I mjaftueshem per vet faktin e inovacioneve ne mjekesi lere ta shoh klubin si nje ure lidhese me realitet e reja e me gjere.

Mentor i Klubit:
Msc. Kristi Cela

UET Theatre Troupe mbledh studentët e apasionuar pas Teatrit. Ata realizojnë veprimtari, shfaqje dhe performanca të ndryshme artistike, flasin e diskutojnë për teatrin, realizojnë interpretime të ndryshme, përditësohen me literaturën bashkëkohore në fushën e teatrit dhe jo vetëm, dhe kanë mundësi të marrin përvojë jo vetëm nga pedagogët e tyre por edhe nga emra të njohur të skenës shqiptare dhe asaj botërore, si edhe të realizojnë veprimtari me ta. Çdo student mund ta gjejë veten tek Klubi UET Theater Troupe, ku i jepet mundësia të shfaqë talentin e vet në teatër.

Mentor i Klubit:
Msc. Igli Zarka