PROF. DR. DRITA KRUJA/ REKTORE E UET
Të dashur studentë, pedagogë dhe bashkëpunëtorë të UET,
Është një kënaqësi e madhe për mua t’ju mirëpres në Universitetin Europian të Tiranës, një qendër e përsosmërisë akademike dhe inovacionit.
Gjatë viteve të fundit, universiteti ynë ka arritur suksese të shumta dhe ka konsoliduar pozicionin e tij si një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë në vend, ku e tregon më së miri akreditimi institucional ndërkombëtar 5 vjeçar nga agjencia britanike Quality Assurance Agency (QAA).
Ne jemi krenarë për arritjet tona në fushën e kërkimit shkencor, ku kemi kontribuar në projekte ndërkombëtare të rëndësishme dhe kemi fituar çmime dhe projekte të ndryshme për punimet tona inovative. Stafi ynë akademik përbëhet nga ekspertë të mirënjohur, të cilët sjellin një pasuri të madhe njohurish dhe përvoje në auditorët tanë.
Programet tona të studimit janë hartuar për të ofruar një edukim të gjerë dhe të thellë, duke u fokusuar në teorinë dhe praktikën bashkëkohore. Përmes kombinimit të leksioneve akademike dhe praktikave profesionale, studentët tanë kanë mundësinë të fitojnë përvoja të vlefshme dhe të zhvillojnë aftësi praktike që janë të kërkuara nga tregu i punës. Kjo qasje i përgatit ata jo vetëm për sfidat e sotme, por edhe për mundësitë e ardhshme në karrierën e tyre profesionale.
Në Universitetin Europian të Tiranës, ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë zhvillimit të personalitetit dhe aftësive të studentëve tanë. Aktivitetet ekstrakurrikulare, klubet studentore dhe mundësitë për angazhim në projekte sociale dhe shkecore janë pjesë e rëndësishme e përvojës së studentëve tanë, duke ndihmuar në formimin e liderëve dhe sipërmarrësve të ardhshëm që janë të përgatitur për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri.
Gjithashtu, jemi krenarë për partneritetet tona ndërkombëtare me universitete të njohura dhe organizata ndërkombëtare, të cilat na lejojnë të ofrojmë shkëmbime akademike dhe mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar. Këto lidhje na ndihmojnë të sigurojmë një edukim të cilësisë më të lartë dhe të jemi në hap me zhvillimet më të fundit në fusha të ndryshme të studimit.
Me këto arritje dhe përkushtim të vazhdueshëm për përmirësim, ne ju ofrojmë një mjedis të pasur me mundësi për të zhvilluar njohuritë dhe aftësitë tuaja. Ju ftojmë të shfrytëzoni çdo mundësi që ky universitet ju ofron dhe të bëheni pjesë e këtij komuniteti dinamik dhe mbështetës.
Ju uroj një vit të mbushur me suksese dhe përvoja të paharrueshme!
Mirëseerdhët në Universitetin Europian të Tiranës!
Rektori
Prof. Dr. Drita Kruja
Universiteti Europian i Tiranës