UET zhvillon edicionin e 14-të të “Shkollës së Biznesit”, trajnime dhe bursa studimi për maturantët ekselentë

Universiteti Europian i Tiranës ka nisur edicionin e 14-të të “Shkollës së Biznesit”, një traditë shumëvjeçare që bashkon maturantë nga e gjithë Shqipëria, të cilët synojnë të bëhen ekonomistë, menaxherë apo financierë në të ardhmen.
Aktiviteti do të zhvillohet përgjatë tri ditëve, 23–25 tetor, në Dardhë të Korçës, me pjesëmarrjen e ekspertëve të ekonomisë dhe biznesit, pedagogëve, mësuesve, nxënësve dhe maturantëve nga shkolla të ndryshme të vendit.
E organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, me mbështetjen e Economic Fundamentals Initiative (EFI) dhe Center for Education and Development (CED), kjo veprimtari do të zhvillohet nën temën “Smart & Digital: Nga ideja inovative te menaxhimi i kapitalit”. Përgjatë tri ditëve do të organizohen një sërë aktivitetesh dhe trajnimesh, ku do të trajtohen ekonomia në epokën digjitale, mjetet dhe mënyrat e reja të të bërit biznes, zhvillimi i ideve për ndërmarrje të reja (startup), hyrja në tregje konkurruese, ku kërkohen gjithnjë e më shumë ide novatore, si dhe përshtatja me teknologjitë e reja.
Dita e parë e hapjes së shkollës do të nisë me përshëndetjen e njërit prej themeluesve të UET, Henri Çili dhe do të vijojë me intervistën kolektive, me ekspertin e njohur të ekonomisë, anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht President i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa.
Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Prof. Asoc. Dr. Elona Shehu, do të flasë për paranë në epokën digjitale dhe sfidat e menaxhimit të saj. Ajo do të prezantojë gjithashtu Start Up Innovation Initiative, një projekt që po zhvillohet nga UET për të mbështetur të rinjtë që kanë ide dhe dëshirojnë t’i shndërrojnë ato në biznese.
Dita e dytë do të nisë me një modul trajnimi për sipërmarrjen, të zhvilluar nga Prof. Asoc. Dr. Irina Canco, drejtuese e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET. Pas marrjes së njohurive, maturantët do të kenë një sesion të posaçëm për të prezantuar idetë e tyre për krijimin startupe-ve.
Programi do të vijojë me zhvillimin e “Savings Game”, një lojë interaktive simuluese për edukimin financiar, e zhvilluar nën mbikëqyrjen e pedagogeve Elona Shehu dhe Emirgena Nikolli.
Dita e tretë do t’i kushtohet këshillimit dhe orientimit të karrierës, një veprimtari e përvitshme me maturantët, gjatë së cilës diskutohet për tregun e punës, kërkesat e tij, transformimin e universiteteve dhe ndryshimet shoqërore, përballë të cilave të gjithë aktorët dhe faktorët përkatës ndeshen me sfida të reja. Përveç diskutimeve dinamike mbi profesionet që dëshirojnë të ushtrojnë në të ardhmen, këndvështrimet e tyre për fushën e studimit dhe ambiciet profesionale, maturantët do të shkruajnë edhe disa ese. Pesë punimet më të mira do të vlerësohen me bursa dhe gjysmëbursa, duke u dhënë atyre mundësinë që në vitin e ardhshëm akademik të bëhen studentë të UET.
“Shkolla e Biznesit” në Dardhë është e para veprimtari e këtij lloji që çel ciklin e shkollave sezonale në UET. Gjatë vitit do të zhvillohen edhe shkollat e tjera: Shkolla e Humaniteteve, Shkolla e Ligjit dhe Lidershipit, Shkolla e Inovacionit dhe Shkolla e Shëndetit Publik. Ato do të organizohen nën kujdesin e fakulteteve përkatëse, me tema dhe të ftuar nga fushat përkatëse të studimit.

