UET Alumni 2024/ Dojna Mema, fituesja e 16-të e Çmimit të Karrierës: Kam besuar që ditën e parë në ëndrrën time
Ky nuk ishte rikthimi i parë i Dojna Memës në auditorët e Universitetit Europian të Tiranës, por me siguri do të jetë më i paharrueshmi. Shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e saj që nga viti 2014 kur mbylli studimet bachelor. Shumë zhvillime kanë ndodhur në jetën personale e profesionale, por vajza ëndërrimtare, e përkushtuar dhe e dedikuar pas punës e studimeve, pas profesionit të gazetarisë, mbetet e njëjta.
Fituesja e Çmimit të Karrierës për brezin e studentëve të diplomuar në 2011-2014, nuk i fshehu emocionet pas dhënies së certifikatës nga zv.rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja. Edhe pse është mësuar me skena më të mëdha, ai ambient i vogël me pedagogët dhe studentët e brezit të saj, i ngjalli emocione e i riktheu kujtime të veçanta.
“Më dridhen duart, më dridhen këmbët, sepse kujtoj atë vajzën 18 vjeçe që sapo mbaroi Liceun Artistik dhe për shkak të një sistemi pikësh në atë kohë unë nuk mund të aplikoja në asnjë lloj shkolle shtetërore. Ëndrra ime ishte gazetaria dhe UET ishte ai që më hapi dyert për të realizuar këtë ëndërr”, u shpreh moderatorja.
Rrëfeu se besoi që ditën e parë në ëndrrën e saj dhe punoi fort për ta realizuar, ndërsa vraponte sa në seminare në Top Albania Radio. Pati mbështetjen e mirëkuptimin e pedagogëve, e veçanërisht të njërit prej tyre që ajo ia dedikoi këtë certifikatë, duke e cilësuar një mentor dhe njeri të jashtëzakonshëm.
“Është profesori Gilman Bakalli, që jam shumë e bindur që edhe pse nuk është në botën tonë, nga ajo bota tjetër do të më thoshte me shumë humor: “Po e dijsha moj Dojna që do e merrshe ti, e dijsha”.
Pas violinës në lice, Dojna iu dedikua tërësisht gazetarisë, duke bërë një ngjitje të sigurt në ekranet e televizioneve kombëtare. Paralelisht me studimet në UET për Komunikim dhe regji filmi, zhvilloi karrierën profesionale. Në 2013 prezantoi emisionin e saj të parë muzikor në “My Music” në Digitalb e dy vite më pas kaloi në Top Channel me “Top Fest 12”. Ka qenë autore dhe moderatore e “Pop Culture”, për të kaluar pastaj në “The Voice Kids 3”, “Just Dance”, “Big Brother Vip Fan Club”. Aktualisht është bashkëprezantuese e emisionit investigativ “Piranjat” në SyriTV.
Si një njeri i botës së televizionit, ajo e di shumë mirë si funksionojnë rrjetet sociale, Instagrami e fuqia e klikimeve. Sipas saj, janë njerëzit që e bëjnë atë botë të gënjeshtërt. “Nëse zgjedh ta bësh me përgjegjësi, absolutisht që nuk është e tillë. Është një botë që përcjell shumë. Është një botë që na bashkon, është një botë që na bën të jemi aty për tjetrin. Kemi nevojë të jemi aty për tjetrin”, u shpreh ajo.
Brenton Kotorri, Dojna Mema, Edmond Vorfi, Esmeralda Kadëna, Esmeralda Topuzi, Florion Goga, Griselda Qosja, Marsela Golemi, Megi Llubani dhe Paulin Kodra ishin 10 nominimet e Alumni 2024, emrat e të cilëve u propozuan nga pesë fakultetet e UET. Siç sqaroi dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini, çdo përzgjedhje bëhet duke iu referuar disa kritereve, një prej të cilave është mesatarja e cila duhet të jetë mbi tetë, ndërsa shihet më tej ecuria e karrierës, e më pas vlerësimi dhe votimi që bëhet nga publiku.
“Ne e kemi më të lehtë, sepse ata që kanë dalë nga shkencat humane janë me një karrierë publike dhe janë figura të evidentuara edhe mediatikisht. Në ADN-në e studentëve tanë është studenti që bën gjëra, që është i angazhuar, që ka një portofol punësh duke qenë njëkohësisht edhe ekselent”, theksoi Budini.
Një dëshmi të përkushtimit, punës së palodhur e të pasionit për të realizuar arritje, e cilësoi dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimi, prof. asoc. dr. Ermela Kripa
“Ishte një garë e fortë sepse të nominuarit ishin shumë cilësorë. Duke lexuar background–in dhe arritjet e tyre në fushat e jetës, me të vërtetë që janë për t’u lavdëruar dhe përshëndetur. Jam krenare që këta ish-studentë na nderojnë me arritjet e tyre në çdo fushë.”
Teksa lexoi nominimet e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, dekania prof. asoc. dr. Juelda Lamçe u shpreh se procesi i përzgjedhjes bëhet çdo vit e më i vështirë për të përzgjedhur më të mirët nga të diplomuarit, pasi secili prej tyre ka bërë arritje domethënëse. “Përzgjedhja fillon nga një pikëzim, nota, dhe karriera që ka ndjekur secili nga ju, por tek e fundit është e kuptueshme që duhet të ketë edhe proces të hapur nga jashtë të atyre që kanë bërë më shumë karrierë.”
“Secili nga të nomnuarit është fitues në sytë tanë. Ju keni qenë dhe jeni ambasadorët e UET”, u shpreh më tej rektorja Drita Kruja, duke theksuar se edukimi dhe përvoja e marrë, ka qenë themeli i studentëve Alumni.
Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi i quajti modelë dhe mentorë studentët e diplomuar në UET, të cilët sot gjenden të mirëpozicionuar në fushat të ndryshme. Për këtë arsye, ajo kërkoi shtimin e bashkëpunimit me universitetin.
“Ju me eksperiencën tuaj, shembullin tuaj, punën tuaj mund të shërbeni shumë mirë si mentorë për studentët tanë. Mund të jeni pjesë e takimeve, të Bordeve të Punës, të orëve të hapura apo çdo aktiviteti që bëjmë.”
Gjatë ceremonisë së shpalljes së Çmimit të 16-të të Karrierës, për brezin e gjashtë të të diplomuarve, përshëndetën disa prej të nominuarëve të pranishëm, si Brenton Kotorri e Paulin Kodra, ndërsa Esmeralda Topuzi dërgoi një video mesazh nga Vjena, ku aktualisht gjendet në angazhime pune.
Çmimi i Karrierës është kthyer në një traditë për Universitetin Europian të Tiranës, i cili u dha për herë të parë në 2009, për brezin e parë të të diplomuarve. Po atë vit u krijuar Shoqata Alumni, duke qenë kështu një risi për universitetet shqiptare. Alumni-t janë një instrument, një mekanizëm i jashtëzakonshëm që ka çdo universitetet për të zhvilluar pambarim historinë e këtyre institucioneve, por edhe për ish-studentët për të qenë përjetë pjesë e historisë e duke u zhvilluar përmes network-ut të zgjeruar vazhdimisht.