Departamenti i Komunikimit në UET sjell në shqip të parën guidë autoritative të Marrëdhënieve Publike
Departamenti i Komunikimit në UET sjell në shqip të parën guidë autoritative të Marrëdhënieve Publike
U promovua në UET “Marrëdhëniet Publike Sot”, botimi më i ri i UET Press, përkthyer nga Departamenti i Komunikimit
Departamenti i Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës solli në shqip, të parën guidë autoritative të Marrëdhënieve Publike – “Marrëdhëniet Publike Sot”, një botim i UET Press, i cili u promovua dje në ambientet e universitetit.
“Marrëdhëniet Publike Sot”, botim i prestigjiozes “Macmillan Education Pelgrave”, është përkthyer nga një grup pedagogësh të Departamentit të Komunikimit, nën udhëheqjen e Dekanes së Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini.
Teksti universitar, tani edhe i UET Press me të drejta të plota për publikimin në gjuhën shqipe do t’u shërbejë si profesionistëve që janë duke e ushtruar këtë punë, ashtu edhe atyre që duan të fillojnë nga e para.
“Kemi punuar në mënyrë të dedikuar me kolegët. Ne kemi krijuar një biblotekë tonën, botim pas botimi dhe kemi bërë në mënyrë rigoroze kërkim metodologjik për të gjetur tekstet me të mira, që ju shërbejnë ju dhe jam krenare për këtë iniciativë”, tha Dekania Budini, duke iu drejtuar studentëve të pranishëm në promovimin e librit.
Libri “Marrëdhëniet Publike Sot” i autorëve Trevor Morris dhe Simon Goldsworthy vjen në shqip me parathënie të Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, me një proces përkthimi dhe editimi të kujdesshëm, për të sjellë sa më qartë dhe profesionalisht të parën guidë të mirëfilltë akademike me autoritet ndërkombëtar në disiplinën e Marrëdhënieve Publike.
Kjo guidë për studenët, pedagogët e Komunikimit dhe jo vetëm, vjen e pasur me tabela, ilustrime dhe shembuj të shumtë për ta bërë sa më të këndshëm dhe praktik për studentët e Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike.
“Themeli është të komunikojmë, të dalim nga vetja për t’u shpërfaqur. Në këtë rast nuk kemi kufij, por e shohim komunikimin si një instrument të rëndësishëm, që kemi nevojë ta kultivojmë të gjithë, edhe ne që nuk jemi pjesë e fushës”, u shpreh Drejtoresha e UET Press, Suela Mino duke ua sugjeruar librin jo vetëm studentëve apo pedagogëve të Komunikimit, por kujtdo që është i interesuar.
Ky tekst vjen në vazhdën e botimeve të tjera prestigjioze në serinë e botimeve akademike për shkencat e komunikimit nga UET Press në kolanën “Curriculum” dhe do të pasohet së shpejti nga publikime të tjera prestigjioze në funksion të pedagogëve dhe studentëve.
“Libri do të vijë edhe me një kapitull shtesë, për të parë dukuri të komunikimit dhe nënfushave të tij në kontekstion shqiptar, për ta përfshirë në një tekst të tillë bazë, që ta përdorim edhe gjatë leksioneve”, vijoi më tej Prof. Asoc. Dr. Belina Budini.
Në këtë seri janë botuar një numër librash si; “Dinamikat e Komunikimit Masiv”, “Hyrje në Komunikimin Politik”, “Teoritë Bashkëkohore të Komunikimit”, “Komunikimi Masiv Bashkëkohor” etj.
Pse duhet të zgjedhim Marrëdhëniet Publike?
UET ka hyrë në vitin e 16 akademik dhe dega e Marrdhënieve me Publikun është nga degët e para pionere të universitetit.
“Kur unë e zgjodha degën, Marrëdhënie Publike dhe Komunikim, pikërisht në këtë universitet, më thanë që “po zgjedh një ‘minierë ari’”. U tregova pak skeptik, por në të vërtëtë kisha zgjedhur një ‘minierë ari’”, tha Drejtori i Komunikimit në UET, Edi Vlusha.
Që në vitin 2007-2008, UET ka nisur një program përkthimesh që së shpejti do të vijë i plotësuar me 25 botime, vetëm për studentët, standard i të cilave është, përkthimi i librave më të mirë nga shtëpitë më të mira botuese ndërkombëtare, siç është Oxford University Press, Cambridge University Press etj.
Këtu bën pjesë edhe “Marrëdhëniet Publike Sot”, ky tekst universitar, që është bazë për formimin e studentëve në programin e studimit në fushën e Marrëdhënieve Publike.
Po ashtu, ai i shërben edhe plotësimit të një nevoje të shprehur tanimë për specializim dhe kualifikim për sa i përket profesioneve të lidhura me një industri të re sikurse është ajo e komunikimeve strategjike dhe marrëdhënieve publike për organizatat, bizneset, subjektet politike dhe publike.
Autorët e këtij teksti, Trevor Morris dhe Simon Goldsworthy që janë me përvojë të gjatë në industrinë e Marrëdhënieve Publike, duke numëruar arsyet se përse duhen studiuar Marrëdhëniet Publike, pohojnë se një nga arsyet kryesore që i tërheq njerëzit drejt tyre, është gama e gjerë e punëve që ata mund të bëjnë.
Programet e studimit në Marrëdhëniet Publike, që e përdorin këtë tekst universitar të klasit të parë, ofrojnë mundësi që nga puna me të famshmit tek ajo me konsumatorët, me kompanitë e mëdha, me qeveritë, politikanët, shoqatat e bamirësisë ose organizatat aktiviste.
Po kështu, Marrëdhëniet Publike përfshijnë specialitete si ai i sektorit financiar, lobimi ose çështjet publike; si dhe përgjegjësia sociale e korporatave.
“Shpesh dyshohet në lidhje me etikën e ushtrimit të Marrëdhënieve Publike, të përdorimit apo manipulimit të formave të ndryshme të komunikimit me qëllim përfitimin. Libri “Marrëdhëniet Publike Sot” është tejet i kujdesshëm në këtë pikë, që të mos lerë vend për keqinterpretime”, përfundoi Dekania Budini.