UET lider në projektet ndërkombëtare, kryeson në nivel botëror në skemën Erasmus+ CHBE 2025

Për më shumë se një dekadë, UET i kushton rëndësi të veçantë ndërkombëtarizmit përmes projekteve, partneriteteve, shkëmbimeve kulturore dhe diplomave të dyfishta.
Viti 2025 shënon një sukses madhor për Universitetin Europian të Tiranës në fushën e projekteve dhe ndërkombëtarizimit. UET është universiteti me më shumë projekte të fituara në nivel botëror në skemën Erasmus Plus- Capacity Building for Higher Education, financuar nga Bashkimi Europian, i cili i dedikohet rritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë përmes bashkëpunimit shumëpalësh. Konkretisht, këtë vit UET ka fituar 10 projekte CBHE në shumën 1 mln euro.
Sipas presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, ky sukses në fushën e projekteve ndërkombëtare lidhet me modelin unik që institucioni përdor, duke ardhur me trajtën e një spin-off (degëzimi) me Zyrën e Projekteve, e cila grumbullon ekspertizë. “Kjo ka lehtësuar dhe ka rritur eficensën e rritjes së fondeve duke na renditur, besoj, ndër universitetet më të rëndësishme në vend, sa i takon numrit të projekteve që ne kemi marrë në kuadër të Erasmus Plus”, thekson Xhepa.
Me një staf prej 10 menaxherësh projektesh, me eksperiencë të gjatë në shkrimin dhe menaxhimin e projekteve, Zyra e Projekteve dhe Ndërkombëtarizimit ka një network partnerësh të përbërë nga më shumë se 150 universitete, organizata dhe aktorë biznesi, bashkëpunimet me të cilët tashmë janë shumëvjeçare.
Drejtuesja e kësaj zyre, prof. asoc. dr. Ketrina Çabiri Mijo thotë se universiteti ka aksesuar skema financimi me reputacion të lartë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit, siç janë Horizon Europe, Jean Monnet Centre of Excellence, Digital Europe, etj. Po ashtu, stafi akademik ka luajtur një rol aktiv në prezantimin e ideve, zbatimin e projekteve dhe perceptimin e impaktit tek studentët dhe shoqëria.
“UET ka aksesuar më shumë se 15 skema në projektetet e Bashkimit Europian, nga të cilat ka gjeneruar një fond prej mbi 8 milionë eurosh në dekadën e fundit. Skemat Jean Monnet Centre of Excellence, Digital Europian, Horizon Europë janë ato që ne na bëjnë të ndihemi krenarë”, thekson Çabiri.
UET është rritur gjatë tre viteve të fundit me shifra eksponenciale sa i përket thithjes së fondeve dhe menaxhimit të suksesshëm të tyre. Në qoftë se në vitin 2022, kishte vetëm 8 projekte Erasmus Capaciy Building for Higher Education të fituar, dy vite më vonë UET ka marrë 17 projekte nga Erasmus Plus.
Presidenti i UET, profesor Selami Xhepa thotë se prioritet i universitetit është kalimi drejt projekteve më të rëndësishme sesa Erasmus Plus. “Deri tani kemi pasur akses në Horizon Europë, një nga programet më të mëdha europiane, apo në Jean Monnet Exellence. Ambicia jonë është fokusimi te ato që janë projekte të vërteta kërkimore me karakter aplikativ dhe shkencor.”
Ndërkombëtarizimi- shtyllë strategjike në UET
Gjatë 10 viteve të fundit, Universiteti Europian i Tiranës i ka kushtuar rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit, përmes programeve akademike dhe projekteve të financuara nga Komisioni Europian e më gjerë.
Me skemën Jean Monnet, UET ka ndërtuar programe dhe ka përmirësuar kurrikula të caktuara. Ndërsa skema Erasmus Mundus Joint Master Degree i ka dhënë mundësinë të ofrojë diploma të dyfishta me universitete si ai i Salzburg në Austri, Ludgvishafen në Gjermeni, Marlardalen në Suedi, në disiplina të ndryshme si: shkenca politike, ekonomik, IT, etj.
Marrëveshjet e bashkëpunimit kalojnë kufijtë e Bashkimit Europian dhe të Europës, duke u shtrirë në SHBA dhe Azi. Aktualisht UET është duke përgatitur 3 programe Joint Master Degree me universitete suedeze, italiane, angleze, qipriote, austriake, greke, etj., në fusha si AI, Media, sipërmarrja digjitale, etj.
Një pikë e fortë në procesin e ndërkombëtarizimit mbetet mobiliteti dhe shkëmbimet studentore të financuara nga programi Erasmus+.
“Në dekadën e fundit, UET ka dërguar mbi 500 studentë, me një grant total prej më shumë se 3 mln eurosh të alokuara në formën e bursave të studimit. Po ashtu, janë dërguar 300 staf akademik dhe administrativ në mbi 150 universitete në mbarë Europën. Kjo shifër na bën krenarë për shkak se në terma relativë do të thotë 50 studentë për 1000 të tillë”, sqaron më tej drejtuesja e Zyrës së Projekteve UET. Po ashtu, ky universitet ka pritur rreth 350 staf akademik dhe 200 studentë ndërkombetarë.
Projektet e UET dhe prioritetet e Shqipërisë
Programi Erasmus + është një nga historitë më të suksesshme të Bashkimit Europian, i cili prej më shumë se 30 vjet inicion projekte në fushat e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit brenda Europës dhe përtej.
Ai operon me programe 7-vjeçare. Për periudhën 2021–2027, Erasmus + ka një buxhet rekord prej 26.2 miliardë eurosh (krahasuar me 14.7 miliardë euro në 2014–2020). Nga ky fond, 70 % shkon për projekte mobiliteti, ndërsa 30 % investohet në projekte bashkëpunimi dhe zhvillim politikash. Lajmi i mirë është që në periudhën e ardhshme 7-vjeçare ky fond do të rritet me 50%.
Erasmus + mbështet zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe personal përmes mësimit gjatë gjithë jetës, duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, krijimin e vendeve të punës, në kohezion social, nxitje të inovacionit, forcim të identitetit evropian dhe qytetarisë aktive. Projektet në të cilat është përfshirë UET lidhen ngushtë si me prioritetet e BE-së ashtu edhe me sfidat reale të Shqipërisë.
“Veçanti e projekteve tona është lidhja e tyre me prioritetet e agjendës europiane, qoftë në fushën e digjitalizimit, tranzicionit energjetik, por në veçanti do të konsideroja punësimin e të rinjve. Kjo përshtatet me objektivat që ka Shqipëria në procesin e integrimit europian”, nënvizon presidenti i UET, Selami Xhepa.
Megjithatë, profesori thekson se duhet një vëmendje më e shtuar nga ana e politikave publike, për arsye se Shqipëria akoma nuk është pjesë e Erasmus Plus, ndryshe nga disa vende të rajonit. “Kjo gjë do t’iu jepte mundësinë universiteteve tona të kishin akses në një numër më të madh projektesh çka do të përkthehet në më shumë fonde dhe partneritete që universiteti ynë do të kishte me universitetet e tjera”, shton Xhepa më tej.
Ndërsa Shqipëria mbetet vendi i pa asociuar në Erasmus Plus, duke mos aksesuar të gjitha skemat e financimit për arsimin e larte, në rajonin e Ballkanit, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë përparuar në këtë kuadër. Në të njëjtin status me Shqipërinë janë Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë- Hercegovina.