UET Department’s Book Review/ Denar Biba sjell një analizë filozofike “Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”
UET Department’s Book Review/ Denar Biba sjell një analizë filozofike “Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”
Juristi Denar Biba sjell “Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”, botimi më i ri i UET Press, një analizë filozofike mbi të drejtat e njeriut
Jurisiti Denar Biba promovoi në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës librin e tij “Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”, një analizë filozofike mbi të drejtat e njeriut, nën logon e shtëpisë botuese UET Press.
“Për herë të parë nga një studiues shqiptar të drejtat e njeriut trajtohen me një qasje kritike, duke dhënë përgjigje për çështje të filozofisë juridike, si dhe të praktikës konstitucionale. Lexuesi mund të gjejë në këtë libër, jo vetëm një analizë “desk study” të akteve ndërkombëtare e kombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe analizën e tyre së bashku me kontributet që ka sjellë konstitucionalizimi i tyre dhe sidomos gjykimi kushtetues. Kjo, natyrisht, duket shumë kontribuese për lexuesit dhe realisht, në momente të caktuara këto pjesë ndihmojnë për të kuptuar drejt të Drejtat e Njeriut në Kushtetutë.”, thotë mbi këtë libër Aurela Anastasi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Autor i disa dhjetra punimeve shkencore në revista të specializuara shqiptare e të huaja dhe artikujve publicistikë në shtypin e përditshëm, Denar Biba tregon se si lindi nevoja për të shkruar një tekst të tillë.
“Kur e nisa librin vura re se po i komentoja të drejtat e njeriut në Kushtetutën e ‘98-s si një mekanikë, pa shpalosur filozofinë dhe këtu fillova të shkruaj librin ndryshe. E lashë atë pjesë dhe nisa të shkruaj pjesën e parë të librit mbi të drejtat e njeriut, me një qasje filozofike”, u shpreh juristi i njohur në Department’s Book Review në UET.
Ndër eksperiencat profesionale të autorit Denar Biba, në kontekst të këtij libri, vlejnë të theksohen vitet në Gjykatën Kushtetuese e Gjykatën e Lartë (2002-2012), në detyrën e këshilltarit ligjor, si dhe funksionet publike Zv/Kryetar e Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Libri vjen me një kopertinë e cila simbolizon të drejtat e njeriut nëpërmjet këndvështrimit të autorit, përcjellë përmes tre ngjyrave; e bardhë, e kuqe dhe blu.
Libri i cili vjen me parathënien e ish- gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, Dr. Sokol Berberi fillimisht synon të hedhë dritë, brenda terrenit shqiptar mbi konceptin dhe bazën filozofike të të drejtave të njeriut, duke mbështetur dhe theksuar pikëpamjen dhe teorinë e të drejtës natyrore për justifikimin e këtyre të drejtave.
Më pas synohet të shpaloset procesi i sendërtimit të të drejtave të njeriut në të drejtën kushtetuese nga këndvështrimi i konceptit natyror; dhe, për të kaluar te objekti kryesor i librit, evidentimin dhe analizën e konstitucionalizmit e të drejtave të njeriut në aktet kushtetuese shqiptare, duke e përqëndruar vëmendjen në Kushtetutën e vitit 1998.
Analiza përgjatë gjithë librit referohet në burime të shumta autoritare, doktrinare dhe jurisprudenciale, të huaja dhe vendase. Bibliografia e konsultuar dhe referancat përkatëse mund t’u vijnë në ndihmë të gjithë studiuesve të interesuar për të shkuar më tej dhe për t’u thelluar në çështje dhe argumente të veçantë.
“Në fillim, kur u njoha me përmbajtjen e librit, pa e lexuar me kujdes, isha mosbesues dhe skeptik për këtë objektiv studimor kaq të gjerë dhe për bashkimin e dy pjesëve kryesore të tij, pavarësisht arsyeve të shprehura nga autori për këtë përqasje. Por, mbasi e mbarova së lexuari, besoj se autori ia ka dalë t’i mbajë këto dy pjesë të lidhura me një fill përshkrues, që ndërlidh kuptimin dhe filozofinë e të drejtave të njeriut me konstitucionalizmin, duke i shërbyer dhe qëllimit praktik të librit”, thotë Dr. Sokol Berberi në parathënien e librit.
Lexuesi i librit do ta gjejë veten përballë dilemash të tilla, si: a janë të drejtat e njeriut të prejardhura nga një fuqi mbinjerëzore, apo janë thjesht konvencione, shpikje të njeriut, në përpjekje për të përmirësuar jetën? A kanë ato një peshë specifike të caktuar; a janë ato të barabarta mes tyre; a ndryshojnë me ndryshimin e rrethanave të tjera politike, sociale e ekonomike? Kujt i përkasin të drejtat e njeriut, apo, me fjalë të tjera: cili është subjekti që mund t’i pretendojë ato? Ku bazohen të drejtat e njeriut, cila është baza e tyre filozofike? A ekzistojnë ato universalisht, apo kultura të ndryshme detyrojnë edhe të drejta të ndryshme njerëzore? Po në të drejtën kushtetuese shqiptare e gjetiu, si janë konstitucionalizuar ato? Pasues të cilës shkolle të të drejtave të njeriut u bënë etërit tanë kushtetues, nga njëri akt kushtetues në tjetrin? A ishte kjo një zgjedhje e vetëdijshme, apo jo? Çfarë mund të thuhet për përmasat, efikasitetin, garancitë ndër vite?
Përgjigjet nuk janë plotësisht të detajuara e shteruese, qoftë edhe për faktin se, disa nga këto pyetje janë të atij karakteri e asaj përmase, sa të shërbejnë si baza për një libër tjetër, krejtësisht të dedikuar e sërish të pamjaftueshëm. Sidoqoftë, çdo individ i interesuar për t’u thelluar më tej, pas këtij leximi do të ketë më së paku nxitjen intelektuale dhe orientimin në referencat shkencore.
“Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”, një libër i munguar në auditore
Promovimi i librit, “Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi”, erdhi në formën e bashkëbisedimit mes studentëve, pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe autorit Denar Biba si një botim që do t’u shërbejë shumë atyre në të dyja nivelet e studimit si në Bachelor ashtu edhe në Master.
“Është një libër i guximshëm sepse shkëputet nga qasja ngushtësisht teknike dhe duket sikur dhe ngjyrat në kopertinë pasqyrojnë anën tuaj personale. Shpeshherë në nëpër rreshta gjenden qaseje tuaja individuale, por që e shprehin qartazi qëndrimin tuaj ndaj temave të ndjeshme. Ajo që do të konsideroja si vlerë e shtuar për studentët është për mënyrën se si ju e keni parashtruar. Kontributi juaj në raport me libra të tjerë që i konsideroj më teknik, është më i plotë, më i arrirë në terma të shprehive dhe nënkupton atë ndjeshmërinë tuaj ndaj të drejtave të njeriut dhe një qasje filozofike“, u shpreh Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, Juelda Lamçe gjatë promovimit të librit në UET.
Ndërsa pedagogia e UET, Sofjana Veliu e konsideroi si një libër të vonuar dhe të munguar për auditoret e universitetit.
“Një libër i vonuar, ndoshta jo për autorin, por për ne që kemi dhënë “Të drejtën Kushtetuese” në Bachelor dhe Master është ndierë si një mangësi një botim i tillë. Pavarësisht se ka botime, ky libër përcjell një panoramë të qartë, por ka edhe një koncept filozofik të të drejtave të njeriut, jo thjesht zbërthimi i dispozitës kushtetuese, ose interpretim, por ka të bëjë me zbërthimin e konceptit se çfarë janë të drejtat e njeriut“, u shpreh Veliu.
“Të Drejtat e Njeriut dhe Konstitucionalizimi” vjen përmes recensave shumë pozitive nga profesionistë të fushës, të cilët e njohin mirë ligjin dhe kanë shërbyer nëpër poste të rëndësishme të fushës së ligjit.
“Ajo që të bën përshtypje është fakti se, analizën filozofike mbi të drejtat e njeriut të shndërruar në një debat filozofik, autori e ka pasur si orientim për ta paraqitur jo vetëm në krerë të veçantë, por edhe brenda çdo kreu. E gjithë analiza të bën të mendosh se ke të bësh me një autor që ka studiuar në shkencat filozofike dhe jo ato juridike. Ne na mungojnë analiza të tilla nga juristë. Për këto trajtesa kemi nevojë dhe autori na e ka plotësuar një boshllëk të tillë.”, çmon juristi dhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi.
“Niveli shkencor i librit është mjaft i arrirë në të dy pjesët e tij. Në pjesën e parë, fillimisht mund të duket se gjërat përgjithësisht janë të njohura, por kur i lexon ato, menjëherë konstatohet se çështjet trajtohen në një mënyrë krejt origjinale. Autori jo vetëm radhit, përmend autorë, ngjarje dhe dokumente, por ndërhyn, vlerëson, komenton dhe analizon në mënyrë të vazhdueshme e në çdo paragraf. Ai nuk heziton të thotë mendimin e tij kudo dhe në mënyrë tepër të këndshme dhe unike. Pikërisht për këto arsye libri lexohet me mjaft dëshirë, pavarësisht hapësirave që normalisht i lihen lexuesit për të qenë ose jo dakord me ato që thuhen aty. Para jush sot është një vepër me të vërtetë shkencore, e plotë, tepër origjinale, shumë interesante dhe mjaft e dobishme.”, vlerëson ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
“Autori shpalos dhe u referohet autoriteteve me më shumë influencë në botën e sotme të së drejtës. Ai nuk i reziston tundimit intelektual, disi romantik, për t’u përfshirë në debatet filozofike që kanë shoqëruar të drejtat e njeriut që në pikënisje, duke u rreshtuar në krahun e atyre mendimtarëve dhe filozofëve që mbrojnë pikëpamjen e të drejtës natyrore si burim për drejtat e njeriut. Këtë qëndrim autori përpiqet ta reflektojë përgjatë analizës edhe në pjesën e dytë të librit. Ndoshta, autori, më shumë se sa për bazueshmërinë e argumentit filozofik e teorik të së drejtës natyrore, nga një kënvështrim utilitar, reflekton shqesësimin për të përkrahur teorinë që i mbron dhe i garanton në mënyrë më efektive dhe praktike të drejtat e njeriut”, çmon Dr. Sokol Berberi.
Denar Biba është gjithashtu bashkautor i librit “Parime Kushtetuese dhe të Drejtat Themelore në Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese” (Botimet “Konrad Adenauer Stiftung” & UT, Adelprint, Tiranë 2012)