“Terminologji Informatike” në UET: A është i mundur shqipërimi?
Autorët besojnë se po, ndërsa sjellin edhe propozimet e tyre për më shumë se 500 kuptime fjalësh e shprehjesh që shoqërohen me rreth 600 citime nga bibliografia.
“Terminologji informatike: problematika dhe zgjidhje”, është fryt i një pune disavjeçare të autorit Erion Çano në bashkëpunim të ngushtë me Prof. Edmond Tupen, libër i cili sapo ka parë dritën e botimit nga shtëpia botuese Uetpress.
Autorët vijnë në këtë studim me të gjithë ekspertizën e tyre: Çano, kërkues shkencor postdoktoral në Universitetin e Vjenës dhe profesor Tupja, shkrimtar, studiues dhe shqipërues i sprovuar.
Përpara studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, autorët shpjeguan se: “Problemet (që ndeshen si në bibliografi, ashtu edhe në ligjërimin e përditshëm) dhe vështirësitë e shumta që ndeshim kur përkthejmë lajme, artikuj, shkrime etj. nga fusha e teknologjisë së informacionit kanë qenë shtysa kryesore për botimin e këtij libri”.
Përtej titullit të përmbledhur që kufizohet tek disiplina e informatikës, bibliografia e shqyrtuar në këtë botim është e larmishme dhe analiza terminologjike shtrihet jo vetëm në drejtimet më specifike të informatikës, por edhe në fusha të tjera të lidhura ngushtësisht me teknologjinë e informacionit, si matematika, logjika, statistika, elektronika analoge, elektronika numerike, telekomunikimi etj. Veç vënies në dukje të problemeve, autorët janë përpjekur të japin zgjidhje për secilin prej tyre, duke sugjeruar përkthime për shumë fjalë e shprehje të vështira, duke propozuar neologjizma, duke sugjeruar rijetësimin e disa fjalëve të harruara etj.
Në libër diskutohen rreth 500 kuptime fjalësh e shprehjesh, shoqëruar me rreth 600 citime nga bibliografia. Secili citim përfaqëson një përdorim të saktë, të pasaktë ose të diskutueshëm të fjalës që shqyrtohet. Kritikohen prurje me parashtesa dhe prapashtesa të gjuhës angleze (në vend të atyre shqipe që përbëjnë veçori tipike të gjuhës), shtrembërime të shpeshta të disa fonemave (p.sh. ç dhe gj), mospërkthime të fjalëve e shprehjeve, mospërshtatje e keqpërshtatje si edhe shumë prurje që i gjykojmë të panevojshme.
Për disa fjalë që përbëjnë “mungesa”, propozohen neologjizma bazuar kryesisht te kompozimi i morfemave të shqipes. Autorët sugjerojnë gjithashtu rijetësimin e disa fjalëve “të harruara”, të cilat janë mjaft të vlefshme për të zëvendësuar fjalët e huaja.
Është zhbiruar fund e krye terminologjia në 31 tekste shkollore, nga të cilat 19 janë për klasat e arsimit parauniversitar dhe 12 për lëndë të ndryshme të arsimit universitar. Janë shqyrtuar gjithashtu me imtësi 2 tekste universitare në gjuhën italiane (për referenca ndërgjuhësore), 9 fjalorë të vjetër shumëgjuhësh (në gjuhën shqipe dhe disa gjuhë të tjera) të disiplinave tekniko-shkencore, 3 fjalorë në gjuhët angleze, italiane dhe frënge, 4 fjalorë të përgjithshëm në gjuhën shqipe (FGJSSH dhe tre të tjerë), 2 botime të natyrës informuese, 2 studime gjuhësore, si dhe 4 artikuj studimorë të viteve të fundit.
Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Prof. Dr. Petraq Papajorgji dhe Përgjegjësja e Departamentit të Teknologjisë dhe Informatikës, Dr. Aurora Binjaku, vunë në pah vlerën e këtij botimi “si një shtysë e fortë për t’u kujdesur në shqipërimin e terminologjisë informatike, ku propozimet e autorëve vijnë të tilla që mundësojnë përshtatjen në shqip të kësaj terminologjie”.
Digjitalizimi dhe lidhja në internet e veprimtarive shoqërore dhe e krejt informacionit të lidhur me to, po ndikojnë në një masë të madhe te gjuhët e vendeve të ndryshme. Për këtë arsye, aspektit cilësor të gjuhëve në internet po i kushtohet një vëmendje e veçantë vitet e fundit. Problemet e drejtshkrimit, shtrembërimet fonetike, mospërshtatja e fjalëve të huaja dhe çështje të tjera të shkrimit të shqipes në internet janë serioze dhe me pasoja të frikshme për gjuhën. Këto problematika kanë qenë shtysat kryesore për punën studimore që paraqitet në këtë libër, i cili përfaqëson një shqyrtim të gjerë bibliografik të përqendruar tek terminologjia e teknologjisë së informacionit dhe botimet e lidhura me të.
Libri gjendet në libraritë kryesore të Tiranës, si edhe online në versionin elektronik.