Projekti e-Viva/ UET shpërndan ‘pasaporta’ për tregun e punës
Universiteti Europiane i Tiranës ka zhvilluar ceremoninë e dhënies së certifikatave “Kompetenca e lidhur me shërbimin” në kuadër të projektit e-VIVA. Ky projekt i financuar nga Bashkimi Europian, ka hyrë në vitin e tretë të zhvillimit, ndërsa UET drejton mes 16 partnerëve në projekt, mes të cilëve dy universitete shqiptare.
Vlen të theksohet që është një nga projektet me vlerën më të madhe të fituar ndonjëherë nga universitetet shqiptare dhe fokusi i tij është evidentimi i kompetencave themelore që lidhen me sektorin e shërbimit.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e UET, me të pranishëm pedagogë, studentë pjesëmarrës në projekte, i ftuar ishte edhe Drejtori i Burimeve Njerëzore Balfin Group, Elvin Nosi, i cili u njoh më nga afër me projektin dhe përpjekjen për të nxjerrë në tregun e punës kapacitete që dinë dhe njohin kompetencat e tyre.
Zëvëndësrektorja për Zhvillimin Institucional dhe Studentët në UET, Prof. Dr. Ermira Qosja, e cilësoi e-VIVA një nga projektet që është më afër me tregun e punës.
“Projekti ka zgjedhur të fokusohet në një kompetencë, për të cilën të gjithë statistikat europiane e botërore tregojnë se është një nga kompetencat më të rëndësishme, por edhe një studim i bërë në vitin 2020 me studentët e masterit, tregonte që studentët që hyjnë në tregun e punës, kompetenca që kërkohet për ta është ajo që ka lidhje me shërbimin me klientët. E-Viva më tepër se një përqasje për të ndryshuar universitetet, është një përqasje për të ndryshuar mentalitetin në lidhje me procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Përtej faktit se prej vitesh KE orienton edukimin drejt kompetencave, ky projekt vendos në qendër studentin, i cili bëhet ndërveprues dhe vlerësues i mënyrës sesi ai e zhvillon kompetencën e tij. Për qartësim koncepti, kompetenca është një shumatore e tre komponentëve, aksesit, njohurisë dhe qëndrimit. E-Viva e zhvillon gjithë metodologjinë përmes disa metodave të mësimdhënies dhe mësim nxënies duke e përfshirë studentin dhe duke e vlerësuar ai sesi zhvillohet brenda një moduli apo lënde.
Që ky projekt të marrë jetë në tregun e punës, që aq shumë e kërkon këtë kompetencë, ka nevojë për një lidhje më të fortë të universitetit me qeverinë dhe bizneset. Diploma është e domosdoshme për të hyrë në tregun e punës por nuk mjafton. Nëse certifikata që shpërndajmë sot, do të fitonte një autorësi, do të kërkohej në tregun e punës, universitetet do të kishin mundësi bashkë me diplomën të ofronin të tilla certifikata, besoj se do të ishin pasaporta shumë të mira në tregun e punës”, deklaroi Qosja.
Lidhur me projektin e-VIVA dhe përdorimin e teknologjisë, foli edhe Drejtori IT-së, Agim Kasaj, i cili tregoi se ky projekt solli krijimit të një platforme që iu shërbeu studentëve për matjen e kompetencave.
Një prej risive në projektin e-Viva, është përdorimi i një platforme, e cila kë për qëllim të vetë që njohuritë, kapacitetet, zhvillimin e kompetencave që studentët kanë marrë, ta masin, ta vlerësojnë dhe certifikojnë në një mënyrë të standartizuar.
Kjo platformë që po përdorim në këtë projekt, mundëson që të ruaj, dokumentojë zhvillimin e kompetencave që juve ju kanë ndodhur gjatë ndjekjes së mësimit apo trajnimit në UET. Në fund të procesit ju pajiseni me një lloj dokumenti, certifikatë të standardizuar, ku është ndjekur një metodologji standarde. Ka vite që është implementuar në Evropë dhe tani kemi filluar ta impelementojnë edhe ne në UET”, u shpreh Kasaj.
Drejtori i burimeve Njerëzore të Balfin Group, Elvin Nosi, e cilësoi këtë projekt një mundësi të mirë për tregun e punës dhe grupin ku bën pjesë, pasi sipas tij prej kohësh ndjehet mungesa e kësaj kompetence tek të rinjtë. Nosi tha më tej se projekte të tilla janë kyçe për bashkëpunimet shkolla- biznese- shtet.
“Një lajm shumë i mirë për tregun e punës, për bizneset dhe Balfin Group, sepse prej kohësh e ndjejmë mungesën e kësaj lloj kompetence tek të rinjtë, apo punëkërkuesit në përgjithësi. Është një nga kompetencat kryesore, duke pasur parasysh prezencën e Balfin Group në industrinë e shërbime, hotelerisë. Kompetenca që ky projekt merr përsipër, është më e rëndësishmja, bazë, që bizneset aktualisht përpiqen ta zhvillojnë me resurset e tyre të brendshme, nëpërmjet trajnimeve që zhvillojnë. Kemi kuptuar që kjo nuk mjafton për të pasur një forcë punëtore në treg, e cila do të sigurojë në çdo moment rekrutime të suksesshme dhe punonjës të suksesshëm. Programet të tilla janë kyçe në trinomin biznese- shkolla- shteti, të cilët duhet të punojnë në mënyrë të koordinuar, që të bëjnë të mundur që sektori i shërbimeve, në përgjithësi dhe turizmit e hotelerisë, të cilët shihen si nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike për vitet në vijim. Ky certifikim që ju po bëni, është shumë i nevojshëm në tregun e punës, prandaj shfrytëzoj rastin të ftoj studentët të ftojnë ëeb-sajtet tona për të parë mundësitë që ofrohen”, u shpreh Nosi.
Një nga studentet pjesëmarrëse në projekt, ndau me të pranishmit përvojën e fituar prej tij, një përvojë ndryshe nga projektet e tjera.
“Arsyeja kryesore pse zgjodha të studioj në UET ishte pikërisht zhvillimi i projekteve dhe partneritetet e shumta që UET ofron. Projekti e-Viva është një projekt i veçantë dhe ndryshe nga ata ku kam marrë pjesë, i cili më ndihmoi të vlerësojmë kompetencat tona, të njohim dhe perceptojmë aftësitë tona në lidhje me bashkëpunimin me njëri-tjetrin, planifikimin, komunikim etj. Të gjitha këto na ndihmuan ne të analizojmë aftësitë tona për të kryer punët me efikasitet dhe për të arritur suksesin”, u shpreh ajo.