Fan Noli, rebeli i viteve ’20-’24/ Ilir Ikonomi sjell vëllimin e dytë biografik, botim i UET Press
Pas librit “Apostulli”, autori dhe studiuesi Ilir Ikonomi sjell vëllimin e dytë shterues, me të njohurat e të panjohurat e peshkopit, përkthyesit, ideatorit dhe politikanit Fan Noli. Pesë vite intensive, me zhvillime të vrullshme në skenën politike shqiptare, ndërsa rebeli Noli bën përpjekjen e tij të guximshme për të ndryshuar kryekëput faqen e historisë së Shqipërisë.
Në vitet 1920-1924, Fan Noli apostull shndërrohet në rebel. Ndërmerr një rrugëtim të guximshëm, idealist, misionar e deri diku aventurier. Do të jenë vitet më angazhuese në karrierën e tij politike, gjatë të cilave realizoi atë që e cilësonte si arritjen më të rëndësishme të karrierës publike, futjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Realizoi dhe premtoi akoma më shumë. U përfshi në politikën shqiptare në vitet më të turbullta dhe komplekse të saj, e ndoshta për këtë fakt e për shumë faktorë të tjerë që renditen në biografinë e tij më të re, ishte i destinuar për mossukses.
Studiuesi Ilir Ikonomi zhbirilon me detaje dokumente, letërkëmbime, shënime në arkivat e Shqipërisë, SHBA-së, Europës e më gjerë, që për habinë e tij i kanë shpëtuar syrit të historianëve, dhe na sjell me detaje jetën publike dhe politike të Fan Nolit diplomat, deputet e kryeministër.
Noli mbërriti në brigjet shqiptare në shtatorin e vitit 1920 dhe e kuptoi shpejt se do të përballej me atë që autori e cilëson si “foleja e grerëzave” të politikës shqiptare. Kundërshtarët politikë, që thellë-thellë veçse i druheshin edhe e admironin, thjesht ia vonuan hyrjen në skenën politike shqiptare, vonesë që i dha edhe më shumë fuqi, autoritet e protagonizëm në arenën ndërkombëtare.
Me të njëjtën devotshmëri, qasje, skupolozitet të përdorur në vëllimin e parë “Apostulli”, autori rizbulon ngjarje të njohura e të panjohura, të thëna e të pathëna, nën dritën e fakteve, me paanësi dhe vërtetësinë e asaj që mbetet nga e zeza mbi të bardhë.
Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, i dëshmuar tashmë si autori i biografive, e titullon “Rebeli” vëllimin e dytë dedikuar veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX, jo për të provokuar, por për të sjellë atë pjesë të karakterit që Noli e tregoi me vepra.
“Noli guxonte të thoshte ‘jo’, ishte një rebel”, sqaroi Ikonomi gjatë promovimit të librit në Tiranë, i sapo botuar nga shtëpia botuese UET Press. “U rebelua kundër kishës greke kur erdhi në Shqipëri në 1921. Pastaj u rebelua kundër status quo-së, që ai e quante sistem feodal, atë sistem që donte të shkatërronte me një të rënë të shkopit, por që nuk e bëri dot për arsye që unë i shpjegoj në libër”, theksoi më tej studiuesi.
Një prej botimeve më të rëndësishme të UET Press, e quajti drejtuesja e shtëpisë botuese, Suadela Balliu. “Që vitin e kaluar, kur gazetari dhe tashmë biografi i mirënjohur Ilir Ikonomi njoftoi se do të sillte një biografi të një prej figurave më të spikatura, poliedrike e shumëdimensionale të jetës intelektuale, patriotike e politike të Shqipërisë u kuptua se nuk ishte nga ata libra që do të kalonte në heshtje”, theksoi më tej, duke e vlerësuar autorin për stilin dhe seriozitetin e vulosur me biografitë e mëparshme, që nga koha kur botoi librin “Pavarësia” e më pas me “Esat Pashë Toptanin, “Faik Konicën”, etj.
“Rebeli” botohet në Tiranën e 2024-s, njëqind vite më pas nga ngjarjet që trajton ky libër, në një atmosferë politike po aq dinamike ndoshta sa një shekull më parë, po me mungesën e peshës së figurave të papërsëritshme të asaj kohe.
Retrspeksioni ishte një sfidë për një autor si Ikonomi që zgjedh të mos analizojë, të mos mbajë qëndrim, të mos jetë shumë kritik apo shumë emocional dhe mendimin e fundit t’ia lërë lexuesit. “Që t’ia afrosh realitetin e asaj kohe lexuesit të sotëm duhet ta zhysësh në atë epokë. Të mos e analizosh epokën e atëhershme me kriteret e sotme”, theksoi studiuesi.
Duke bërë një përmbledhje të të gjitha ngjarjeve historike që trajtohen në këtë vëllim, historiani Marenglen Kasmi e cilësoi një libër ndryshe si nga përmbajatja, trajtimi, por edhe stili i të shkruarit, ku gërshetohet gazetari me historianin.
“Një gazetar i sprovuar si Ikonomi arrin që duke i ndërthuruar me zotësi të dyja gjinitë të sjellë një botim të qëndrueshëm, i cili në trajtimin dhe mënyrën e sjelljes së librit sfidon, ndoshta provokon historianët që merren me këtë periudhë, por edhe lexuesin”, nënvizoi ai më tej.
Historiania dhe kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, Nevila Nika e përgëzoi autorin për durimin dhe punën e bërë në shfrytëzimin e arkivave, sa e vështirë aq edhe e bukur.
“Arkivat duhen për këdo që merr përsipër të shkruajë, të paktën libra që i takojnë historisë, por edhe romane, siç ka qenë botimi i UET Press “Për në Shqipëri Karl’. Je për t’u përgëzuar për lodhjen që kalon kur shfrytëzon arkivat. Nuk janë të lehta, janë shumë të bukura, sidomos kur lexon letrat origjinale të Nolit dhe ke ndjesinë që Noli është aty.”
Në librat e Ikonomit nuk do të gjeni “heronj” e as “tradhtarë”, por vetëm personazhe që i ka prodhuar koha, me të mirat e të këqijat e tyre. Siç e thotë edhe vetë autori, ai i përshkruan këta personazhe si “aktorë të një teatri me kukulla në skenën e Shqipërisë së varfër”.
Libri prej 425 faqesh është i pajisur me shënime shteruese dhe me një aparat të mirë kërkimor që do t’u vlejë lexuesve dhe studiuesve të historisë. Ky vëllim i shtohet kolanës së botimeve biografike të Shtëpisë Botuese UET Press, me të cilën Ikonomi ka një marrëdhënie afatgjatë, duke dëshmuar mbi jetën e disa prej personaliteteve më me ndikim të politikës dhe çështjes shqiptare. Pavarësisht personazhit që ai merr përsipër të rizbulojë, emri dhe puna e tij garantojnë vendin e librit në bibliografinë e personazheve historike.
Ikonomi premtoi edhe një vëllim të tretë për të kompletuar biografinë e Fan Nolit. Duhet të presim dy vite të tjera për të parë se me çfarë lentesh do ta sjellë periudhën e tërheqjes së Nolit nga teatri politik dhe largimin përfundimtar nga ‘vatra e zjarrtë’ e ëndrrave që i dogjën shpirtin.