DSSH XIII/ 98 studiues bashkohen në UET për sfidat e sistemit nga Inteligjenca Artificiale

Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi për të trembëdhjetin vit radhazi Konferencën Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare. Ky edicion u zhvillua në bashkëpunim me Panteion University, universitetin më të vjetër të shkencave sociale dhe politike në Greqi.
Tematika qendrore e kësaj konference, “Generative AI: Challenging the System”, mblodhi 98 studiues nga Shqipëria, rajoni, Evropa Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, të cilët hodhën ide dhe zhvilluan diskutime për impaktin e inteligjencës artificiale gjeneruese, jo vetëm si teknologji, por si forca që po transformon mënyrën si mendojmë, punojmë dhe projektojmë të ardhmen.
Në ditën e parë të hapjes, konferenca u përshëndet nga drejtuesit e universitetit, pedagogë dhe të ftuar nga universitetet partnere, si dhe përfaqësues nga industria. Duke bërë një krahasim mes revolucioneve industriale dhe zhvillimeve të sotme teknologjike, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa theksoi se ritmet rritjes së produktivitetit në ekonomi nuk janë të njëjta.
“Statistikat tregojnë se, nëse në revolucionin e parë produktiviteti i punës rritej 3–6% në vit, sot rritet 0.7% dhe ndoshta vetëm për ekonominë më inovative, që është ekonomia amerikane. Ka kaq shumë gjëra që po ndodhin dhe ne nuk po ia ndjejmë akoma benefitin”.
Në fjalën e saj rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Drita Kruja vuri në dukje se debati nuk duhet të fokusohet vetëm te përdorimi i saj, por te ndryshimet që ajo sjell në thelb.
“Pyetja nuk është vetëm çfarë mund të bëjë AI, por se çfarë po ndryshon ajo në themelet e sistemeve tona dhe mbi të gjitha si duhet t’i përgjigjemi ne si universitete, si institucione dhe si shoqëri.”
Zv. rektorja e Panteion University, Maria Meng-Papantoni vlerësoi bashkëpunimin mes dy universiteteve dhe dy vendeve, duke e emëruar si reflektim i angazhimit për të dialoguar për të ardhmen e teknologjisë dhe studentëve tanë. Sipas saj, teknologjitë e reja po ridimensionojmë mënyrën si mendojmë.
“Inteligjenca artificiale gjeneruese jo vetëm që sfidon sistemin, por na fton të reflektojmë mbi atë që në atë sistem duhet të ruajmë dhe çfarë duhet të kemi guximin të rimendojmë.”
Dita e dytë vijoi me prezantimin e punimeve shkencore para pesë paneleve sipas fakulteteve të këtij universiteti. Në mbyllje të konferencës shkencore, referuesit u pajisen me certifikata pjesëmarrjeje, ndërsa disa prej punimeve të tyre do të jenë pjesë e botimeve të ardhshme të revistave shkencore në UET: Polis, Economicus, Justen&Justicia, Ingenious dhe Medicus.

