DSSH Junior Researchers / Nderohen me Çmimin e Presidentit 5 kërkuesit e rinj të UET-së

Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi edicionin e tretë të Interdisciplinary Junior Research 2021, ku pas prezantimit të punimeve nga studentët e ciklit Master, u vlerësuan me Çmimin e Presidentit 5 më të mirët

Në kuadër të Ditëve të Erasmus 2021, u organizua në Universitetin Europian të Tiranës Konferenca e Ditëve të Studimeve Shqiptare për kërkuesit e rinj. Në 5 panele paralele me pedagogët përkatës të fakulteteve të Universitetit Europian të Tiranës, studentë të ciklit Master prezantuan punimet më të mira të diplomave, të cilat hulumtonin problematika të ndryshme në fushat e tyre të studimit. Ky edicion i tretë pati risi përfshirjen e studentëve nga të 5 fakultetet, ku për herë të parë morën pjesë studentë të arteve dhe të Inxhinierisë.

Nga prezantimet e punimeve më të mira, u përzgjodhën 5 fitues, respektivisht për secilin fakultet, të cilët u nderuan me Çmimin e Presidentit. Dhënia e vlerësimit u krye në një ceremoni të organizuar në mjediset e jashtme të UET-së, ku ndër të tjera ishin të pranishëm partnerë të ndryshëm të UET-së, brenda jashtë Shqipërisë, pjesëmarrës në projektet e Erasmus+.

Presidenti i UET-së Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, u shpreh krenar për cilësinë e kërkimeve nga studentët e ciklit Bachelor dhe Master, që sipas tij gjatë viteve po përmirësohen ndjeshëm.

“Jam i sigurt se me më shumë punë në forcimin e kapaciteteve kërkimore të gjeneratës sonë të re të studentëve, ne mund të jemi në gjendje të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të mëdha të shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Unë mendoj se sfidat tani janë globale, veçanërisht në aspektin e energjisë, por edhe në shumë fusha të tjera. Jemi shumë krenarë me punën tuaj dhe ju lutem vazhdoni të bëni punë të tilla, pasi do të gjeni në universitetin tonë një partner të fortë, që do të punojmë së bashku në të ardhmen, në mënyrë që të mund të përmirësojmë veten dhe kombin tonë”, u shpreh Xhepa.

Më tej, presidenti i UET-së u ndal në programin Erasmus, duke e cilësuar ndërkombëtarizimin si një nga vlerat e shtuara që UET iu ofron studentëve, nëpërmjet shkëmbimeve apo pjesëmarrjes në projekte të ndryshme.

“Erasmus një herë në vit na viziton në universitetin tonë dhe ne jemi shumë krenarë që kemi qenë në gjendje të punojmë me institucione dhe organizata të njohura në Shqipëri dhe jashtë saj. Në fakt, përmes diskutimeve që mbajmë me studentët që vizitojnë universitetet e huaja ose profesorët partnerë, që na vizitojnë nga universitetet e huaja, mendoj se janë një ndihmë e madhe për ne që të përmirësohemi. Përmirësimi i vazhdueshëm është e vetmja mënyrë që ne të mund të vazhdojmë me ndryshimet që po ndodhin përreth nesh”, tha ndër të tjera Xhepa.

Zv/Rektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Prof. Dr. Drita Kruja e quajti UET-në një mjedis stimulues, jo vetëm për studentët e për stafin akademik, por edhe për kërkuesit e rinj. Mjedisi i tillë, sipas saj, krijon mundësi që përveç kërkimit, studentët të bëhen pjesë e projekteve, që në fakt janë të shumta, duke ofruar disa oportunitete.

Aktualisht kemi përfshirjen e studentëve në të gjitha projektet tona, duke filluar nga DATALIT, ku kishim trajnimin dhe certifikimin e 30 studentëve të UET, për zhvillimin e kompetencave në përpunimin të të dhënave..

Në projektin KNOW HUB, 10 studentë do të bëhen e pjesë e një aktiviteti dy javor në Girona, Spanjë, gjatë të cilit do të trajnohen për soft skills dhe sipërmarrje. Projekti e-VIVA ofron vizitë studimore në universitetin Nova de Lisboa në Portugali, për 10 studentët të UET, të cilët do të trajnohen për nxitjen e kompetencave në ekonominë e drejtuar drejt shërbimit.

Projekti GRADUA tashmë ka përfunduar dhe ne kemi një platformë shumë atraktive, jo vetëm për studentët, por edhe për bizneset. Secili nga bizneset mund të regjistrohet në këtë platformë, ku edhe studentët tanë janë regjistruar. Është një mundësi që biznese të gjejnë stafin e tyre nëpërmjet kësaj platforme.

Projekti DRIVE, ku një pjesë të rëndësishme iu dedikohet kërkuesve të rinj.  Në projektin valeu-x, 20 studentë do të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme virtuale, ku do të eksplorojnë dhe promovojnë praktikat më të mira të ndërkombëtarizimit nga shtëpia. Po ashtu, në projektin Virtual, 15 studentë do të ekspozohen ndaj teknologjisë virtuale”, theksoi Zv.rektorja.

Çmimi i Presidentit

Lorena Gosemi- Fakulteti i Ekonomisë

Rei Hodo- Fakulteti i Shkencave Politike, Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Vaster Dhima- Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale

Eriksen Mersinllari- Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës

Erion Kumaraku- Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike