[:en]Panair për profesionet e mjekësisë, risia e fakultetit të ri në UET[:]
[:en]
Panair për profesionet e mjekësisë, risia e fakultetit të ri në UET
“Dita e Mjekësisë” në UET u karakterizua nga një shumëllojshmëri aktivitetesh, duke filluar nga Panairi i Punës, promovimi i librit “Në labirintet e Reformës Shëndetësore”, te zhvillimi i një workshop-i mbi çfarë i bën tërheqëse shkencat mjekësore teknike, takimi me Bordin e Tregut të Punës, si dhe forumi mbi sfidat, me të cilat përballen burimet njerëzore sot në sektorin e mjekësisë.
Për thuajse një dekadë, Universiteti Europian i Tiranës ka dalluar për cilësinë dhe standardet e larta në fusha të tilla si shkencat sociale, ekonomike dhe ato juridike. Tashmë në dekadën e dytë, UET vjen gjithëpërfshirës, duke ofruar edhe degë të tjera të tilla si inxhinieritë, artet, humanitetet dhe mjekësia. Kjo e fundit përbën një nga ambiciet dhe projektet më të mëdha të universitetit, i cili tashmë mund të konsiderohet i një karakteri universal, pasi krahas degëve të shumëllojshme që ofron, sjell për studentët edhe mundësi të shumta për akomodim falë bursave, financimit të studimeve dhe jetës dinamike studentore që karakterizohet në auditor dhe përtej tij.
Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike lindi prej nevojës së shoqërisë shqiptare për të pasur profesionistë cilësorë nga fusha e mjekësisë dhe ka privilegjin të krijohet në një universitet prestigjioz me një eksperiencë të afirmuar mbi 10-vjeçare në mësimdhënie. Ky fakultet pasuron ofertën akademike të UET në të dyja ciklet: Bachelor dhe Master, në degët Fizioterapi, Infermieri dhe Imazheri. Në themelimin e tij kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dita-ditës disa nga emrat më në zë të mjekësisë shqiptare, me kompetencat, eksperiencën dhe dijet e tyre.
“Dita e Mjekësisë” UET 2019
Në vijimësi të katër javëve të hapura të zhvilluara nga katër Fakultetet e tjera të UET, është zhvilluar dita e fundit e ditëve të hapura, por jo më pak e rëndësishme, dedikuar Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Gjatë “Ditës së Mjekësisë” janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, duke filluar që nga Panairi i Punës, promovimi i librit “Në labirintet e Reformës Shëndetësore”, te zhvillimi i një workshop-i mbi çfarë i bën tërheqëse shkencat mjekësore teknike, takimi me Bordin e Tregut të Punës, si dhe forumi mbi sfidat me të cilat përballen burimet njerëzore sot në sektorin e mjekësisë. Komunikimi dhe bashkëpunimi mes botës së biznesit dhe UET nuk qëndron vetëm në zhvillimin e këtij Panairi Pune, por shtrihet përtej edhe në marrëveshje me disa nga spitalet më cilësore në vend dhe institucione të tjera të shëndetësisë, ku studentët do të mund të realizojnë praktikat profesionale. Të pranishme në Panairin e parë të Punës ishin kompani të ndryshme të shërbimit shëndetësor, spitale, qendra trajnimi, klinika fizioterapie etj., të cilat kanë prezantuar ofertat e tyre për studentët, si për punësim ashtu edhe për internship. Studentët kanë mundur të njihen me kërkesat e tyre, si dhe tendencat që ekzistojnë sot për punësim, duke testuar veten paraprakisht në dhënien e intervistave të para dhe dorëzimin e CV-ve.
“Kam kënaqësinë që në emër të Universitetit Europian të Tiranës, t’iu uroj mirëseardhjen në këtë ditë të hapur kushtuar Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, e cila vjen në vijim të katër javëve të hapura të zhvilluara nga katër Fakultetet e tjera të UET. Dita e fundit e ditëve të hapura, por jo më pak e rëndësishme, pasi i dedikohet një Fakulteti të ri, i cili po rritet pak nga pak”, është shprehur zv.rektorja për Çështjet Akademike në UET, Prof. Dr. Drita Kruja.
Ndërkohë që Prof. Dr. Isuf Kalo, anëtar i Bordit të Besimit në UET, ka theksuar rëndësinë që ka ndërtimi i marrëdhënieve të shëndosha mes universitetit dhe tregut të punës.
“Kjo iniciativë është e re, si çdo gjë që është e re në këtë Fakultet. Kur them e re, e kam fjalën për ngjarjen, jo vizionin dhe filozofinë. Zakonisht një universitet përgjegjësinë e ka brenda mureve të tij, me kurrikulën, programet, tekstet e kështu me radhë, por këtë herë bëhet fjalë për të shkuar përtej mureve, jo thjesht për të dhënë një diplomë të mirë, jo thjesht një karton, por për të dhënë një ‘mjet’ të dobishëm, qoftë për ju si studentë, qoftë për shoqërinë, atje ku ju do të shkoni të punoni. Pra kontakti me tregun e punës është një risi, sepse kjo diplomë merr vlerë pikërisht kur iu vlen ju dhe gjithë shoqërisë”, ka thënë Kalo në fjalën e tij. Ndërkohë ka shtuar në lidhje me infermierinë, fizioterapinë dhe imazherinë, se sot ka një sërë hapësirash të reja, sepse në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, ka disa opsione që në një të nesërme të lejojnë të mbulosh edhe profile të tjera. Gjithashtu për të përshëndetur këtë Panair Pune ishin të ftuar edhe znj. Rudia Nergjoni, Drejtore e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, si dhe znj. Blerina Duka, Presidente e Urdhrit të Infermierit.
Ndërkohë, përgjatë “Ditës së Mjekësisë”, që është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, libri me autor Dr. Shefqet Deliallisi, prek tematika të ndjeshme mbi sistemin tonë shëndetësor, në këtë periudhë reformimi, duke evidentuar probleme, por duke u ndalur edhe në zgjidhjen e mundshme të tyre.
“Ne jemi duke jetuar tranzicione të mëdha që kërkojnë ndryshime thelbësore të sistemit shëndetësor, në qendër të të cilit tashmë duhet të jetë pacienti dhe jo si deri më sot, sëmundja”, shprehet autori, duke zhvilluar më tej një analizë të shkurtër të elementeve kryesore që trajton në libër, duke prezantuar edhe disa prej konkluzioneve të shkrimit të tij.
Aktivitetet përmbyllëse konsistuan në takimin me Bordin e Tregut të Punës, si dhe forumi mbi sfidat me të cilat përballen burimet njerëzore sot në sektorin e mjekësisë.
Laura Qerreti: Në UET gjeta hapësirën e duhur për të zgjeruar njohuritë, përtej auditorit
Laura Qerreti është studente e vitit të parë në degën Fizioterapi pranë Universitetit Europian të Tiranës. Ajo ishte pjesëmarrëse në Panairin e Punës, që u zhvillua ditën e enjte në UET, dhe shprehet se e konsideron këtë si një mundësi shumë të mirë, pasi u informua mbi kompanitë e pranishme dhe hapësirat për punësim që ekzistojnë tashmë në treg për profesionin e saj të ardhshëm.
“Ideja e një Panairi Pune kushtuar krejtësisht Fakultetit tonë më duket një ide shumë e mirë për shkak se duke qenë ende në vit të parë, duhet të kuptojmë se çfarë kërkojnë kompanitë nga ne dhe pse jo të aplikojmë për të qenë pjesë e praktikave të punës që ato ofronin”, thotë Laura.
Ajo ndërkohë tregon se përgjatë këtij viti në UET, mundësitë për të zgjeruar dijenitë kanë qenë të shumta.
“Duke qenë se ishte viti i parë, nuk isha fort e orientuar mbi mundësitë që ofronte profesioni pas përfundimit të studimeve, por me kalimin e kohës, me të gjitha orët e leksioneve dhe seminareve, praktikat, si dhe konferencat e zhvilluara, jam disi më e qartë mbi drejtimin që dua që të marrë karriera ime”, thotë Lauara, e cila ka qenë e pranishme në Forumin e Shëndetit Publik 2018, të organizuar në qytetin e Elbasanit, një konferencë shkencore që kishte të pranishëm disa prej profesionistëve më të shquar në vend.
Vilson Visha: Panairi i Punës, garanci për zgjedhjen tonë
Student në Universitetin Europian të Tiranës për degën Imazheri, Vilson Visha, tregon se zgjedhja që ai bëri për t’i besuar studimet e tij këtij universiteti rezultoi të ishte për të e duhura.
“Isha në mëdyshje në lidhje me degën që do të zgjidhja për të vazhduar studimet e larta. Gjithnjë më ka pëlqyer fusha e mjekësisë, por isha i pavendosur për drejtimin që doja të merrja. Kur u informova nga miqtë e mi se UET kishte hapur degët e Mjekësisë, Imazheria më tërhoqi mjaft dhe duke u nisur edhe nga emri i mirë i këtij universiteti vendosa të vazhdoj studimet e mia për këtë degë”, thotë Vilsoni.
Ai shpjegon se përpara se të regjistrohej, pritshmëritë e tij ishin të larta, edhe prej eksperiencave të miqve të tij që kishin studiuar më parë në UET.
“Më thanë se nëse do të gjesh një universitet ku do të shijosh në maksimum çdo aspekt të jetës studentore, zgjidh UET. Nuk kam ngelur në asnjë moment i zhgënjyer, sepse sot, pas thuajse një viti, e kam kuptuar se çdo të thotë të jesh student, të ndihesh i vlerësuar nga ana e pedagogëve falë mënyrës së tyre të komunikimit me ne dhe mbështetjes së vazhdueshme në procesin mësimor”, thotë Vilsoni, i pranishëm në Panairin e Punës, për të cilin shprehet se është një mundësi e artë për të gjithë studentët, të cilët mund të kenë në një vend të përbashkët të gjitha kompanitë kryesore në tregun e punës.
“Panairi i Punës është një mundësi më tepër që UET ofron, një mundësi që na jep më tepër siguri për zgjedhjen tonë.”
[:]