[:en]Festival aktivitetesh në “Ditën e Biznesit” UET[:]
[:en]
UET Open Weeks 2019/Festival aktivitetesh në “Ditën e Biznesit” UET
Është zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës “Java e Hapur”, e cila është karakterizuar nga një dinamikë në aktivitete, duke filluar që nga UET Tour me maturantët e gjimnazeve në vend te “Dita e Biznesit” që i kushtohej krijimit të urave të bashkëpunimit mes botës së biznesit, universitetit dhe studentëve.
“Java e Hapur” në UET është karakterizuar nga një sërë aktivitetesh me në fokus maturantët, studentët dhe shoqërinë. Në kuadrin e këshillimit të karrierës dhe ditëve të informimit, maturantët e shkollave të mesme “Sami Frashëri”, “Besnik Sykja”, si dhe “Ismail Qemali” janë bërë pjesë e një tradite mjaft interesante, atë të UET Tour. Në një tour të zhvilluar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ata u njohën me ofertën akademike, bursat që mund të përfitojnë, si dhe jetën studentore që karakterizon këtë institucion. Vizita në kampusin e universitetit është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë maturantët mund të kuptojnë më mirë se çfarë mjedisi akademik kërkojnë për të ardhmen dhe a përshtatet universiteti me interesat dhe ambicien e tyre.
Këshillimi i karrierës është një proces shumë i rëndësishëm, që ka për qëllim t’i orientojë dhe ndihmojë maturantët të bëjnë zgjedhjen e duhur për profesionin e tyre të ardhshëm, falë informimit mbi mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, si dhe eksplorimit të secilës prej këtyre alternativave. Maturantët patën mundësinë të përjetojnë eksperiencën e të qenët student, duke parë si funksionon në të vërtetë një orë leksioni, si komunikojnë pedagogët dhe si është atmosfera e një dite të zakonshme në universitet. Njëkohësisht përgjatë kësaj jave është zhvilluar edhe “Dita e Biznesit” në UET e organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Një sërë aktivitetesh janë zhvilluar, duke krijuar një atmosferë dinamike që ka nisur me Panairin e Punës, ka vijuar me seksionin “profil biznesi”, për të shkëmbyer më tej ide dhe zhvilluar diskutime në takimin e Bordit të Tregut të Punës dhe për të përfunduar me një komunikim dhe bashkëbisedim mes drejtuesve të burimeve njerëzore në disa prej kompanive më të mëdha në vend dhe studentëve e pedagogëve. Kjo ditë ishte e fokusuar tërësisht në krijimin e urave të bashkëpunimit mes botës së biznesit, universitetit dhe studentëve, ku përfituesit më të mëdhenj ishin këta të fundit.
Panairi i Punës UET: Përballja e parë e studentëve me tregun e punës
Në dekadën e dytë oferta akademike e Universitetit Europian të Tiranës vjen e zgjeruar në pesë Fakultete. Ky ndryshim është shoqëruar me një sërë risish, ku formati i organizimit të Panairit të Punës është një prej tyre. Ndryshe nga dekada e parë tashmë do të zhvillohen pesë panaire të ndryshme për secilin prej Fakulteteve të Universitetit Europian të Tiranës, të shtrira përgjatë pesë javëve. Në këtë Panair Pune, studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit janë njohur me ofertat për punësim dhe internship të rreth 50 kompanive prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Zv.rektorja për Zhvillim Institucional dhe Studentët, Prof. Dr. Ermira Qosja, nënvijëzoi faktin që Panairi i Punës ka qenë promotor mundësish për shumë vite në UET dhe se strukturimi i tij në format vjen për t’i zhvilluar edhe më tej këto mundësi për studentët. Studentët kanë mundur të zhvillojnë intervistat paraprake, si dhe të bëjnë aplikimet e para për një pozicion pune në kompanitë që ata kanë konsideruar të përshtatshme për profilin dhe interesat e tyre.
Profil Biznesi: “Agna Group” prezanton mundësitë e punësimit
Falë seksionit “profil biznesi” studentët janë njohur më në detaje me kompaninë “Agna Group”, një nga kompanitë lider të FMCG, e cila prezantoi ndër të tjera ofertat e punës për studentët. Përfaqësuesja e këtij grupi, PhD Greta Hysi, Menaxhere e Programit të Orientimit të Punonjësve të Rinj në “Agna Group”, u ka shpjeguar studentëve se cila është filozofia e këtij biznesi, vlerat që ata sjellin në treg për konsumatorët, si dhe mundësitë që ata ofrojnë për përfshirjen e studentëve në këtë kompani dhe vëmendjen që i kushtohet zhvillimit dhe formimit të mëtejshëm të tyre në “Agna Leadership Academy”.
“Që prej themelimit, ‘Agna Group’ ka besuar se aseti më i vyer është kapitali i duhur human dhe se investimi në këtë kapital është një proces i pafund. Është një kompani që investon vazhdimisht në rritjen profesionale dhe personale të punonjësve që janë pjesë e organizatës”, ka thënë znj. Hysi.
Ajo i ka prezantuar studentët me potencialin e kompanisë në tregun e punës, si dhe ofertat që ata kanë aktualisht për përfshirjen e studentëve në internship apo punësim.
Bordi i Tregut të Punës: Network-u i vazhdueshëm për studentët e UET
Përgjatë ditës është zhvilluar edhe një takim me Bordin e Tregut të Punës. Kjo strukturë funksionon prej vitesh në UET dhe përbëhet nga ish-studentë, të cilët tashmë janë të pozicionuar suksesshëm në tregun e punës. Ky bord shërben për krijimin e një rrjeti dhe rritjen e mundësive të punësimit të studentëve të UET. Tashmë UET ka hyrë në dekadën e tij të dytë dhe suksesin e dëshmon jo vetëm me certifikimet kombëtare dhe ndërkombëtare të cilësisë, por edhe falë suksesit të studentëve të tij që janë pozicionuar tashmë në tregun e punës. Mbi 10 000 studentë të diplomuar, janë “ambasadorë” të markës së UET dhe synimi i këtij universiteti është që nëpërmjet mbledhjes së Bordit të Tregut të Punës, i cili përbëhet nga disa prej studentëve më të dalluar ndër vite për ekselencën, iniciativën dhe suksesin në tregun e punës, të forcojë një nga asetet e tij më të forta, rrjetizimin.
Forumi i Burimeve Njerëzore: Sfidat për menaxherët e rinj
Është zhvilluar edhe Forumi “Sfidat sot për burimet njerëzore në korporata”, ku të ftuar për një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë, kanë qenë znj. Anjeza Kelmendi, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në “Balfin Group”, znj. Blerina Krantja, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në kompaninë NOA, si dhe Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Turizmit. Si përfaqësues të organizatave respektive, ata kanë folur mbi sfidat me të cilat përballet sot sektori i burimeve njerëzore, prezantuan studentët me ofertat e punës, si dhe ndanë me ta eksperiencat dhe këshillat për një karrierë të suksesshme në tregun e punës. Është theksuar nevoja nga ana e korporatave për menaxherë të zotë, të cilët mund t’u përgjigjen efektivisht sfidave të kohës dhe kërkesave të vetë kompanive, të cilat janë në kërkim të vazhdueshëm për individë të maturuar, që mund të marrin vendimet e duhura, në një atmosferë ku dominon konkurrenca mes bizneseve. Të ftuarit e këtij Forumi kanë folur gjithashtu mbi strategjitë e organizatave që përfaqësojnë, për identifikimin e talenteve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional dhe personal të punonjësve të tyre.
[:]