[:en]Françeska Shollo: Eksperienca ime, nga UET në University of Chester[:]
[:en]
Françeska Shollo: Eksperienca ime, nga UET në University of Chester
Françeska Shollo, studente në University of Chester në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se sa i rëndësishëm ka qenë ndikimi i Universitetit Europian i Tiranës në formimin e saj.
Gjatë viteve të studimit në ciklin Bachelor për degën Menaxhim Biznesi, Françeska Shollo ka qenë një ndër studentet më të dalluara për performancën akademike, si dhe aktivizimin në jetën studentore. Ajo ka pasur disa eksperienca të vyera, të tilla si shkëmbimi studentor në Lituani, në Siauliai University apo pjesëmarrja në “Oxford Summer School 2018”, të krijuar nga Academy of Law and Economics me profesorë të Oxford University dhe London School of Economics. Përgatitja serioze përgjatë gjithë periudhës së studimeve, por edhe përkushtimi për t’u zhvilluar edhe përtej auditorëve të universitetit, kanë bërë që sot Françeska të ndjekë studimet Master, në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo rrëfen se në të gjithë këtë rrugëtim dinamik, thelbësor për formimin e saj, ka qenë ndikimi i Universitetit Europian të Tiranës.
“Gatishmëria e stafit akademik gjatë procesit mësimor dhe këshillimit të karrierës është një ndër avantazhet kryesore që universiteti ofron. Lektorët janë gjithnjë aty për studentët duke i ofruar udhëzimet e duhura për një hap më të suksesshëm në të ardhmen e afërt. E mira e UET është që nuk mendon për studentët vetëm për brenda auditorit, por edhe jashtë tij. Si një organizator unik, UET mundëson për studentët konferenca me personazhe të suksesshme të biznesit dhe jo vetëm, duke i lejuar ata kështu të ndihen pranë karrierës së tyre të ardhshme”, rrëfen Françeska, duke shtuar se atmosfera e studimit ka qenë mjaft favorizuese për të dhe kolegët e saj në vite.
“UET është me të vërtetë një institucion europian. Kushtet dhe lehtësirat studentore e vërtetuan këtë çdo ditë. Biblioteka me libra të Oxford, Pearson, sistemi e-learning në LMS, salla e konferencave apo leksioneve ndërtojnë ambientin e përshtatshëm studentor.”
Tregon se vendimi për të qenë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, ka ardhur pas sugjerimit të prindërve të saj, të cilët e konsideruan këtë institucion si të duhurin për të.
“Me përfundimin e gjimnazit, dëshira për të gjetur një institucion, i cili të kushtëzon një të ardhme të sigurt në karrierë ishte ajo se çfarë kërkoja nga arsimi i lartë. Vendimi erdhi si sugjerim i prindërve. Ata kishin besimin e plotë se në UET unë do të gjeja një nivel të lartë akademik dhe mund të ndërtoja rrugën e sigurt për karrierën e së ardhmes. Studimet e mia filluan në vitin 2015 në degën e Menaxhim-Biznesit pranë Fakultetit Ekonomik”, shprehet Françeska.
Si çdo student, i cili bëhet pjesë për herë të parë e auditorëve të një universiteti, edhe Françeska kishte pasiguri mbi atë që e priste, megjithatë rrëfen se çdo element i kësaj eksperience i ka tejkaluar pritshmëritë e saj.
“Programi mësimor i ka kaluar pritshmëritë e mia. Mendoja se shumë lëndë do të mbivendoseshin me njëra-tjetrën, por kjo gjë nuk ndodhi. Përkundrazi, ato u ndërthurën çdo semestër dhe në çdo vit isha krenare të shikoja se si rezultatet e mia ma mbështesnin këtë gjë.”
Një nga sfidat më të rëndësishme për një student është përballja me tregun e punës pas diplomimit dhe Françeska ia ka dalë mbanë mjaft mirë të sigurojë sukseset e para.
“Struktura e UET është e ndërtuar për të ndihmuar studentët që ta kenë më të lehtë qasjen në tregun e punës. Gjatë eksperiencës sime trevjeçare leksionet dhe konferencat e panumërta më ndihmuan të kuptoj çfarë kërkon tregu i punës, apo mënyrën se si duhet të sillesh në një intervistë, të shkruash një CV të suksesshme, një letër motivimi apo çfarë presin punëdhënësit nga ty në momentin që ke aplikuar për një vend pune. Një puzzle i mirëformuar që ndërtoi tek unë vetëbesimin dhe shtoi dëshirën për të formuar një karrierë të mirëfilltë”, shprehet ajo.
Sugjerimi i saj për Universitetin Europian të Tiranës do të ishte që të krijonte mundësi për internship që në hapat e para të eksperiencës studentore, në mënyrë që ata të jenë edhe më të përgatitur për sfidat që i presin pas diplomimit.
“Do i sugjeroja UET që gjatë vitit të dytë studentët të kishin mundësinë e një internshipi 10-javor që i lejon ata të kuptojnë më mirë se çfarë punëdhënësit kërkojnë, dhe se si teoria e librave kthehet në praktikë. Kultura e organizatës dhe eksperienca e marrë nga internshipi do e ndihmojë studentin për të vazhduar më tej.”
Diplomimi për Françeskën nuk do të thotë thjesht përmbyllje e një etape, tashmë ajo është në fillimin e një eksperience të re, që siguron për të shumë suksese të tjera.
“Pas diplomimit në UET unë vazhdova studimet Master në Angli. Eksperiencat e ndryshme të fituara në UET më ndihmuan të gjeja një pozicion pune si “Student Marketing Assistant” në Zyrën e Karrierës së universitetit. E quaj këtë gjë një arritje, pasi çdo gjë e mësuar gjatë trevjeçarit Bachelor ishin ndihma ime për t’u marrë në konsideratë për këtë vend pune.”
Tashmë që është ALUMNI, ajo u këshillon studentëve që të përfitojnë prej eksperiencës së studimit në të gjitha aspektet e saj, në maksimum.
“Studentëve së pari do u thosha që të shijonin çdo hap të studimeve, sepse vetëm kështu mund të kuptojnë rëndësinë që ka. Së dyti, do i sugjeroja të jenë gjithnjë aktivë dhe të përdorin kontaktet dhe dyert e mundësive që UET hap çdo ditë.”
Ajo gjithashtu inkurajon maturantët të bëhen pjesë e këtij universiteti gjithëpërfshirës, që krijon mundësi për të gjithë studentët e tij.
“Të gjithë maturantëve, të cilët janë në dilemë, do u thosha që nëse vërtet kanë dëshirë të studiojnë dhe të arrijnë objektivat e tyre në jetë duhet të zgjedhin UET. Nëse kanë vërtet dëshirë të studiojnë, por janë edhe të pasigurt në lidhje me universitetin që do të zgjedhin, unë do t’u sugjeroja UET. Përgjigjen e gjen vetëm aty …”
[:]