[:en]UET Game Day/ Kur argëtimi dhe studimi shkojnë krah për krah…[:]
[:en]
UET Game Day/ Kur argëtimi dhe studimi shkojnë krah për krah…
Studentët kanë zhvilluar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, UET Game Day, me një shumëllojshmëri lojërash zbavitëse
Vera për studentët është vërtet një moment i veçantë, pasi provimet kanë përfunduar dhe javët e kohës së lirë parashtrojnë një sërë mundësish për ta. Në Universitetin Europian të Tiranës java e provimeve po afron, por energjia dhe entuziazmi i studentëve nuk mungon. UET Game Day ishte një organizim përgjatë të cilit u zhvilluan plot një sërë aktivitetesh argëtuese brenda ditës. Një ditë e karakterizuar nga lojërat nuk është e pazakontë edhe në universitetet perëndimore, për shkak se përfitimet prej saj janë të shumta duke filluar nga rrjetizimi, puna në skuadër, aftësitë e lidershipit, apo ushqimi për kreativitetin, të menduarit dhe të zgjidhurit të një problemi, bashkëpunimi apo komunikimi ndërpersonal.
E iniciuar nga Qeveria Studentore e UET, Game Day pati një pjesëmarrje të madhe nga ana e studentëve, të cilët e shfrytëzuan këtë mundësi për të kaluar një kohë të bukur.
“Duke konsideruar faktin që universiteti është një eksperiencë impenjative, e cila kërkon vëmendjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të studentëve, jemi vetë ne që duhet të krijojmë hapësirat e nevojshme për të përfshirë në këtë proces të përfitimit të dijeve edhe elementin argëtim, që të mësojmë diçka të re, të nxisim talentet personale apo të zgjerojmë rrjetin e kontakteve. Qeveria Studentore në UET angazhohet përgjatë gjithë vitit akademik të realizojë një sërë projektesh dhe aktivitetesh të iniciuara nga vetë studentët dhe Game Day ishte një ide që u përqafua menjëherë”, thotë Eglantina Iljazi, një prej organizatoreve dhe senatore në degën Menaxhim Biznesi pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Angazhimi i senatorëve dhe studentëve bëri të mundur që në hollin e Universitetit të organizoheshin një sërë aktivitetesh me karakter argëtues, të vendosura në stenda të ndryshme, me lojëra individuale, por edhe në grup. Eglantina tregon se pjesëmarrja ishte e madhe nga ana e studentëve, edhe përtej pritshmërive fillestare: “Qëllimi ynë ishte të krijonim një event me sa më shumë aktivitete dhe me sa më shumë argëtim, ku studentët të përfshiheshin sa më tepër. UET Game Day kishte shumë interes dhe pjesëmarrje, madje duke i tejkaluar pritshmëritë tona si organizatorë, pasi ishin vetë studentët që dëshironin ta zgjasnin këtë organizim edhe përtej orarit të parashikuar. Me fillimin e vitit të ri shkollor, aktivitetet do të rifillojnë dhe nisur nga suksesi i këtij eventi, ne do ta risjellim UET Game Day në përmasa më të mëdha, me më shumë lojëra.”
Për aq kohë sa argëtimi dhe edukimi shkojnë krah për krah, studentët përfitojnë shumë. Angazhimi i studentëve në aktivitete zbavitëse gjatë kohës së studimit i bën ata pjesë jo vetëm të ndërveprimeve shoqërore midis bashkëmoshatarëve, por gjithashtu hap rrugën për zhvillimin e konkurrencës së shëndoshë.
“Kur mësova për iniciativën e krijimit të një dite të fokusuar tërësisht ndaj aktiviteteve argëtuese, dëshira ime ishte të kontribuoja sadopak në krijimin e lojërave dhe jam shumë i kënaqur që stenda të cilën unë mora përsipër të krijoj, ishte një ndër më të frekuentuarat nga studentët. Konkurrenca dhe puna në grup janë njëkohësisht të vlerësuara, veçanërisht në një mjedis akademik dhe kjo ditë ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u argëtuar, mësuar dhe krijuar miqësi të reja”, shprehet Genti Sinani, senator i degës Inxhinieri Ndërtimi, viti i parë, pranë UET.
Ndërkohë që një student të japë më të mirën e tij në sezonin e provimeve, është e rëndësishme që ai të kombinojë studimin me hapësira pushimi dhe argëtimi.
“Në një atmosferë miqësore, që nxit lidhjet ndërpersonale, si kjo në UET Game Day, studentët janë angazhuar në lojërat të cilat kanë qenë të shumta, si individuale ashtu edhe ato në grup. Mendoj që një ditë e tillë ishte shumë e nevojshme për ne, veçanërisht duke konsideruar faktin që provimet po afrojnë, për të krijuar një eksperiencë ndryshe, energjike dhe relaksuese njëkohësisht”, tregon Aurela Gjini, studente pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Përfshirja e elementit argëtim në procesin e edukimit e bën të gjithë eksperiencën e të qenët student më interesante, me përfitime të shumta për këta të fundit.
[:]