[:en]Flori Mumajesi bashkëpunim me studentët e arteve në UET[:]
[:en]
Flori Mumajesi bashkëpunim me studentët e arteve në UET
Universiteti Europian i Tiranës, në ciklin e tij të forumeve të përjavshme, këtë të martë kishte të ftuar artistin e mirënjohur Flori Mumajesi, i cili në një bashkëbisedim me studentët foli mbi sfidat e karrierës, mbi muzikën në Shqipëri, çfarë e motivon, dhe si mund të ngjiten shkallët e suksesit.
Tashmë nuk është e pazakontë të dëgjosh në korridoret e UET tingujt e muzikës së një pianoje apo zërin melodioz të dikujt që ushtrohet në orën mësimore. Falë zgjerimit të Universitetit në pesë Fakultete, sot studentët mund të zgjedhin të edukohen në arte muzikore, artet skenike dhe ato pamore pranë UET. Që prej tetorit të vitit të kaluar, ky universitet ka ftuar në auditorët e tij disa artistë të shquar të skenës shqiptare, për të sjellë në qendër të vëmendjes dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur artit.
Në Forumin e kësaj të marte i ftuar për një bashkëbisedim, në moderimin e Drejtorit të Komunikimit të UET, z. Edi Vlusha, ishte këngëtari dhe kantautori i mirënjohur Flori Mumajesi. Ai ka ndarë me studentët dashurinë e tij për muzikën, filozofinë e punës që e ka udhëhequr deri në këtë moment, si dhe këndvështrimin e tij në lidhje me suksesin në botën e artit muzikor në Shqipëri.
Mumajesi tregon se pjesë e këtij tregu kreativ, por të vështirë është bërë me jo pak mund. Muzika ka qenë pjesë e tij që kahera dhe veçanërisht në hapat e parë qëndronte tek ai si një thirrje e brendshme, një ndjeshmëri e lindur.
“Unë mendoj që në jetë duhet pak talent dhe pjesa tjetër është punë … Që në moshën pesëvjeçare kam kënduar, si shumica e njerëzve që dëgjojnë dhe riprodhojnë atë muzikë që dëgjojnë. Në të vërtetë në mendjen time unë këndoja dhe prodhoja tinguj të krijuar dhe jo të dëgjuar. Përpara pasqyrës, merrja krehrin dhe krijoja ritme, me idenë që po bëja një album, pa kuptuar shumë. Këto ishin disa të dhëna të vogla që më dhanë një shkëndijë, por ishin të pamjaftueshme për të krijuar vetëbesimin e duhur. Ishin vitet më vonë, në ’97, kur filloi moda e grupeve. Ishte ky momenti kur unë krijova edhe grupin ‘The Dreams’ me miqtë e mi, ku realizuam edhe këngën tonë të parë me ato mundësi modeste ekonomike që kishim atëherë. Kënga ‘Ëndrra’ bëri shumë bujë dhe kjo shërbeu për mua si një shkëndijë e parë, ku fillova ta vlerësoj vërtet dhe ta konsideroj këtë si profesion”, u ka treguar ai studentëve.
Mumajesi tregon se ky moment fillestar nuk u shoqërua pa dilema. Fakti që ai nuk kishte marrë një formim akademik në muzikë zgjoi dyshimet nëse do të ishte në gjendje të zhvillonte një karrierë të mirëfilltë në këtë fushë. Sidoqoftë dyshimet nuk e ndalën, tregon se për të plotësuar ato që ai i cilëson boshllëqe në formim, ndoqi një sërë kursesh që nga ai për kitarë, për kanto, si dhe një kurs për kompjuter, për shkak se vizioni i tij për të ardhmen ishte krijimtaria në muzikë. Disa prej përpjekjeve të suksesshme, disa me disfatat e tyre, gjithnjë në kërkim të asaj muzikës që do të përfaqësonte karakterin e tij.
Kantautori i mirënjohur gjithashtu vlerësoi iniciativën e UET për të sjellë për studentët shqiptarë mundësinë e ndjekjes së studimeve në artet muzikore.
“Unë uroj që shkolla të plotësojë te ju atë boshllëk që unë pata ato vite, të kushtëzuar nga rrethanat. Atëherë ishin kushtet e atilla, ndërsa sot janë ndryshe kushtet”, thotë ai.
Ndërsa shton se motivuesi kryesor për studentët e rinj do të duhet të jenë ëndrrat dhe dëshira e mirë për të arritur qëllimet në jetë dhe se puna e palodhur, jo vetëm talenti, përcakton suksesin e së nesërmes. Mumajesi tregon se filozofia e tij mbështetet në tri shtylla:
“Tri gjëra të cilat nuk i ndaj nga filozofia, nga ajo që unë përfaqësoj, janë besimi, këmbëngulja dhe dashuria. Kemi shumë aktorë që ndoshta nuk kanë qenë studentët më të shquar, por aktrojnë shumë mirë. Kur ju të krijoni muzikë, tekste, apo kur këndoni, uroj ta bëni me dashuri. Këmbëngulja, sepse sa më të mirë të jeni aq më tepër vështirësi do të hasni në rrugën tuaj, aq më shumë ambicie do të shihni në jetën tuaj. Këtu në Shqipëri ka shanse të takoni edhe ligësinë … Duhet të këmbëngulni me vullnet për ta kaluar. Besimi, sepse duke besuar vërtet mund të bëhesh ai ose ajo që do.”
Ndonëse i ri në moshë, karriera e Flori Mumajesit është vërtet mbresëlënëse dhe eksperiencat kanë qenë të shumta, si pozitive ashtu edhe negative. Kantautori tregon se i ka ndodhur të mendojë të heqë dorë pikërisht për shkak të sfidave që parashtron tregu tejet konkurrues i muzikës në Shqipëri dhe karaktereve ambicioze që janë pjesë e tij, por pranon se dashuria për muzikën e ka ndaluar ta bëjë diçka të tillë.
Një pjesë e mirë e ëndrrave dhe dëshirave të fëmijërisë së tij janë plotësuar, por mbetet ende shumë për të arritur. Mumajesi e vuri theksin te fakti që një artist duhet të jetë promovues i vlerave dhe nuk duhet të jetë një shembull negativ qoftë për fansat e tij, qoftë për ata që aspirojnë të shndërrohen në artistë një ditë.
Në bashkëbisedimin e tij me studentët ai i ka inkurajuar ata t’i qëndrojnë besnikë vetes dhe të përpiqen gjithnjë të krijojnë në mënyrë autentike.
[:]