[:en]Trajnimi i IEP për mentorship, aplikojnë mbi 150 drejtues shkollash[:]
[:en]
Trajnimi i IEP për mentorship, aplikojnë mbi 150 drejtues shkollash
Maturantët në mbarë vendin vendosen përballë një zgjedhjeje të vështirë kur bëhet fjalë për karrierën e tyre të ardhshme. Cila është dega ku duhet të ndjekin studimet e tyre? Cili është profesioni i duhur për ta? Në kohët e shkuara shpeshherë ky vendim merrej nisur nga informacionet që qarkullonin në lidhje me institucionet e arsimit të lartë ose zgjedhja vinte në bazë të vendimit që prindërit sugjeronin.
Ndërkohë që sot ka një shumëllojshmëri opsionesh për karrierë, të cilat jo të gjitha njihen nga të rinjtë. Ndryshimet e mëdha në të gjitha sferat e jetës, epoka dixhitale në të cilën i qasemi lehtë informacionit, kanë hapur mundësi të reja, ndaj nuk ekzistojnë më thjesht disa profesione tradicionale. Njëkohësisht krahas gamës së gjerë të zgjedhjeve, pjesë e dilemës bëhet faktori para dhe faktori pasion. Kjo situatë sjell konfuzion në lidhje me cilin drejtim duhet të ndjekin të rinjtë, ndaj është shumë e rëndësishme që për ta të ofrohet këshillimi i karrierës.
Të skicosh rrugën e profesionit
Në thelb, Këshillimi i Karrierës përfshin procesin përmes së cilit nxënësit zgjedhin profesionin e tyre në bazë të interesave të tyre, aftësive, nevojave dhe personalitetit. Ky orientim zakonisht bëhet duke përdorur teste psikometrike për matjen e prirjeve individuale dhe tipareve të personalitetit. Çdo individ është unik, me pika të forta dhe me zhvillim të ndryshëm në fusha të ndryshme. Një këshilltar i karrierës është personi që udhëheq përmes procesit të përzgjedhjes së karrierës. Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar pyetësorë karriere në të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, të cilat kishin për qëllim të kuptonin karakteristikat kryesore të nxënësve, dëshirat dhe ambiciet e tyre, si dhe pikat e forta.
Duke kuptuar rëndësinë e këshillimit të karrierës, Instituti Europian Pashko do të zhvillojë ditën e shtunë një trajnim për drejtuesit e shkollave për orientimin e karrierës së maturantëve.
Të pranishëm do të jenë drejtues dhe psikologë nga shkolla të ndryshme të vendit, të cilët do të trajnohen nga specialistët përkatës, në mënyrë që në përfundim të jenë të certifikuar për të qenë mentorë për këshillimin e karrierës. Deri më tani kanë aplikuar drejtues dhe psikologë shkollorë nga mbi 150 gjimnaze në vend dhe për shkak të numrit të lartë dhe në rritje të aplikantëve, trajnimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim.
Në këtë trajtim do të diskutohet mbi hapat të cilat duhen ndërmarrë që nxënësi të orientohet për të zgjedhur një karrierë që e do, në përputhje me aftësitë e tyre. Si mund të zhvillohet ky këshillim karriere në shkolla. Cilat janë kurrikulat aktuale dhe si mund të përmirësohen ato në përputhje me qëllimin e një orientimi efektiv karriere. Njëkohësisht nisur nga ndryshimet e kohës mentorët e këshillimit të karrierës duhet të kuptojnë nxënësit dhe mendësinë e tyre, si dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësitë e shumta që ofron tregu sot. Për këtë arsye ata do të trajnohen edhe në aspektin e komunikimit.
Gjithashtu, nisur nga fakti që një prej shtyllave kryesore të këshillimit të karrierës është kuptimi dhe vlerësimi i aftësive personale, mentorët do të trajnohen për të kuptuar më mirë inteligjencën, prirjet dhe pasionet e nxënësve. Duke nxitur një mjedis kreativ dhe mirëkuptues edhe nxënësit ndihen më të sigurt në zgjedhjen e tyre.
Këshillimi i karrierës fillon me të kuptuarit e zgjedhjeve individuale të karrierës, fushat e përmirësimit. Pasi kjo është bërë, rruga e karrierës është skicuar. Sapo qëllimi të jetë më i qartë dhe rruga drejt karrierës të jetë përcaktuar, nxënësit mund ta ndjekin atë qëllim me më tepër fokus dhe përkushtim. Krahas zhdukjes së konfuzionit dhe pakënaqësisë, hartimi i një rruge karriere ndihmon një individ të qëndrojë krah për krah me zhvillimin dhe ndryshimet që lidhen me fushën e karrierës. Zgjedhja e karrierës së duhur përkthehet në sukses profesional dhe kënaqësi. Kënaqësia e punës luan një rol të rëndësishëm në sigurimin e suksesit profesional, produktivitetit të mirë dhe cilësisë së lartë të jetës.
[:]