Australia, një histori unike e suksesit global: Studentët e UET prezantohen me mundësitë për të studiuar në Southern Cross University
Australia, një histori unike e suksesit global: Studentët e UET prezantohen me mundësitë për të studiuar në Southern Cross University
Studentët e UET kanë patur mundësinë të ndjekin një leksion të hapur i cili i ka prezantuar ata me Southern Cross University, një nga universitet më të mira në Australi si dhe mundësitë që ofrohen për të studiuar me bursa në këtë kontinent.
Universitetit Europian i Tiranës ka arritur një marrëveshje me Southern Cross University, e cila mundëson një periudhë mobilitieti të studentëve apo stafit pedagogjik, në Australi. Programi i quajtur Study Abroad, falë së cilit mundësohet ky shkëmbim, funksionon me të njejtën logjikë si programi i shkëmbimit studentor Erasmus+, i cili mundëson mobilitetin e studentëve shqiptarë në vendet e Europës. UET falë kësaj marrëveshje të arritur mundet jo vetëm të dërgojë stafin dhe studentët e tij në Australi por njëkohësisht të presë staf dhe studentë prej këtij vendi.
“Australia, në të kundërt nga BE nuk ka Erasmus+. Falë marrëveshjes së nënshkruar me Southern Cross University ne mund të çojmë studentë ose staf atje për një semestër dhe programi quhet Study Abroad. University of South Cross është ndër më të mirët në Australi dhe është i njohur edhe për sistemin shëndetësor që kanë. Ne jemi në bisedime për të sjellë staf të këtij universiteti, për një muaj, për të dhënë mësim tek Fakulteti i Shkencat Mjekësore Teknike të UET”, tregon Lutjona Lula, Përgjegjëse e Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë Universitetit Europian të Tiranës.
“Krahas shkëmbimit studentor jepet mundësia që gjithë studentët që duan të shkojnë në Australi mund të konsultojnë zyrat që janë me pagesë, por studentët e UET, në kuadër të marrëveshjes, përfitojnë bursë dyshfish dhe përfitojnë që transferimi i krediteve si dhe një pjesë e aplikimit të bëhet pa pagesë ndërkohë që për qytetarë të tjerë të Shqipërisë ka tarifa standarde”, tregon ajo.
Të ftuar në këtë seminar informues kanë qenë Z. Jaroslav Pullman, Drejtor Ekzekutiv për Europën i Southern Cross University, Australi si dhe Z. Fin Sadriu, Këshilltar Ligjor dhe Migrues në Australi, Orbis Consulting International të cilët prezantuan mundësitë e shumta që ofrohen për studim në Australi.
“Universiteti Europian i Tiranës është i vetmi universitet në Shqipëri i cili ka kaluar filtrat e Universitetit Southern Cross, për të nënshkruar këtë marrëveshje”, është shprehur z. Jaroslav Pullman në fjalën e tij, duke vijuar më pas në një prezantim të Australisë si dhe universitetit që përfaqëson.
Më tepër për mundësinë e përfitimit të bursave foli z. Fin Sadriu nga Orbis Consulting International, e cila përfaqëson 40 nga 41 universitete australiane. Ai u shpjegoi studentëve se si funksionojnë procedurat e aplikimit dhe pranimit si dhe avantazhet që një student i UET ka në këtë aspekt.
Studentët u njohën më mirë me Southern Cross University i cili është renditur si një nga 100 universitet e reja më të mira në botë, nga Times Higher Education Young University dhe QS ranking. Ky universitet vlerësohet si një nga 500 universitetet më të mira në botë. Kampuset e tij janë bashkëkohore dhe janë të përqëndruara lindor të Australisë, në Bregun e Artë në Queensland, dhe në Lismore dhe Coffs Harbour në New South Wales. Të gjitha këto, rajone unike janë të njohura për bukurinë e tyre natyrore dhe diversitetin ekologjik, duke siguruar laboratorë ‘të gjallë’ për të mësuar dhe frymëzim krijues për veprimtari artistike. Southern Cross University ofron një gamë të gjërë degësh nga të cilat mund të zgjedhësh për të studiuar, të cilat kryesisht janë ndër më të kërkuarat në tregun e punës. Ky universitet njihet për fokusin dhe rezultatet e tij në kërkimet shkencore, duke u vlerësuar shkëlqyeshëm në 24 fusha kërkimi. Edukimi merr shumë përparësi në Australi, vend i cili shënon 8 nga 100 universitetet mët ë mira në botë, 5 nga 30 qytetet më të mira në të cilat studentët mund të jetojnë dhe me rreth 500 mijë studentë ndërkombëtarë në total. Një vend me shumë shpikje dhe zbulime me plot 15 fitues të çmimit Nobel, i cili inkurajon inovacionin dhe zhvillimin. I cilësuar si vendi me ‘i lumtur’ nër vendet e zhvilluara, me një shkallë të lartë punësimi dhe rritje ekonomike, është padyshim një mundësi shumë e mirë për çdo student për të gjetur një hapësirë alternative dhe interesante për të zhvilluar veten.