Nga problemi te startup-i, workshop për studentët: Si të hedhin hapat e parë të sipërmarrjes

Drew Houston po udhëtonte nga Bostoni në New York. Gjatë udhëtimit katërorësh, i duhej të punonte, por kuptoi se kishte harruar USB-në ku ruante materialet e tij. I frustruar nga kjo situatë, nisi të shkruante kodin për një platformë ruajtjeje në cloud, fillimisht për përdorim personal. Houston u bashkua me kolegun e tij, student të MIT-it, Arash Ferdowsi, për të lançuar zyrtarisht kompaninë në maj 2007, fillimisht me emrin Evenflow, Inc., e cila më vonë u bë e njohur si Dropbox. Kështu, një problem i përditshëm u kthye në pikënisjen e një prej platformave më të njohura të ruajtjes së të dhënave në cloud. Ajo lindi si një kompani startup, me financim fillestar nga akseleratori i startuo-eve, Y Combinator.
Bashkëthemelues i Y Combinator, shkencëtari i kompjuterave, sipërmarrësi dhe autori Paul Graham, ka dhënë një këshillë të vyer për ata që duan të hyjnë në botën e sipërmarrjes: “Për të pasur ide të mira duhet të punosh mbi një problem. Nuk mund të fillosh me rastësi. Duhet të fillosh me një problem, pastaj ta lësh mendjen tënde të endet aq larg sa të formohen ide të reja.”
Mbi këtë filozofi u zhvillua në Universitetin Europian të Tiranës workshop-i me temë “Nga problemi te ideja: Hapat e parë të Sipërmarrjes”, i cili bëri bashkë studentët e dy fakulteteve, Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit dhe Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Aktiviteti ndërthuri njohuritë teorike me punën praktike, duke i përfshirë studentët në simulimin e procesit të krijimit të një startup-i.
Nën mentorimin e bashkëthemelueses së startup-eve Tribu Community and Devable, Elisa Ago, studentët u organizuan në dy grupe dhe simuluan të gjithë procesin e ndërtimit të një startup-i: nga identifikimi i problemit dhe hedhja e ideve, te përzgjedhja e idesë më të vlefshme për komunitetin, identifikimi i mjeteve dhe burimeve të nevojshme, sigurimi i mbështetjes financiare dhe burimeve njerëzore, deri te krijimi i kushteve për ta kthyer idenë në sipërmarrje.
Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi, tha se qëllimi i workshop-it nuk është gjetja e zgjidhjeve përfundimtare, por njohja e procesit nga studentët përmes diskutimit dhe shkëmbimit të mendimeve, prej të cilave mund të lindin ide që në të ardhmen mund të kthehen në sipërmarrje.
“Qëllimi ynë si universitet nuk është vetëm të japim njohuri. Duam t’ju nxjerrim pak nga sallat e leksioneve dhe seminareve, në mënyrë që ju të përballeni edhe me mënyra të ndryshme të të menduarit për problemet që na shqetësojnë realisht në përditshmërinë tonë. Mund të jenë probleme të individëve, të komunitetit, të bizneseve, të edukimit.”
Workshop-i vjen në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, e cila këtë vit mbahet në datat 16 deri më 22 nëntor. Universiteti Europian i Tiranës ia dedikon këtë javë edukimit teknologjik, njohjes me zhvillimet e fundit të fushës dhe organizimit të leksioneve të hapura, trajnimeve e workshop-eve me ekspertë nga industria, drejtues dhe sipërmarrës.
Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Prof. Asoc. Dr. Elona Shehu, tha se, ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë, përveç leksioneve dhe të ftuarve, po zhvillohet edhe një seri trajnimesh, siç janë ato në kuadër të UET Innovation Hub, i mbështetur nga Startup Albania.
“Në këtë projekt kanë aplikuar 108 ide, janë përzgjedhur 20 prej tyre dhe ne po vijojmë procesin e trajnimit të ideve më të mira. Do të zhvillohen tetë trajnime intensive, të mentoruar nga ekspertë të ndryshëm”, theksoi Shehu.
Agjencia Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, është agjencia shtetërore në Shqipëri përgjegjëse për zhvillimin dhe mbështetjen e ekosistemit kombëtar të startup-eve, nomadëve dixhitalë dhe ndërmarrjeve inovative. Përfaqësuesja e Startup Albania, Gentiana Gashi, falënderoi universitetin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe organizimin e aktiviteteve të tilla, që sjellin në auditor kulturën e sipërmarrjes dhe mbështesin studentët dhe të rinjtë në zhvillimin e ideve të tyre, me synimin që ato të kthehen në sipërmarrje të suksesshme.
“Për ne është shumë me rëndësi që të përkrahim universitetet për nxitjen e sipërmarrjes tek të rinjtë”, theksoi Gashi, duke sqaruar se në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes do të organizohen 41 aktivitete në pika të ndryshme të kryeqytetit, kryefjala e të cilave do të jetë teknologjia dhe ndërtimi i startup-eve.
Më tej, Elisa Ago vijoi workshop-in duke shpjeguar pesë hapat kryesorë për ndërtimin e një startup-i: identifikimin e problemit, zhvillimin e idesë, testimin e saj te njerëzit, ndërtimin e një versioni fillestar të përdorshëm dhe përmirësimin e tij mbi bazën e feedback-ut. Ajo solli si shembuj historitë e Dropbox dhe Airbnb, themeluesit e të cilave i kthyen problemet që hasnin në jetën e tyre në zgjidhje, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.
Marrja e iniciativës dhe të provuarit e gjërave të reja gjatë kohës së studimeve ishte një nga këshillat kryesore që ajo u dha studentëve.
“Universiteti është djepi i dijes dhe ju nuk jeni të fokusuar vetëm në një punë. Pra, keni mundësi të merrni informacione nga më të ndryshmet, të fokusoheni në fusha të ndryshme dhe të testoni sa më shumë. Sa më herët të nisni, aq më mirë është në rrugën e sipërmarrjes. Së fundi, mos kini frikë të gaboni”, nënvizoi Ago.
Përmes këtij workshop-i, studentët patën mundësinë të provonin nga afër hapat e parë të një procesi sipërmarrës: të identifikonin një problem, të zhvillonin ide dhe të shqyrtonin mënyrat se si ato mund të ktheheshin në zgjidhje konkrete. Në përfundim, ata ndanë idetë e tyre përmes diskutimeve dhe bashkëpunimit, ndërsa u pajisën me Certifikata Pjesëmarrjeje, në vlerësim të kontributit dhe angazhimit të tyre.

Tag:sipermarrje, startup, workshop

