• STUDY AT EUT
    • SPEECH OF THE PRESIDENT
    • INTERNATIONAL STUDENTS
    • PROFESSIONAL DIPLOMA
    • BACHELOR
    • INTEGRATED PROGRAMS
    • PROFESSIONAL MASTER
    • MASTER OF SCIENCE
    • MASTER OF ARTS
    • MASTER FINTECH
    • MASTER POSIG
    • DOCTORATE
    • FOR PARENTS
  • ACADEMIC STAFF
    • EUT RECTOR
      • RECTOR SPEECH
    • EUT ADMINISTRATOR
    • DEAN
    • HEAD OF DEPARTMENTS
    • ORGANIGRAM
      • FACULTY OF ECONOMICS, BUSINESS AND DEVELOPMENT
      • FACULTY OF LAW, POLITICAL SCIENCES AND INTERNATIONAL RELATIONS
      • FACULTY OF HUMANITIES, EDUCATION AND LIBERAL ARTS
      • FACULTY OF ENGINEERING, INFORMATICS AND ARCHITECTURE
      • FACULTY OF TECHNICAL MEDICAL SCIENCES
  • NEWS
  • SCIENTIFIC RESEARCH
    • STRATEGY
    • MAJOR RESEARCH PROGRAM
    • PHYSICAL INFRASTRUCTURE
    • SCIENTIFIC JOURNALS
    • CONFERENCES
    • SCIENTIFIC PUBLICATIONS
      • TOP MOST CITED ARTICLES
    • SEASONAL SCHOOL
    • GENDER EQUALITY PLAN
    • NJOFTIME
  • PROJECTS AND PARTNERS
    • INTERNATIONAL
      • NEWS
      • OUTGOING STUDENTS /STUDY ABROAD
        • INTER INSTITUTIONAL AGREEMENT
        • INTERNATIONAL DEGREES
      • INCOMING STUDENTS / STUDY AT EUT
    • PROJECTS
  • ABOUT UET
    • FACTS AND FIGURES
    • STATUTE
    • ADMINISTRATION BOARD
    • MISSION AND VISION
    • INTERNATIONALIZATION
    • EMPLOYMENT AT EUT
    • EMPLOYMENT OPPORTUNITIES AND INTERNSHIP
    • EVALUATION REPORTS
  • Services
    • ACADEMIC SECRETARIAT
    • CAREER ADVISING
    • TUTORING
    • STUDENT CLUBS
    • STUDENT COUNCIL
    • ALUMNI
      • ALUMNI PRESIDENT
  • en_US
    • sq
UET UET
  • STUDY AT EUT
    • SPEECH OF THE PRESIDENT
    • INTERNATIONAL STUDENTS
    • PROFESSIONAL DIPLOMA
    • BACHELOR
    • INTEGRATED PROGRAMS
    • PROFESSIONAL MASTER
    • MASTER OF SCIENCE
    • MASTER OF ARTS
    • MASTER FINTECH
    • MASTER POSIG
    • DOCTORATE
    • FOR PARENTS
  • ACADEMIC STAFF
    • EUT RECTOR
      • RECTOR SPEECH
    • EUT ADMINISTRATOR
    • DEAN
    • HEAD OF DEPARTMENTS
    • ORGANIGRAM
      • FACULTY OF ECONOMICS, BUSINESS AND DEVELOPMENT
      • FACULTY OF LAW, POLITICAL SCIENCES AND INTERNATIONAL RELATIONS
      • FACULTY OF HUMANITIES, EDUCATION AND LIBERAL ARTS
      • FACULTY OF ENGINEERING, INFORMATICS AND ARCHITECTURE
      • FACULTY OF TECHNICAL MEDICAL SCIENCES
  • NEWS
  • SCIENTIFIC RESEARCH
    • STRATEGY
    • MAJOR RESEARCH PROGRAM
    • PHYSICAL INFRASTRUCTURE
    • SCIENTIFIC JOURNALS
    • CONFERENCES
    • SCIENTIFIC PUBLICATIONS
      • TOP MOST CITED ARTICLES
    • SEASONAL SCHOOL
    • GENDER EQUALITY PLAN
    • NJOFTIME
  • PROJECTS AND PARTNERS
    • INTERNATIONAL
      • NEWS
      • OUTGOING STUDENTS /STUDY ABROAD
        • INTER INSTITUTIONAL AGREEMENT
        • INTERNATIONAL DEGREES
      • INCOMING STUDENTS / STUDY AT EUT
    • PROJECTS
  • ABOUT UET
    • FACTS AND FIGURES
    • STATUTE
    • ADMINISTRATION BOARD
    • MISSION AND VISION
    • INTERNATIONALIZATION
    • EMPLOYMENT AT EUT
    • EMPLOYMENT OPPORTUNITIES AND INTERNSHIP
    • EVALUATION REPORTS
  • Services
    • ACADEMIC SECRETARIAT
    • CAREER ADVISING
    • TUTORING
    • STUDENT CLUBS
    • STUDENT COUNCIL
    • ALUMNI
      • ALUMNI PRESIDENT
  • en_US
    • sq

Aktivitete

Mustafa Nano në UET për romanin e ri “Odeja e gëzimit”: Shqipëria nuk e meriton të jetë në BE

  • Date October 29, 2026

“Ky nuk është një roman politik.” Kështu do të shprehej autori Mustafa Nano në një rikthim në auditorin e Universitetit Europian të Tiranës, për të folur për librin e tij të sapobotuar nga shtëpia botuese UET Press, “Odeja e gëzimit”.

I shkëputur kësaj here nga publicistika, por jo nga tematikat dhe çështjet që i ka përzemërt në krijimtari, Nano tha se ky është një roman në të cilin shpreh shqetësimet “mbi atë që ndodh në Shqipëri, mbi ethosin shqiptar, mbi mënyrën se si ne jemi, mbi raportet që ne kemi me botën, raportin që ne kemi me Europën, me qëndrimin europian”.

Ngjarjet zhvillohen në vitin 2030. Në qendër të romanit është Sebi, një diplomat i njohur shqiptar. Përmes jetës së tij, lidhjeve, miqësive, marrëdhënieve profesionale dhe atyre intime, shpërfaqen një sërë ngjarjesh, historish, mentalitetesh, modelesh politike që i pranë vihen realitetit shqiptar. I përfshirë në rrethet ku takohen politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, personazhi përfaqëson ata individë që e shohin Shqipërinë përtej kufijve të saj, por që nuk mund të shkëputen nga realiteti shqiptar.

Që në titull, autori flet në mënyrë simbolike, duke përzgjedhur emrin e Simfonisë së Nëntë të Beethovenit, e cila është himni i Bashkimit Europian. E ndërsa integrimi mbetet aspirata dhe narrativa e 35 viteve të fundit në Shqipëri, përmes rrëfimeve, personazheve, përsiatjeve dhe ndodhive, autori pasqyron një realitet tjetër sa i përket përpjekjes reale që bëhet nga politika dhe shoqëria për të qenë pjesë e Europës.

Pas katër vitesh, Shqipëria e Mustafa Nanos, me të parën kryeministre grua, nuk është shumë ndryshe nga ajo që kemi sot. Ndryshojnë rrethanat, institucionet dhe personazhet, por jo mekanizmat. Lufta për pushtet, rivalitetet, korrupsioni dhe ndërthurja e interesave publike me ato private duken një realitet i njohur.

Gjatë bashkëbisedimit me pedagogët, studentët, miqtë dhe të ftuar nga media, politika dhe letërsia, në Departament Book Review, një aktivitet me traditë që sjell në UET autorët më të njohur të letërsisë shqipe, Nano zgjodhi t’i japë përgjigje pyetjes së madhe.

“Integrimi do të ndodhë shumë shpejt në qoftë se në Shqipëri nuk ndodh ndonjë hata dhe unë nuk parashikoj të ndodhë ndonjë e tillë”, tha autori. Përkundrejt këtij pohimi optimist, Mustafa Nano nuk e kurseu kriticizmin dhe skepticizmin e vet për integrimin, mënyrën dhe arsyet që do ta mundësojnë. Sipas tij, Shqipëria, edhe pse është gjeografikisht në Europë, nuk ka lidhje me të dhe me vlerat perëndimore. Vlerat e Shqipërisë janë ende ato të shekujve të kaluar, të mbështetura te Kanuni, te kodi i nderit apo vetëgjyqësia.

“Bazuar në të gjitha kriteret dhe standardet, ne nuk e meritojmë që të jemi në Europë”, shtoi më tej autori, duke e cilësuar integrimin dhuratë nga Europa, e cila duhet të shmangë kostot e mëdha që mund t’i sjellë lagjja e çmendur e Ballkanit.

Pavarësisht se libri nuk të jep frymë optimiste, studiuesi i letërsisë Ermir Nika tha se shumë prej lexuesve do të gjejnë diçka nga vetja, do të gjejnë aspekte të asaj të kaluare që farkëtoi psikologjitë, temperamentin dhe dinamikën tonë. Madje, sipas tij, edhe vetë autori mund të ketë lidhje jo të rastësishme me ndonjë personazh.

“E dyshoj shumë këtë. Duket si një vepër e përjetuar, por duket edhe si një vepër që është parë në distancë, është matur më mirë, autori e ka parë nga të gjithë këndvështrimet.”

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, vuri në dukje kundërshtinë mes titullit dhe zhvillimit. Pavarësisht se mund të pretendohet për diçka të gëzuar, subjekti sjell zhgënjim; përçarje, kontradikta dhe tensione të personazheve.

“Më pëlqyen temat sepse janë politiko-shoqërore, janë të ditës. Librin e sheh në disa rrafshe, në disa nivele, sepse shkon nga diplomacia te politika, te elitat kulturore, por mbetet jashtë një shtresë ndoshta e paprivilegjuar.”

Ky është libri i gjashtë i autorit me UET Press, ku në shumicën e tyre, “Unë jam gegë”, “Sandwich”, “Një javë në Manastir”, “Hinterlandi i kuq”, trajton çështje që lidhen me identitetin, me kulturën, me mënyrën se si shqiptarët e kuptojnë veten, me kujtesën dhe trashëgiminë e së shkuarës komuniste, me bindjet dhe kundërthëniet e shoqërisë shqiptare. Kryeredaktorja e UET Press, Suadela Balliu, tha se “Odeja e gëzimit” nuk është një libër i shkëputur nga rrugëtimi i mëparshëm dhe nga profili autorial që Nano ka ndërtuar mes publicistikës, esesë, reflektimit historik dhe letërsisë.

“Në të gjitha këto vepra me forma dhe këndvështrime të ndryshme shfaqet një shqetësim i përbashkët: si është formuar shoqëria shqiptare dhe cilat janë shtresat e saj më të thella.”

Jo vetëm për të ardhmen, për integrimin, për Europën. Gjatë bashkëbisedimit në Departament Book Review, Mustafa Nano zgjodhi t’u përgjigjej pyetjeve edhe për të tashmen, për situatën politike, për protestat, për gjeneratën Z, për myslimanët, kontradiktat dhe përplasjet aktuale në mbarë kontinentin. Jo për t’i bërë atentat Europës, por pa pranuar të dalë nga natyra e tij pesimiste, publicisti foli edhe për skenarin më të keq për BE-në, e gjendur mes dy qytetërimeve, në kufijtë e një lufte civile. “Dhe kam frikë që pikërisht në momentin kur ne do të futemi, Europa nuk do të ekzistojë më dhe do të na quajë ne si tersin e dynjasë”, shtoi më tej Nano.

INTERVISTA KOLEKTIVE

Pse ke zgjedhur që edhe në këtë roman të jesh elitar dhe pse ke zgjedhur sërish që personazhin kryesor ta kesh si veten?

Si autor, besoj që nuk mund të iki njeriut që jam. Jam njeri i dëshpëruar. Këtë botë e shoh me syze të dëshpëruara, jam pesimist. Njerëzit nuk para e thonë këtë gjë në publik. Edhe kur janë si unë, prapë thonë që janë optimistë, sepse nuk duan që ta përcjellin këtë mesazh. Mirëpo unë nuk e mbaj brenda vetes. Shpresoj që të mos merret si një atentat që unë i bëj botës duke mbjellë pesimizëm gjithandej. Shpresoj të merret si një përpjekje për të vetëdijesuar njerëzit. Këto situata nuk janë të mira, prandaj ne duhet të bëjmë diçka që ta ndryshojmë. Kjo nuk është vetëm optika e romancierit, është edhe optika e njeriut që është i pranishëm në jetën publike.

Pse kjo qasje, pse kjo lloj letërsie? Unë mendoj që ne nuk zgjedhim të bëjmë letërsi të caktuar. Nuk është se unë ulem dhe them që do të bëj këtë lloj letërsie. Ne jemi kështu si jemi. Do të bëjmë letërsi që e ka burimin te mënyra se si ne jemi. Këtu ka autorë dhe besoj që më japin të drejtë në këtë drejtim. Ne jemi qenie të limituara. Kur isha i vogël, prisja që Kadare të shkruante shpesh artikuj te “Zëri i popullit”. Mirëpo ai nuk i ikte dot vetes. Ai ishte ai që ishte, nuk ishte Dritëroi.

Kjo del disi në libër, te subjekti dhe personazhet. Diplomacia është familjare me ty, sepse ke qenë pjesë e atij mjedisi, e kontekstit politik, i gazetarisë. Aty ka shumë referenca mediash, politikanësh që na sjellin në mendje realitetin dhe faktin që i ke pjesë të përvojave të tua. Por ka edhe personazhe të zakonshëm, siç janë emigrantët shqiptarë në Londër apo bisedat te kafeneja e ministrisë.

Unë nuk kam simpati për njerëzit e zakonshëm në vetvete, por për tërësinë e njerëzve të zakonshëm kam shumë simpati. Tërësia e njerëzve të zakonshëm prodhon atë që ne e quajmë mençuri konvencionale. Gjithë frazat e bukura që kanë mbetur, madje edhe Bibla e Kurani, janë një përpjekje që kanë bërë autorët e tyre për të mbledhur pikë-pikë këtë lloj mençurie konvencionale të tërësisë së individëve të zakonshëm. Unë kam përshtypjen që gjërat më të bukura në libër thuhen nga këta njerëz të zakonshëm, p.sh. një debat në një berberane në Londër midis emigrantëve, ku njëri punon në një shtëpi bari. Ata kanë kokëçarje të mëdha për botën, për qytetërimin europian që po kalbëzohet. Unë i vë në pozitën që ata e duan qytetërimin europian. Këtu, faktikisht, është autori, jam unë që e dua qytetërimin europian. Kjo është dhe një qasje shqiptare. Ne shkojmë te berberi, shkojmë për të blerë diçka dhe na pyesin për Trumpin, Kinën, Rusinë dhe pastaj edhe këta njerëz të zakonshëm japin opinionin e tyre me një lloj kompetence.

Kjo më kujton Ivo Andrićun te “Kronikat e Travnikut”, ku shkruan për disa myslimanë boshnjakë të thjeshtë që diskutojnë me njëri-tjetrin. Është koha e Napoleonit dhe flasin për të, e përgojojnë madje dhe komentojnë për politikat e tij. Madje, në një moment, një prej tyre thotë që “do të doja ta kisha këtu përballë dhe të hahesha me atë, me fjalë bile edhe të rrokesha, ta kapja, ta vija poshtë”. Shqiptarët janë të tillë dhe unë këtë pjesë të Shqipërisë e kam dhënë përmes emigrantëve. Është një shprehje që thotë se më vjen për të qarë kur mendoj që qytetërimi perëndimor mund të bjerë, edhe sepse është një nga gjërat më të bukura që ka prodhuar njerëzimi ndonjëherë. Këtë frazë e vendos në gojën e një emigranti që punon në një shtëpi bari. Po kështu, disa mendime lidhur me politikën shqiptare bëhen te bari i ministrisë, ku shoferi, tekniku i IT-së flasin në mënyrë pretencioze për gjërat që ndodhin në Shqipëri, për presidentin që do të zgjidhet etj.

E ke balancuar dhe je shumë më pak determinist. Në këtë roman i kritikon elitat. Edhe pse janë modeli apo përvoja jote, nga ana tjetër i ke kritikuar ato dhe ke nxjerrë në pah kontradiktat e tyre, se si nuk mjafton fakti që përqafon aspiratën europiane, vlerat kulturore europiane, për të thënë që je njeri i mirë, vepron mirë apo sillesh mirë, apo ndërton marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët.

Është e vërtetë që unë kam një fokus te liria intelektuale. Ka disa personazhe të tillë, si Sebastian Toska, që është diplomati më i mirë në Shqipëri, siç thonë personazhet aty. Pastaj është një shkrimtar, Damjan Hiba. Janë personazhe që kanë vizionin e vet për botën, për Europën dhe për punën shqiptare. Është një teolog mysliman shumë i mirë, i armatosur me dije. Ka një marrëdhënie të vetën me botën, ku përzihet islami dhe bota laike. Kam një kryeministër grua. Duke qenë se gjërat zhvillohen në vitet 2030, kam bërë një kryeministre grua për të shmangur ndonjë spekulim që mund të bëhej po të ishte burrë.

Dua të lexoj diçka nga libri. Sebastian Toska, që është personazhi kryesor i librit, diplomat dhe ambasador, merr ofertën për t’u bërë president i Republikës dhe ky ka dilemat e veta, sepse ka punën si ambasador, ka një status të caktuar që gëzon në shoqëri, nuk ka probleme ekonomike dhe po futet në një botë tjetër, të cilën ai nuk e njeh. Në një moment mendon për Zonjën, për kryeministren që e bëri propozimin, dhe thotë në libër:

“Ndjenja që ushqente për të ishte një përzierje e admirimit me krupë. Ajo ishte e matur, e kujdesshme, mendjemprehtë, e aftë të bënte llogari, të merrte në çast vendime të rëndësishme, të cilave nuk nguronte t’u dilte për zot. Linte t’i fshihte mendimet, emocionet dhe qëllimet e veta, jepte idenë se ishte e ligë nga nevoja, jo nga natyra. I bënte të gjithë të besonin se uji dilte i kthjellët nga burimi, por turbullohej rrugës, se kishte për gjë ta ndërronte lëkurën sipas stinës, t’i thoshte derrit dajë. Rregullat dhe ligjet i donte për të disiplinuar gjindjen, por vetë mund t’i shkelte ato për të ‘mirën e përgjithshme’. Nuk i harronte kurrë nderet apo poshtërsitë që i bënin. U bëhej urë të huajve, por dhe u tregonte vendin kur nuk i shkonin pas avazit, se kishte për gjë të lëpinte çfarë kishte pështyrë, i pëlqenin shërbëtorët besnikë për aq kohë sa i vlenin, por mund t’i sakrifikonte në emër të ‘kauzës’.”

Është një portret që, teksa unë e lexova, dikujt mund t’i shkojë mendja te një emër apo tjetër. Janë tipare që dominojnë udhëheqësit tanë politikë. Ky portret i rri mirë kujtdo, sepse për mua është portreti i udhëheqësit politik shqiptar që nga kohë të vjetra, nga Ali Pashë Tepelena deri në kohët e sotme. Kështu që unë kam një fokus te politika, por nuk do ta kategorizoja si roman politik. Është thjesht një roman mbi Shqipërinë e viteve 2030, ashtu si unë e përfytyroj. Shqipëria, përgjithësisht, ndryshon shumë pak me kalimin e kohës. Shpeshherë, ne të gjithëve na duket e ngjashme në shumë drejtime edhe me Shqipërinë e para një shekulli. Kështu që nuk do ta konsideroja si një roman politik. Është një roman ku unë shpreh disa shqetësime të mia mbi atë që ndodh në Shqipëri, mbi ethosin shqiptar, mbi mënyrën se si ne jemi, mbi raportet që ne kemi me botën, raportin që ne kemi me Europën, me qëndrimin europian.

Një nga idetë që unë përcjell, por që nuk e kam elaboruar mirë, është ideja se qytetërimi europian ka vlera të tjera, të cilat nuk kanë lidhje me vlerat tona. Vlerat tona ne e dimë se cilat janë. Kemi kodin e nderit. Në Kanun thuhet që nderi është ajo që Zoti na e ngjiti bash në lule të ballit. Sigurisht, koncepti i nderit ka evoluar në kohë. Çfarë ishte nder para tre shekujsh nuk është sot, por jemi përsëri te koncepti i nderit që është i kapërcyer në botën perëndimore, ose, le të themi, është një nder shumë i sofistikuar. Një vlerë tjetër është vetëgjyqësia, që buron jo vetëm nga Kanuni. Është kudo në të gjithë Shqipërinë dhe nuk duhet të asociohet me ndonjë rajon.

Këto janë vlerat tona. Mirëpo këto vlera nuk pajtohen me vlerat e Perëndimit, prandaj unë mendoj në libër, dhe po dal te ideja që hedh një personazh, se bëmë gabim që kemi përqafuar sistemin e demokracisë liberale si sistem politik tonin. Sistemet qeverisëse nuk importohen dhe nuk eksportohen. Ato duhet të krijohen në realitetin lokal, mbi bazën e etnosit, moralitetit dhe zakoneve. Ky është një gabim që nuk e kemi bërë vetëm ne. E kanë bërë shumë të tjerë. Unë mendoj që duhet të bëjmë atë që bënë amerikanët përpara 200 e ca vitesh. U mblodhën disa burra të mençur, Thomas Jefferson, Washington, Madison e të tjerë, dhe morën detyrën për të bërë një kushtetutë. Ndërtuan një kushtetutë ku ndërthurën mirë zakonet lokale me modën që vinte nga Iluminizmi. Ndërtuan një kushtetutë që jeton edhe sot e kësaj dite. Sikur të ishim të lirë, duhet të bënim të njëjtën gjë: burra dhe gra të mençura të mblidheshin në një dhomë dhe të na sillnin një kushtetutë që t’i rrinte mirë shqiptarit. Neve na duhet një shtet dhe një sistem qeverisjeje që t’i rrijë mirë shqiptarit. Nëse ne e kemi qejf monarkinë, pse jo, le të jetë old-fashioned. Ose, nëse na rri mirë një regjim gjysmë despotik, pse jo.

Idetë e tua për shoqërinë shqiptare të tranzicionit, këtë aktuale, por edhe atë të ardhme, nuk ke zgjedhur t’i sjellësh përmes publicistikës. Ke zgjedhur t’i sjellësh përmes fiction, letërsisë. A ishte më e lehtë kjo zgjedhje?

Unë jam njeri i bindjeve të forta. Jam një lloj “talebani”. Kam disa qëndrime të miat për botën, që i kam konsoliduar në harkun e një kohe të gjatë, nën ndikimin e leximeve, kontakteve, shëtitjeve dhe vëzhgimeve. Kam krijuar disa bindje të forta, të cilat dua t’i mbroj. Një prej tyre është se Shqipëria dhe Europa nuk kanë lidhje. Unë e di që kjo mund të lëndojë shumë njerëz kur e thua dhe këtu ka shumë intelektualë që thonë të kundërtën, që ne jemi vend europian, dhe bazohen te gjeografia ose te një mbivendosje historike. Unë nuk e shoh dhe aq shumë. Ne jemi një vend që nuk kemi shumë lidhje me Europën dhe unë dua ta theksoj këtë gjë dhe dua ta shpjegoj pse.

Unë kam eksploruar, le të themi, mënyra të ndryshme të të shkruarit dhe puna e të shkruarit roman më duket më seksi. Kur ti bën studim, ti vëzhgon një botë të caktuar, një shekull më parë, vëzhgon përreth. Kur shkruan roman, ti krijon një botë tënden. Ky është një shans që i jepet autorit dhe unë nuk dua ta lë këtë shans. Është një gjë që më magjeps.

Ngjarjet në libër zhvillohen në Shqipërinë e vitit 2030, jo shumë larg nga premtimet e politikës për integrim në BE.

Integrimi në BE është kuptuar si proces burokratik, si bërje detyrash. Integrimi do të ndodhë shumë shpejt në qoftë se në Shqipëri nuk ndodh ndonjë hata. Nuk parashikoj të ndodhë ndonjë e tillë. Integrimi do të ndodhë, por besoj që duhet ta kemi të qartë një gjë: neve po na jepet si dhuratë. Bazuar në të gjitha kriteret dhe standardet, ne nuk e meritojmë që të jemi në Europë. Ne të gjithë e dimë këtë gjë. Këtë ne e dimë të gjithë, mjafton të shohësh një copë në Shqipëri. Hidh sytë dhe kaq mjafton. Ne ende e kemi territorin të mbuluar me shishe plastike. Kështu që kemi shumë gjëra të kësaj natyre që na largojnë nga Europa. Procesi burokratik, bërja e detyrave nga institucionet, është proces në letër.

Së dyti, ne po na e japin si dhuratë edhe për një arsye tjetër. Europa e ka vendosur më në fund që këtë lagje të çmendur të Ballkanit ta marrë për vete, ndryshe kush e di çfarë ndodh nëse e lë të izoluar. Europa ka vendosur ta marrë dhe do të paguajë një kosto për të, sepse po merr brenda vetes një pjesë, le ta quajmë, të sëmurë. Kostoja është më e vogël sesa përfitimi që do të kenë, sepse u jepet shansi këtyre vendeve që të edukohen. Nëse jemi brenda BE-së…

Muajt e fundit, vëmendjen në Shqipëri e kanë marrë protestat. Nisën me atë që u quajt revolucioni i flamingove dhe po vijojnë me protestat studentore, ku shohim shfaqjen e Gen Z, përmes kreativitetit dhe formave të tjera të protestës. Shohim gjithashtu se kjo gjeneratë në Shqipëri nuk ndryshon shumë nga ajo e bashkëmoshatarëve në Europë. Ju keni një personazh të tillë në roman. Si e shihni, në fakt, këtë gjeneratë të re të rinjsh?

Unë e kam një personazh dhe jam lodhur për ta përpunuar, sepse është një botë që nuk e njoh mirë. Kështu që do të rezervohem kur flas për 18-, 19- apo 20-vjeçarët e sotëm. Sigurisht, protesta ishte impresionuese. Unë nuk e prisja dhe më kapi gafil. Nuk e mendoja që shqiptarët do të dilnin në rrugë në mënyrë civile e të manifestonin kauzën e tyre ashtu siç e manifestuan, duke marrë vëmendjen e gjithë dynjasë. Madje, pashë në dy gazeta të rëndësishme të huaja që e paraqisnin Shqipërinë si model për britanikët. Duhet të bëjmë atë që po bëjnë shqiptarët. Kështu që impresionoi kjo këtu, por edhe ajo që ndodhi në Serbi.

Ishte hera e parë që unë shihja Perëndimin në kërkim të modeleve. Megjithatë, pavarësisht motiveve me të cilat nisi protesta, mendoj që mungon diskursi publik dhe artikulimi i duhur i shqetësimeve që ata kanë. Nuk janë shqetësime reale. E gjitha mori fill nga një ngjarje që ishte skandaloze, me tërheqjen zvarrë të një njeriu në Zvërnec. Flamingot nuk morën shkas nga gjëra të tjera që ndërkohë kishin ndodhur dhe ndodhin, të cilat po ashtu janë skandaloze.

Po, por ajo i çliroi të gjitha të tjerat. Ishte një shkëndijë që manifestohet prej muajsh dhe vazhdon. Ju çfarë qëndrimi keni?

Unë i kam mbështetur, sigurisht, edhe vazhdoj t’i mbështes. Dhunën e kam zët, nuk e duroj dot, edhe pse nuk ka të bëjë me ndonjë ndjeshmëri timen specifike. Dhuna nuk përcjell asnjë mesazh, përveç mesazhit të keq të dhunës. Nuk e marr vesh pse e kanë kapur me kazanët e plehrave dhe thjesht mendoj për një 9-10-vjeçar në shtëpi, duke parë në televizor dhe që pyet prindërit: “Çfarë po ndodh?”. Si do t’ia shpjegosh? Dhuna nuk shpjegohet. Nuk kuptoj dot përdorimin e gjimnazistëve, të cilët nuk kanë as opinionin e tyre. Ata nuk kanë të drejtë të votojnë, edhe me të drejtë. Në disa vende europiane ka tentativa për ta ulur moshën e votimit, për ta çuar në 16 vjeç, gjë që për mua është e gabuar. Ndoshta gaboj, por unë, kur kam qenë 18 vjeç, kisha opinione politike. Nuk kisha asnjë raport me botën dhe nëpërmjet leximeve po krijoja një raport me botën. Kështu që unë nuk do t’i përfshija këta gjimnazistë në protesta dhe nuk do ta mbyllja gjimnazin. Këtu mund të ndodhë çfarë të duash, një luftë atomike, dhe gjimnazi nuk ka pse mbyllet. Politika nuk është punë e këtyre gjeneratave të reja. Kur shkon në universitet, je në një mjedis tjetër dhe, sigurisht, ke një status tjetër, ke kontakte të tjera dhe ke një vetëdije më të madhe. Kështu që studentët i kuptoj dhe studentët kanë ndërmarrë akte të tilla kudo, edhe në mënyrë produktive, siç ndodhi me studentët tanë në vitin 1990.

Ju përmendët simpatinë ndaj qytetërimit perëndimor, i cili më së shumti është ndërtuar mbi vlerat biblike. Autori Tom Holland, një historian australiano-anglez, thotë që qytetërimi perëndimor është ngritur mbi Biblën. Si e shikoni këtë arnim të Shqipërisë në këtë qytetërim perëndimor?

Unë mendoj që qytetërimi europian është rezultat i disa faktorëve. Nuk është vetëm krishterimi, është edhe antikiteti, ka Iluminizëm, pra ka disa shkolla mendimi që kanë ndikuar dhe kanë prodhuar qytetërimin europian. Mirëpo tani edhe në Perëndim kemi faktorin islam. Në Europë kemi gati 50 milionë myslimanë sot dhe ata përfaqësojnë një qytetërim që është pak i ndryshëm. Një nga vlerat e qytetërimit perëndimor është që ta respektosh të ndryshmin. Edhe këtu ka një lloj friksimi të fortë midis pjesës që është autentikisht perëndimore dhe pjesës islamike. Nuk e di si do ta zgjidhë Europa, por, në ndryshim nga europianët, ne në Shqipëri myslimanët nuk i kemi të ardhur.

Myslimanët kanë të njëjtat të drejta që kemi edhe ne të tjerët që nuk jemi myslimanë për ta drejtuar këtë vend, për t’i dhënë drejtimin. Bëhet fjalë për dy qytetërime që më parë kanë pasur pika kontakti të shumta. Do të na duhet të bashkëjetojmë dhe kjo është sfida e së ardhmes. Si do të ndërtohet një shoqëri kur dy pjesë të shoqërisë janë dy botë që duhen përafruar, siç janë islami dhe të krishterët?

Ka shumë myslimanë në botë që thonë: “Po na bini në qafë, po na kritikoni”. Unë e quaj veten perëndimor dhe një nga vlerat e rëndësishme është liria e shprehjes. Prandaj mendoj që ne duhet t’i themi gjërat. Ne nuk është se i bëjmë shërbim të mirë sëmundjes nëse nuk flasim për sëmundjen. Kështu që duhet ta shndërrojmë në një strategji tonën, jo t’i fshehim gjërat, por të flasim, ndonjëherë në mënyrë brutale, sepse duke folur do të fillojmë të ulemi dhe të mendojmë si t’i zgjidhim. Ka një fërkim të madh midis dy pjesëve të shoqërisë shqiptare. Është një fërkim që manifestohet kryesisht në rrjetet sociale. Rrjetet sociale, për mua, janë sot mënyra më e mirë për të treguar se si bota duhet të jetë. Aty njerëzit janë krejtësisht të lirë, flasin me pseudonime ose me fytyrë, thonë atë që mendojnë. Për mua, ajo është Shqipëria e vërtetë, bota e vërtetë. Kështu që i qëndroj kësaj ideje: ne duhet të flasim dhe myslimanët duhet të mësohen me këtë fakt. Ka kritika për të bërë, siç i kemi edhe për krishterimin, por pjesa myslimane e ka lëkurën pak të hollë. Ne duhet t’ua rregullojmë pak lëkurën, duhet t’ua trashim dhe t’u themi: “S’duhet të jeni kaq të ndjeshëm”. Në qoftë se do të jeni të ndjeshëm, do të jetë për të keqen tuaj, se ne do të vazhdojmë të flasim.

Ju keni një personazh mysliman, i cili mban disa qëndrime të moderuara.

Po, kam një personazh dhe kam personazh të bukur që quhet Fan Poçemi. Ai është mysliman dhe mbetet i tillë deri në fund në libër. Ai ka dilema, ndërsa përgjithësisht myslimanët nuk kanë dilema, aq sa i njoh unë. Ai është mysliman që ka dilema. Ai përpiqet të kombinojë Europën me islamin. Nuk është një ndërmarrje e lehtë. Dhe ndonjëherë dilemat nuk janë të tijat, janë dilemat që ka Europa sot, është sfida e Perëndimit. Unë bile kam pasur idenë që aty të aludoj për një luftë civile. Por dy miq të mi më këshilluan ta hiqja. Tani, kur shoh atë që po ndodh në Francë, mendoj se kam bërë gabim që e kam hequr.

Megjithatë, mendoj se përplasja është e dukshme. Ne duhet të gjejmë mënyra si t’i përafrojmë qëndrimet. Nuk e dimë nëse është e mundur apo jo të ketë luftë civile që do t’i japë botës ngjyrën e vet. Kështu që unë aty e mbyll edhe me fjalët e Fanit, që thotë se mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë problem nuk është ta demonizosh islamin. Kur bën debat, duhet t’i pranosh, t’i bësh llogaritë me myslimanët, sepse ekzistojnë në Europë, ekzistojnë në Shqipëri. Çfarëdo lufte civile që mund të ndodhë, myslimanët nuk do të zhduken. Myslimanët do të mbeten kudo, në Europë, në Perëndim. Kështu që kjo është një sfidë, sepse çfarëdo lufte civile që të ndodhë, myslimanët nuk ka për t’i zhdukur. Janë pjesë përfundimtare, le të themi, e botës perëndimore. Ky është një nga mesazhet që përcjell, që e obligon lexuesin të mendojë: në qoftë se është kështu, duhet të gjejmë mënyra si t’i përafrojmë pozicionet dhe si të mos jemi armiq me njëri-tjetrin në një Europë të larmishme.

Ne do të futemi në Europë, mirëpo shpresoj që të mos jemi tersi. Europa është në një krizë të madhe, është në një lloj kalbëzimi. Edhe unë kam frikë që pikërisht në momentin kur ne do të futemi, Europa nuk do të ekzistojë më dhe do të na quajë ne si tersin e dynjasë. Shpresoj që Perëndimi të rigjenerohet, pasi gjithmonë, në momente krizash, ka gjetur mënyrën për ta kapërcyer. Shpresoj ta gjejë edhe kësaj here, jam optimist

Tag:“Odeja e gëzimit”

  • Share:
Luiza Pinderi

Previous post

Mbyllet edicioni i VIII-të i DSSH Junior/ Kush janë 5 studentët fitues të Çmimit të Presidentit
October 29, 2026

You may also like

WhatsApp Image 2026-10-28 at 09.47.00
Mbyllet edicioni i VIII-të i DSSH Junior/ Kush janë 5 studentët fitues të Çmimit të Presidentit
28 October, 2026
WhatsApp Image 2026-10-23 at 16.57.31
UET akordon “Certifikatë Mirënjohjeje” për themeluesit e T-Blocks, për promovimin e inovacionit teknologjik
23 October, 2026
863958775_1682492406564033_6210356932817978222_n
UET zhvillon edicionin e 14-të të “Shkollës së Biznesit”, trajnime dhe bursa studimi për maturantët ekselentë
23 October, 2026

Search

Since its inception in 2006, UET has not stopped its efforts to reform, structure and complete it, processes and initiatives that ensure the highest quality graduation of our students.

Scan here to read our latest QAA review report

STUDY AT EUT

  • Professional Diploma
  • Bachelor
  • Professional Master
  • Master of science
  • Master of Arts
  • Doktoraturë



Address:

Xhura Complex, St. Xhanfize Keko, Tirana, Albania.



Mobile

+355682016616
+355689037765



Email

[email protected]



International Students

E-mail : [email protected]
Mob: +355 68 809 0986



Reserve your activity



Facebook-f




Instagram




Linkedin




Youtube



Address:

Xhura Complex, St. Xhanfize Keko, Tirana, Albania.



Email

[email protected]



Mobile

+355682016616
+355689037765



International Students

E-mail : [email protected]
Mob: +355 68 809 0986



Reserve your activity



Facebook




Instagram




Linkedin




Youtube

© Copyright 2025 UET

Privacy Policy