Promovohet “Medicus” 10/ Inovacioni në mjekësi, pse progresi po rikthen problemet e vjetra

Flitet gjithnjë e më shumë për arritjet teknologjike në fushën e mjekësisë, në fushën e transplanteve, realizimin e operacioneve më të vështira që dikur as nuk imagjinoheshin. Por, ndërsa këto zhvillime ndodhin, shpesh dalin në pah probleme, emergjenca mjekësore që mendohej se ishin zgjidhur dhe menaxhuar në mënyrë shteruese. Përballja e progresit me problemet e vjetra është në qendër të punimeve shkencore të numrit të radhës të revistës shkencore “Medicus”, botuar nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, i cili u promovua në UET, me të ftuar mjekë, pedagogë, bashkëpunëtorë të hershëm të këtij mediumi të rëndësishëm në fushën e kujdesit shëndetësor.
Dekania e fakultetit, njëkohësisht kryeredaktore e revistës, Dr. Elvana Rista, tha se inovacioni në mjekësi kurrë nuk ka pasur ritmet e sotme dhe kjo është më e dukshme në transplantologji, një fushë që, brenda një dekade, ka avancuar nga imunosupresioni i rafinuar dhe kriteret më të gjera të dhuruesve, deri në pragun e ksenotransplantimit (transplantimi i qelizave, indeve ose organeve nga një specie në tjetrën). Megjithatë, sipas mjekes nefrologe, çdo hap përpara hijezohet nga një shoqërues i vjetër. Në rastin e transplanteve, infeksionet janë rikthyer bashkë me progresin, duke krijuar kështu probleme të reja për mjekët dhe shkencëtarët.
“Ky është paradoksi që qëndron në qendër të punimeve të këtij numri. Sa më shumë që e shtypim sistemin imunitar për të mbrojtur organin e transplantuar, aq më shumë e ekspozojmë pacientin ndaj patogjenëve që sistemi imunitar dikur i mbante larg”, theksoi Dr. Rista.
Kjo temë trajtohet në tre artikuj të revistës. Në të parin, autorët Kristi Saliaj, Elvana Rista, Xhesiana Caushi, Eugena Tomini dhe Alma Robo bëjnë një rishikim gjithëpërfshirës të infeksionit nga Parvovirusi B19 te marrësit e transplantit të veshkave, që tregon se si një virus “i vogël” mund të shkaktojë anemi refraktare dhe vështirësi diagnostikuese. Artikulli i dytë, me autorët Amantia Imeraj, Nevi Pasko dhe Ariana Strakosha, trajton infeksionin nga Citomegalovirusi (virus herpesi shumë i zakonshëm që qëndron në trupin e njeriut për gjithë jetën) pas transplantimit të veshkave.
Mjekja Amantia Imeraj tha se ky është një nga viruset më të vjetër që mund të japë çdo lloj problematike te pacienti dhe bëhet i vështirë për t’u diagnostikuar. “Duke vlerësuar mundësitë dhe kushtet tona, u përpoqëm të shohim trajtimin, diagnostikimin e këtij virusi në kontekstin e vendeve në zhvillim, siç është Shqipëria, duke kuptuar ku jemi dhe çfarë mund të implementohet më mirë”, nënvizoi Imeraj.
Artikulli i radhës, në fushën e imunologjisë, me autoret Elena Gjecka, Ariana Strakosha dhe Silvia Bino, trajton menaxhimin e virusit Epstein-Barr te pacientët pas transplantimit të veshkave dhe ndjekjen e protokollit deri në shërimin e tij.

Së bashku me temën e infeksioneve te transplantet, autorët e numrit të dhjetë të “Medicus” ndalen edhe te përdorimi i inteligjencës artificiale në mjekësi dhe nga pacientët. Artikulli “Inteligjenca Artificiale në polifarmaci: Përtej paralajmërimeve për barnat, direkt te siguria e medikamenteve specifike për pacientin”, realizuar në bashkëautorësi nga Eneida Hoxha, Ledio Collaku, Pandush Pojani, Matilda Kambo, Somida Kuka, Xhesika Habilaj dhe Margarita Gjata, trajton më gjerësisht këtë tematikë dhe konfigurimet që po sjell ajo në mjekësi.
Pavarësisht avancimit që ka pësuar fusha e mjekësisë, Dr. Eneida Hoxha tha se gjithmonë mbetet primar pacienti.
“Sot kemi shkuar drejt biomarkerave të rinj, drejt teknologjisë, diagnostikimit të avancuar, metodave invazive mjaft të sofistikuara, por sfidat pak a shumë për ne të fushës së mjekësisë, për mjekët, ngelen të njëjta përballë një pacienti që sot është më kompleks, që ka shumë patologji, jetëgjatësia që është rritur, shoqëruar me shumë sëmundje, me polifarmacinë dhe me shumë medikamente”, theksoi mjekja.
Pjesë e diskutimit në promovim ishte edhe përdorimi i mjeteve të reja informuese, ku pacientët duket se tashmë i besojnë më shumë teknologjisë sesa mjekut, ndërsa, sipas OKB-së, mbetet problem i qenësishëm dezinformimi.
Psikologia Orjola Pampuri foli për punimin e saj me bashkëautorësi që vjen në këtë numër, dedikuar trajtimit të ankthit dhe depresionit te të rriturit shqiptarë, duke theksuar se çdo fushë e mjekësisë po përballet me sfidat e veta. Në rastin e depresionit, Pampuri theksoi se dikur trajtohej si e ndarë pjesa psikologjike, por tashmë po shihet në tërësi, duke parë të gjithë faktorët dhe impaktin e tyre.
E ndërsa shpesh theksi vihet te problemet e brendshme shëndetësore, po aq thelbësore janë edhe trajtimet e jashtme. Pedagogia Esida Hoxha shpjegoi se në artikullin “Roli i fizioterapisë në optimizimin e funksionit kardiorespirator përmes trajtimit të disfunksioneve posturale”, bashkë me kolegët Kristi Çela dhe Lindita Cipa, kanë marrë spunto nga jeta sedentare, qëndrimi ulur para kompjuterit, stil jete që, për mosha specifike, i bën target-grupet më të rrezikuara kundrejt çrregullimeve të ndryshme.
Në këtë botim preken edhe probleme të lëkurës dhe ekzaminime të tjera mjekësore. Teuta Kurti Dedej, Edmond Puca, Sara Bajraktari dhe Ambra Metasana trajtojnë leishmaniozën, një sëmundje infektive parazitare që transmetohet te njerëzit dhe kafshët përmes pickimit, parë në kontekstin laboratorik.
Vilma Cadri, Ilda Nasufi, Nisrin Hasa, Irda Rrugeja dhe Ervin Rrapushi sjellin punimin me temë “Proteinuria ekstreme e rangut nefrotik në nefritin e përzier lupik me aktivitet të ulët histologjik: Kontributi potencial i hiperfiltrimit të lidhur me obezitetin në një sindromë mbivendosjeje triple autoimune”. “Sfidat diagnostikuese në mielomën e shumëfishtë: Një rast i dëmtimit akut e rekurrent të veshkave, hiperkalcemisë dhe anemisë”, vjen nën autorësinë e Klejda Çollakut, Erjola Likajt, Polikron Pulluqit dhe Adela Perollës.
“Ekografia doppler e arteries vertebrale: Anatomia, teknika e ekzaminimit dhe zbatimet klinike” është artikulli i radhës nga Denis Qirinxhi, Durim Çela dhe Blerina Saraçi.

Tag:infeksione, Medicus, promovim

