“Fshati ku të vjedhin burrin”/ Pas suksesit në Festivalin “Vajzë Fest” studentët e UET dhe regjisori Bora përgatiten për KokoFest

Gushti i nxehtë i kësaj vere nuk solli pushime për studentët e Arteve në Universitetin Europian të Tiranës dhe regjisorin Armand Bora. Mes orëve të gjata të provave, lodhjes, por edhe momenteve të pashmangshme të humorit, ata përgatitën shfaqjen “Fshati ku të vjedhin burrin”, një histori rurale që ndërthur traditat, gjuhën, zhargonin dhe kostumet popullore të Jugut të Shqipërisë, e më konkretisht të krahinës së Labërisë.
Regjisori dhe pedagogu i UET-it, Armand Bora, thotë se e shkroi enkas këtë komedi për të marrë pjesë në “Vajzë Fest”, festivalin folkloriko-kulturor që organizohet në fshatin historik Vajzë të Bashkisë së Selenicës. Edicioni i këtij viti u mbajt përgjatë datave 14, 15 dhe 16 gusht, mes një larmishmërie ngjarjesh artistike, nga shfaqjet teatrale te mbrëmja poetike “Dy poetë, një Muzë” e regjisores Driada Dervishi, me vargjet e Ali Asllanit dhe Ismail Kadaresë, për të vijuar me tingujt e muzikës popullore dhe aktivitete të tjera për njohjen e gjeografisë, trashëgimisë dhe traditave të zonës.
Siparin e festivalit e hapi pikërisht komedia e Borës “Fshati ku të vjedhin burrin”, nën interpretimin e studentëve Amela Gjergji, Grejsi Xhani, Migena Gjyla, Elgis Peti, Desantila Vaka, Elised Braimllari, me pjesëmarrjen e aktorit Gent Hazizi. Po ashtu, përveç punës së tyre si aktore, studentet Migena Gjyla dhe Grejsi Xhani dhanë kontributin e tyre si as/regjisore dhe kostumografe. Siç e ka treguar me shfaqjet e vendosura në skenë përgjatë karrierës, regjisori Bora, me narrativën, karakteret dhe stilistikën e tij, rreket të sjellë në skenë fenomene të ndryshme të shoqërisë shqiptare, të kaluara ose jo, efekti dhe impakti i të cilave është edhe sot pjesë e përditshmërisë sonë. Nuk bënte përjashtim as kjo komedi.

Loja aktoriale dhe karakterizimi i personazheve tipikë shkaktuan të qeshura dhe nxitën reflektime. Për studentët e UET-it, kjo shfaqje ishte jo vetëm një emocion i madh, por edhe një provë profesionale, duke u gjendur përballë një publiku të veçantë, që ndërthurte artdashësit, aktorët dhe artistët e njohur të artit skenik në Shqipëri, e deri te figurat e politikës. Nata e parë u ndoq nga kryeministri Edi Rama, ndërsa i pranishëm përgjatë festivalit ishte presidenti Bajram Begaj, ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhaj, si dhe përfaqësues e drejtues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale.
Si ideator dhe pjesë e grupit organizator të Festivalit “Vajzë Fest”, i cili organizohet për të katërtin vit radhazi, profesori Bora tregon më tepër rreth përgatitjes dhe përfaqësimit të studentëve të UET-it në këtë sfidë të re të përballjes së tyre me publikun dhe skenën jashtë auditorit universitar. Po ashtu, trupa teatrore po përgatitet për të marrë pjesë, për herë të parë, në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë. Ky edicion i 13-të do të mbahet në datat 28 gusht – 6 shtator, ndërsa studentët e UET-it do të performojnë në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” më 3 shtator.

Ju jeni pjesë e organizimit të “Vajzë Fest”, festivalit kulturor dhe folklorik që organizohet prej katër vitesh në fshatin Vajzë të Bashkisë së Selenicës. A ishte hera e parë për studentët e UET?
Ky ishte edicioni i katërt i “Vajzë Fest”. Katër vite nuk janë shumë, por janë të mjaftueshëm për të ravijëzuar profilin e një eventi artistik. Si ideator dhe pjesë e grupit organizator të këtij aktiviteti kam insistuar që e veçanta e këtij aktiviteti të jetë fokusi i tij te promovimi i trashëgimisë kulturore përmes muzikës, teatrit, kinemasë dhe letërsisë. Studentët e UET kanë qenë të ftuar për të ndjekur festivalin në vitin e tij të parë dhe në këtë vit ata ishin pjesë e aktivitetit me shfaqjen e komedisë “Fshati ku të vjedhin burrin”.
Jeni autor dhe regjisor i komedisë “Fshati ku të vjedhin burrin”. Pse zgjodhët pikërisht këtë material për ta vendosur në skenë?
Këtë komedi e kam shkruar enkas për këtë festival duke pasur parasysh profilin e aktivitetit. Komedia ngrihet mbi një histori rurale dhe për më tepër është e shkruar në vargje me stilin e komedive të Çajupit dhe poezive humoristike të Ali Asllanit, si dhe me zhargonin dhe gjuhën e pasur me metafora dhe figura artistike që përdoret në jugun e Shqipërisë, kryesisht në Labëri. Kostumet, muzika dhe e gjithë atmosfera e komedisë e çojnë spektatorin pikërisht te kultura, ritet dhe zakonet e kësaj krahine.
Si i përzgjodhët studentët që angazhuat në këtë komedi dhe sa kohë u është dashur për ta përgatitur?
Nuk është e para që unë punoj me studentët e arteve skenike në UET. Edhe më parë kemi provuar që shfaqjet tona të mos mbeten brenda auditorëve të universitetit, por të prezantohen për një publik më të gjerë. Kështu ka qenë rasti me komedinë “Tri mendje në ankand”, të cilën me studentët e kemi shfaqur në teatrin “Metropol” në Tiranë, si dhe në teatrin “Skampa” në Elbasan. E veçanta kësaj here ishte se grupi i studentëve nuk është vetëm i klasës së regjisë, me të cilët unë punoj gjatë vitit akademik, por janë angazhuar edhe studentë të aktrimit.
Studentët performuan ditën e parë të hapjes së “Vajzë Fest”. Si u prit interpretimi i tyre nga publiku?
Publiku që ndjek këtë ngjarje kulturore vit pas viti është shumë heterogjen, jo vetëm në aspektin gjeografik, por edhe kulturor. Në sheshin ku qëndrojnë spektatorët mund të gjesh nga ai bariu i thjeshtë që e kalon pjesën më të madhe të jetës së tij me bagëtitë në stan e deri te emrat më të shquar të artit shqiptar si Bujar Kapexhiu, Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa, Mevlan Shanaj, Pëllumb Kulla, Marjeta Ljarja, Irini Qiriako, Alfred Trebicka apo edhe personalite të jetës politike si ish-presidenti Alfred Moisiu, presidenti Bajram Begaj, deputetë, kryetarë të ndryshëm bashkish, ministra dhe kryeministri Rama, i cili ndoqi natën e parë të këtij eventi në të cilën interpretuan edhe studentët e UET.
Pas këtij aktiviteti, komedia juaj do të rrugëtojë drejt qytetit të Korçës për të marrë pjesë në Festivalin e Mbarëkombëtar të Komedisë. Çfarë prisni nga KoKoFest?
KokoFest është një nga festivalet më serioze që zhvillohen në mbarë hapësirën teatrore shqiptare. Trupat që garojnë në këtë festival janë të gjitha profesioniste. Juria ka qenë gjithnjë me profesionistë të nderuar, madje ka pasur edicione ku në përbërjen e saj kanë qenë regjisorë dhe artistë të huaj, siç ishte rasti i vitit të kaluar me të pranishëm regjisorin francez Eric Vigner. Në këtë kuptim pjesëmarrja e një trupe të re teatrore dhe për më tepër studentore është diçka e pazakontë për këtë festival. Unë e vlerësoj si një mundësi të madhe për studentët tanë ballafaqimin me pjesën më serioze të teatrit mbarë shqiptar pasi në këtë event ka trupa teatrore edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Pa dyshim që pasi e kaluan me sukses dhe e përballuan presionin e një audience speciale në “Vajzë Fest” studentët do shkojnë në KokoFest me më shumë besim te aftësitë dhe talenti i tyre.


