Leksion i hapur/ Studiuesi PhD Aleksei Kiselev në UET për rolin e institucioneve në rrezikun sovran

Pse disa shtete ruajnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe disa të tjerë përballen me kriza të përsëritura? Përgjigjen e kësaj pyetje e dhanë ekonomistët Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson, fitues të Çmimit Nobel në shkencat ekonomike në vitin 2024. Ata demonstruan rëndësinë e institucioneve shoqërore për prosperitetin e një vendi. Shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucione, që shfrytëzojnë popullsinë, nuk gjenerojnë rritje ose ndryshim për mirë.
Mbështeur në këtë teori, Departamenti i Financës së Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës zhvilloi një leksion të hapur online, me temë “The Rules of the Game: How Institutions Shape Finance and Sovereign Risk”, ku i ftuar ishte PhD Aleksei Kiselev, Research Associate në Florence School of Banking and Finance pranë European University Institute (EUI) dhe Phd në Departamentin e Ekonomisë të EUI.
Studiuesi Kiselev trajtoi rolin e institucioneve në zhvillimin ekonomik, funksionimin e tregjeve financiare dhe menaxhimin e riskut sovran.

Përmes ndërthurjes së teorisë ekonomike, evidencës empirike ndërkombëtare dhe analizës së rasteve konkrete, ai ilustroi se si cilësia e institucioneve, duke filluar nga mbrojtja e të drejtave të pronës e deri te mekanizmat e kontrollit politik, ndikon në performancën ekonomike të vendeve dhe në stabilitetin e tyre fiskal.
Pas prezantimit, PhD Aleksei Kiselev zhvilloi një sesion interaktiv, ku studentët u organizuan në grupe pune për të diskutuar çështje që lidhen me ndikimin e institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin financiar. Ky format i angazhoi studentët në debat, analizë kritike dhe shkëmbim idesh, duke e bërë leksionin një eksperiencë aktive dhe bashkëpunuese të të nxënit.
Aktiviteti u bë i mundur falë angazhimit të alumnit të UET, Kevin Shestani, aktualisht Research Associate në Florence School of Banking and Finance pranë European University Institute, i cili ndërmjetësoi organizimin e këtij bashkëpunimi akademik.
Leksioni i hapur, vjen në kuadër të aktiviteteve që Universiteti Europian i Tiranës ka me universitetet partnere dhe qendra kërkimore ndërkombëtare, për të sjellë për studentët njohuri dhe përvoja që tejkalojnë auditorin shqiptar, si dhe për t’i pasuruar me perspektiva të reja që ndikojnë dhe formësojë zhvillimin e tyre profesional. Sjellja e ekspertizës ndërkombëtare në auditor, krijon mundësi për dialog akademik, mendim kritik dhe zgjerimin e perspektivës së studentëve mbi sfidat ekonomike dhe financiare globale.


